web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Raporti i KLSH-së për 2025: Mangësi në menaxhimin financiar dhe kontrollin e institucioneve publike

15 Qershor 2026, 14:51, Aktualitet CNA

Kreu i KLSH-së, Arben Shehu, ka raportuar në Komisionin e Ekonomisë mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2025, duke evidentuar një sërë problematikash në administrimin e institucioneve publike.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë kryer 190 auditime në 271 subjekte, ku janë konstatuar mangësi në menaxhimin financiar, kontrollin e brendshëm, buxhetimin, prokurimet publike dhe administrimin e pasurisë shtetërore.

KLSH ka dhënë rekomandime për përmirësime ligjore dhe administrative, si dhe masa disiplinore për parregullsitë e konstatuara. Po ashtu, rreth 70% e rekomandimeve të auditimeve të mëparshme janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht.

Raporti thekson gjithashtu probleme në hartimin dhe konsolidimin e pasqyrave financiare të shtetit dhe mungesë të kuadrit të përditësuar për raportimin financiar në sektorin publik.

“Janë evidentuar problematika, mangësi dhe risqe që kanë ndikuar në veprimtarinë e institucioneve publike për të cilat janë adresuar rekomandime për përmirësimin e sistemit të kontrollit, rritjen e performancës institucionale dhe forcimin e përgjegjshmërisë në administrimin e burimeve publike.

Auditimet janë kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit publik. Nëpërmjet gjetjeve është synuar evidentimi i parregullsisë.

Gjatë vitit 2025 KLSH ka zhvilluar 190 auditime në 271 subjekte: 126 subjekte të qeverisjes qendrore, 87 të qeverisjes vendore, 13 institucione të administrimit të pronës publike dhe 45 shoqëri publike ku shteti zotëron mbi 50 % të aksioneve.

Këto misione kanë përfshirë 44 auditime të përputhshmërisë, 32 të kombinuara, 63 auditime financiare, 13 auditime tematike dhe 13 performance, 10 auditime të sistemit të teknologjisë së informacionit, si dhe 15 auditime mbi verifikimin e zbatimit të rekomandimeve.

Auditimet e kryera kanë dhënë 242 opinione, mesazhe dhe konkluzione, 4494 propozime për përmirësime për kuadrin ligjor, 441 masa për adresimin e parregullsive, 975 masa disiplinore dhe administrative.

Gjatë 2025 është verifikuar zbatimi i rekomandimeve të 125 auditimeve të mëparshme, 70% janë plotësuar pjesërisht ose plotësisht.

Janë evidentuar probleme dhe mungesa që lidhen me menaxhimin financiar dhe kontrollin, planifikimin dhe zbatimin e buxhetit, administrimin e të ardhurave, prokurimet publike, menaxhimin e pasurisë shtetërore.

Pasqyrat financiare vjetore të konsoliduara të transaksioneve financiare të shtetit nuk janë hartuar dhe dorëzuar në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e raportit financiar publik. Gjatë kësaj periudhe vijon të evidentohet mungesa e një kuadri të plotë dhe të përditësuar rregullator për raportimin financiar në sektorin publik; në një seri subjektesh është konstatuar mungesa e pasqyrave financiare të konsoliduara me njësitë e varësisë, janë konstatuar mangësi në zbatimin e afateve ligjore, rakordimin dhe plotësinë e pasqyrave financiare dhe regjistrimin e pasaktë të detyrimeve", tha Shehu./ CNA





Lajmet e fundit nga