LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja pse Evropa ka nevojë për Amerikën

21 Tetor 2019, 08:06, Blog CNA
Ja pse Evropa ka nevojë për Amerikën

Nga Fraser Nelson ?The Telegraph” 

* Si duhet të reagojmë, teksa turqit po shtypin forcat kurde në Siri? Është e drejtë të thuhet se jo shumë kohë më parë, kurdët rrezikuan, dhe madje dhanë jetën e tyre në luftë kundër ISIS-it. Kur qeveria britanike e Xhon Mejxhërit, vendosi të mbrojë kurdët irakenë, duke krijuar një zonë të ndalimit të fluturimeve në vitin 1991, për t?i mbrojtur ata nga Sadam Huseini, ajo masë krijoi një lloj stabiliteti.

Londra vendosi marrëdhënie të mira tregtare me Bagdadin. Por sot Donald Trumpi, është duke ripërcaktuar aleancat. Kurdët nuk luftuan në Normandi, tha ai në mënyrë të çuditshme, ndaj pse Amerika duhet t?i mbrojë ata tani nga turqit? A mund të mbrohet çdokush nga cilido tjetër në atë rajon? ?Gabimi më i keq që SHBA-të kanë bërë ndonjëherë, është ndërhyrja e tyre në Lindjen e Mesme?- theksoi Trump.

Ai e përcakton koston e ndërhyrjeve në Afganistan, Libi dhe Irak, me shifra të ndryshme, nga 4 në 8 trilionë dollarë, në varësi të gjendjes së tij shpirtërore, dhe audiencës që ka përpara.  Përfundimi i tij: i ka ardhur në majë të hundës, me rolin e Amerikës si ?xhandar? i botës.

Trump po e distancon vendin e tij nga ky rol, dhe aleatët e tij duhet të mësohen me këtë gjë.

Për aleatët amerikanë, ky ndryshim është serioz. ?Më parë, amerikanët të paktën këshilloheshin me ne. Tani, ne nuk e kemi fare idenë, se çfarë do të bëjë SHBA. Dhe kjo e ul besueshmërinë tonë tek aleatët?- më thotë një ish-ministër britanik. Krenaria e madhe e Britanisë, ka qenë pasja e një ?marrëdhënie të veçantë ?, që mund të ndikonte mbi SHBA-në.

Por, çfarë e mirë vjen nga kjo, kur edhe Pentagoni nuk po përfillet më nga Shtëpia e Bardhë? Kur Trump tha në fillim të këtij viti, se do të largonte trupat amerikane nga Siria, në Londër pati një debat të madh, nëse Britania duhet të vazhdonte apo jo të qëndronte dhe vijonte luftën.

Në fakt, ishte një diskutim i shkurtër. Pa Amerikën, asnjë tjetër nuk ka fuqinë të bëjë ndonjë gjë. Shumica e demokratëve që aspirojnë të garojnë për president në garën e vitit 2020, ofrojnë versionet e tyre ndaj argumenteve të Trump:se është derdhur shumë gjak, dhe janë harxhuar shumë para, në përpjekje për të zgjidhur problemet në mbarë botën.

Si Berni Sanders ashtu edhe Trump, flasin prej vitesh për ndërhyrjet amerikane si ?luftëra të pafundme?. Sondazhet tregojnë se amerikanët i konsiderojnë misionet e Xhorxh Ë.Bush jashtë vendit, si një dështim mjeran. Dhe kjo nuk është e habitshme, duke pasur parasysh se sot talebanët e kontrollojnë më shumë Afganistanin, sesa në çdo kohë tjetër që nga viti 2001.

Ndërkohë në Uashington ka shumë njerëz që e përshkruajnë NATO-n si një organizatë mashtruese, e cila u jep mundësi evropianëve të gëzojnë mbrojtjen ushtarake amerikane, pa paguar për të. Ata pyesin se përse Britania (dhe shumë vende të tjera), nuk po kujdesen për ekstremistët e tyre të kapur në Siri, dhe veçanërisht për 2.000 të burgosurit e mbajtur nga kurdët sirianë.

