LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Koronavirusi, pse OBSH duhet të shpallë gjendjen globale të emergjencës

27 Janar 2020, 09:46, Blog CNA

Nga Michael Bociurkiw ?CNN?

* Ndërsa koronavirusi i Vuhanit, po vazhdon të përhapet në mbarë botën, vendimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të mos shpallur ?gjendjen e emergjencës në nivel global?, është i habitshëm.

Virusi, që është i ngjashëm me Sindromën Fatale të Frymëmarrjes së Rënduar (SARS), u shfaq në fillim në qytetin kinez të Vuhanit, që ka një popullsi më të madhe se Nju Jorku. Deri tani janë infektuar më shumë se 1.900 njerëz, dhe 55 prej tyre kanë vdekur.

Për të parandaluar përhapjen e virusit gjatë Vitit të Ri Hënor, që shoqërohet me lëvizjet më të madhe të njerëzve në botë, qeveria kineze vendosi në karantinë 12 qytete, me rreth 35 milionë banorë. Të shtunën, Kina tha se duke nisur e hëna, do të ndalojë hyrjen në vend të turistëve të huaj.

Megjithëse autoritetet në Vuhan, akuzuan fillimisht njerëzit për përhapjen e ?thashethemeve? për sëmundjen, qeveria kineze ka ndërmarrë që nga ajo kohë masa të shpejta dhe të rrepta për të parandaluar përhapjen e mëtejshmë të tij.

Përpjekjet e tyre janë të lavdërueshme, por mund të mos jenë të mjaftueshme, duke pasur parasysh lëvizjen e njerëzve që mund të jenë infektuar disa javë para se të urdhërohej vendosja e karantinës. Ndërsa zyrtarët kinezë kanë një lloj përgjegjësie për të kufizuar përhapjen e epidemisë, zyrtarët e OBSH-së në Gjenevë, duhet të ndërmarrin veprime të shpejta.

Përmes shpalljes së një emergjence globale, OBSH-ja do të koordinonte përpjekjet midis vendeve të ndryshme, dhe do t?i inkurajonte vendet anëtare të OKB, të merrnin masa të rrepta mbikëqyrjeje. Ndërsa paniku fillestar është i pashmangshëm, udhëheqja e OBSH do t?i detyronte qeveritë pasive që të vepronin.

Por me vendimin e saj për të mos shpallur asnjë lloj emergjence globale të shëndetit publik, zyrtarët e OBSH cituan marrjen e një numri masash të kufizuara jashtë vendit, dhe disa masa të forta parandaluese në Kinë. ?Ndërsa kjo epidemi është një emergjencë në Kinë, ajo nuk është ende një emergjencë shëndetësore globale?- u shpreh zëdhënësi i OBSH-së Tarik Jashareviç. Gjithsesi, numri i rasteve më koronavurisin e Vuhanit jashtë Kinës po rritet me shpejtësi.

Tashmë ka më shumë se 35 raste, në një duzinë vendesh jashtë Kinës kontinentale, përfshirë 2 në Shtetet e Bashkuara. Të premten, u konfirmuan rastet e para në Evropë, dhe konkretisht në Francë. Ndërkohë disa ekspertë sugjerojnë se totali i rasteve në Kinë, mund të jetë shumë më i lartë nga sa raportohet aktualisht.

Sipas përcaktimit të vetë OBSH-së, një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik, është ?një ngjarje e jashtëzakonshme, që përbën një rrezik për shëndetin publik në shtetet e tjera, përmes përhapjes globale të sëmundjes, dhe që kërkon një reagim potencialisht të koordinuar ndërkombëtar?.

Duke pasur parasysh atë që kemi parë deri më tani me koronavirusin e Vuhanit, ky kusht përmbushet. Në një raport të vitit 2018, që analizonte reagimet ndaj emergjencave të mëparshme të shëndetit publik nga Ebola, Zika dhe H1N1, studiuesit e shëndetit publik Stiven Hofman dhe Sara Silverberg shkruan:?Kur sistemet e njohjes dhe reagimit ndaj shpërthimeve të sëmundjeve epidemike veprojnë shumë ngadalë, rezultati është një vonesë e panevojshme, përhapje më e madhe e sëmundjes, shumë njerëz shtesë që preken, dhe më shumë jetë njerëzore të humbura?.

Kur OBSH e shpalli Ebolën një emergjencë shëndetësore publike me pasoja globale në vitin 2014, kishin kaluar 8 muaj nga shpërthimi i epidemisë. Deri në atë kohë, sëmundja ishte përhapur në 3 vende, dhe virusi i kishte marrë jetën më shumë se 11.000 njerëzve.

Izolimi i qyteteve, veçanërisht në kohën kur dhjetëra miliona kinezë kanë planifikuar të udhëtojnë në këto vende për të kremtuar Vitin e Ri Hënor, ka shkaktuar tashmë panik, dhe e ka vënë në vështirësi Partinë Komuniste Kineze.

Janë raportuar radhë të gjata në spitalet e zones. Pikat turistike si Qyteti i Ndaluar në Pekin dhe Shangai Disnjlend janë mbyllur, ndërsa aktivitetet e mëdha publike janë pezulluar Kinës. Por koronavirusi i Vuhanit po përhapet me shpejtësi, edhe në kontinentet e tjera jashtë Azisë.

Kundër tij nuk ka ende një vaksinë. Dhjetëra miliona njerëz që jetojnë në Kinë, apo që kanë qenë së fundmi në provincën Hubei, janë ende në lëvizje. Në mungesë të një gjendje të emergjencës globale të shëndetit publik, qeveritë ose organet rajonale si Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), janë të lira të koordinojnë vetë veprimet e tyre.

Në këto kushte, OKB duhet të veprojë menjëherë për të ngritur alarmin ndërkombëtar, dhe parandaluar infektimet dhe vdekje të tjera. Nëse ka diçka që kemi mësuar nga shpërthimet e epidemive të mëparshme, ajo është se viruset nuk i respektojnë kufijtë. Ato lulëzojnë aty ku ekziston mungesa e një veprimi urgjent dhe të koordinuar. Koha është jetike./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga