LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tre dekada pas revolucioneve të 1989-ës, demokracia po sfidohet seriozisht

23 Tetor 2019, 06:41, Blog CNA

Nga Javier Solana ?Project Syndicate?

* 9 nëntori i vitit 1989, është një datë që brezi im s?do ta harrojë kurrë, dhe që do të ngulitet përgjithmonë në historinë njerëzore. Atë ditë, gati 30 vjet më parë, ra Muri i Berlinit. Shpërbërja e bllokut sovjetik, tregoi se komunizmi do të ishte dështimi i dytë i madh ideologjik i shekullit XX, pas shkatërrimit të fashizmit disa dekada më parë.

Kapitalizmi liberal dhe eksponenti i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, mbretëruan të vetëm, duke qenë në dukje të destinuar të shijonin një hegjemoni të gjatë, dhe të pa diskutueshme. Shumë vende lulëzuan në mjedisin e ri. Për shembull Polonia, vendosi në krye një qeveri jo-komuniste, pak para se të binte Muri i Berlinit, dhe pasi përjetoi disa probleme të hershme të tranzicionit, u bë pa problem pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ekonomia polake, përjetoi për herë të fundit rënie në vitin e largët 1991. Ndërkohë në 2009-ën, kur PBB-ja e çdo shteti tjetër anëtar të BE-së u tkurr, Polonia u rrit me gati 3 për qind. Gjithsesi, sot e dimë që 1989-a nuk shënoi fundin e historisë, por të një kapitulli specifik të saj.

Demokracia liberale perëndimore, për të cilën Frencis Fukujama parashikoi se do të gëzonte një epërsi të përjetshme pas vitit 1989, përballet sot me një sfidë gjithnjë e më serioze nga forcat anti-liberale. Ndërkohë edhe periudha e dominimit të Amerikës, rezultoi të jetë jetëshkurtër. Sulmet terroriste kundër SHBA-së më 11 Shtator 2001, treguan se sa e brishtë mund të jetë një fuqi e madhe përballë aktorëve jo-shtetërorë.

Për më tepër, anëtarësimi në të njëjtin vit i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, i dha shtysë më të madhe rritjes spektakolare ekonomike të këtij vendi. Hegjemonia Amerikane mori fund, dhe bota mësoi gradualisht të fliste ?gjuhën? e multipolaritetit. Rritja ekonomike e Kinës, ka përgënjeshtuar shumë supozime të mëhershme.

Në nëntorin e vitit 1989, Partia Komuniste e Kinës (CPC), dukej tejet e rrezikuar. Bashkimi Sovjetik, po përballej me një krizë gjithnjë e më të dukshme, ndërsa Kina po lëpinte ende plagët pas protestave të Sheshit Tiananmen. CPC reagoi ndaj këtyre dy episodeve, duke ia mbyllur të gjitha dyert liberalizimit politik.

Në fund, në kundërshtim me shumë parashikime, shembja e Bashkimit Sovjetik nuk çoi në rrëzimin e CPC në Kinë. Dhe as zhvillimi ekonomik i Kinës, nuk e minoi modelin e saj autokratik, të paktën deri tani. Përkundrazi, CPC është duke forcuar pozitat e saj nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping. Madje disa qeveri, kanë filluar të shohin si një burim frymëzimi, modelin e zhvillimit autoritar të Kinës.

Por narrativa alternative e autoriteteve kineze, ka disa pika të errëta. Republika Popullore e Kinës kremtoi pak ditë më parë 70-vjetorin e saj, duke e tejkaluar në jetëgjatësi Bashkimin Sovjetik. Por Kina komuniste nuk është 70-vjeçe. Megjithë retorikën zyrtare, ngritja ekonomike e Kinës, ishte kryesisht rezultat i reformave liberale të Ten Hsiao Pinit pas vitit 1978.

Ndërkohë, udhëheqësit e vendit nuk kanë më ambicie komuniste. Siç thotë ekonomisti Branko Milanoviç, modeli i sotëm kinez paraqet një lloj kapitalizmi tjetër, dhe jo një sistem krejtësisht të ndryshëm ekonomik. Në këtë kuptim, parashikimet e Fukujamës, nuk janë dëshmuar ende si të gabuara, pasi kapitalizmi nuk ka ende asnjë rival në të gjithë botën.

Fakti që Kina nominalisht komuniste, është ndër mbrojtëset më të forta të globalizmit, është një nga paradokset e mëdha të epokës sonë. Në realitet, hapja e Kinës ndaj botës së jashtme, është ende relativisht e kufizuar. Por qeveria e saj po merr një rol udhëheqës në forume të caktuara ekonomike, kryesisht për shkak se këtë nuk po e bëjnë të tjerët.

Dy fuqitë kryesore, që dikur bënë më shumë për të promovuar tregtinë e lire, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, janë aktualisht në një tërheqje të plotë. Këto kohë, globalizimi është më popullor në Azi, sesa në Perëndim. Shumë analistë në SHBA dhe Evropë, besojnë se të ashtuquajturit humbës të globalizmit, kanë ndihmuar ngjitjen në pushtet të figurave joliberale sikurse është presidenti amerikan Donald Trump.

Por ekonomia, i jep vetëm një shpjegim të pjesshëm kësaj tendence. Për shembull shihni sërish Poloninë. Pavarësisht se ka qenë model i një tranzicioni të suksesshëm, nga socializmi në kapitalizmin liberal, dhe përkundër shmangies së krizës ekonomike, vendi ka përqafuar jo-liberalizmin në formën e Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), që kohët e fundit fitoi zgjedhjet e dyta parlamentare radhazi.

Edhe pse PiS, ka shfrytëzuar pakënaqësinë ekonomike në mesin e disa segmenteve të popullsisë, ajo ka luajtur edhe me shqetësimet më të thella, që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar polak.

Prandaj, larg të qenit të kundërta më njëra-tjetra, kapitalizmi dhe anti-liberalizmi po përparojnë tashmë në mënyrë të vazhdueshme, dhe po konsolidohen në rrafshin global.

Tridhjetë vjet nga sot, ne mund të jetojmë në një botë, ku fuqitë jo-liberale përplasen vazhdimisht me njëra-tjetrën. Ose mund të jetë një botë, në të cilën do të jenë rrikthyer vlera të tilla si demokracia dhe multilateralizmi. Leksionet që mësuam nga viti 1989, është se duhet të jemi modestë. Por kjo s?do të thotë që duhet të jemi pasivë:ajo që zgjedhim të bëjmë sot, do të lërë pa dyshim shenjë në botën e së nesërmes./ Përshtatur nga CNA.al

Shënim: Javier Solana, është ish-përfaqësues i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Siguri, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, dhe ish-ministër i Jashtëm i Spanjës. Aktualisht është president i Qendrës për Ekonomi Globale dhe Gjeopolitikë.

Lajmet e fundit nga