Drama e re turke, na jep së paku ofron një lloj panorame se si duket bota pa Amerikën. Vladimir Putin, ka tani mundësi ta paraqesë veten si forca dominuese në rajon. Pa Amerikën, koalicioni ndërkombëtar prej 77 vendesh kundër ISIS-it, nuk mund të shkojë shumë larg. Nga 22.000 sulme ajrore të kryera kundër grupimit radikal, më shumë se 17.500 janë ndërmarrë nga Forcat Ajrore të SHBA-së.

Dejvid Kameron dhe Nikolas Sarkozi, drejtuan rrëzimin e regjimit në Libi. Por kur erdhi puna tek sulmet me raketat Tomahouk, që kanë një kosto 1 milionë paund secila, marina amerikane ishte e vetme. Pa Xhaxha Semin, nga kryeqytetet evropiane do kishim vetëm kërcënime të forta. Por vetëm kaq.

Tani ne dëgjojmë raporte të ndryshme, mbi gatishmërinë e ushtrive të ndryshme të Evropës. Ato janë gjithnjë e më të frikshme. Hollandezët e pranuan kohët e fundit, se gjysma e automjeteve të tyre ushtrake nuk ndizen. Dy muaj më parë, të 53 helikopterët ushtarakë të ushtrisë gjermane, Bundesvehr-it, u deklaruan të pamundur për të fluturuar.

Franca paraqitet pak më mirë:160 nga 460 helikopterët e saj ushtarakë, janë në gjendje pune. Gatishmëria ushtarake kushton shumë, dhe jo shumë kombe evropiane janë gati të paguajnë. Nëse Turqia do të niste një sulm të befasishëm kundër Evropës, dhe jo kurdëve sirianë, nuk është aspak e qartë se çfarë rezistence mund të ndeshte.

Një studim i kohëve të fundit i ?RAND Corporation?, merret me atë mund të ndodhë nëse dikush pushton Letoninë. Kështu rezultoi që gjermanëve, u duhet 1 muaj që të mobilizojnë 1 njësi ushtarake, ndërsa britanikëve 3 muaj. Për misionet më të mëdha, shkalla e varësisë nga SHBA-ja ishte mbresëlënëse.

Ambasadorja britanike në Kombet e Bashkuara, Karen Pirs ka deklaruar me të drejtë: bota me të cilën përballemi sot përfshin një Rusi agresive, një Kinë më kërkuese, dhe një Amerikë që po izolohet me shumë në vetvete – dhe ky i fundit është problemi më shqetësues.

Xheremi Hant, pati të drejtë kur në fushatën për lidershipin e Partisë Konservatore, tha se një Britani pas Brexit, duhet të dyfishojë shpenzimet e mbrojtjes. Jo sepse bota është një vend më i rrezikshëm, por sepse Britania duhet të tregojë se mund të jetojë e pavarur. Nëse Xhaxha Semi zhduket nga qarkullimi, gjithçka ndryshon. Dhe këtë po e zbulojnë sot kurdët.

Donald Trump i ka kërkuar Rexhep Taip Erdoganit, të sillet me maturi ndaj armiqve të tij kurdë, duke theksuar se ai do ta ?shkatërrojë plotësisht? ekonominë turke, nëse ndodh ndonjë gjë e rëndë. Por duke pasur parasysh mendimin e tij mbi problemet e huaja, kjo nuk ka shumë gjasa që të ndodhë.

Bota po mëson të presë gjithnjë e më shumë fjalë nga Uashingtoni, por gjithnjë e më pak veprime:Trump është bërë një president që flet me zë të lartë, ndërsa në duar mban një shkop të vogël. Për aleatët e Amerikës, ky është kombinimi më i keq i mundshëm./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga