web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mbrëmja e maturës në Devoll/ Tradita që bashkon qytetin në festën e maturantëve

7 Korrik 2026, 10:15, Qyteti im CNA

Pedonalja e qytetit të Bilishtit u mbush me atmosferë festive në mbrëmjen tradicionale të maturës, një aktivitet që prej vitesh organizohet nga Bashkia Devoll për të uruar maturantët në përfundim të një prej etapave më të rëndësishme të jetës së tyre.

Në festë morën pjesë jo vetëm protagonistët e kësaj nate, maturantët e gjimnazit të bashkisë, por edhe qindra qytetarë që iu bashkuan gëzimit të të rinjve.

Mbrëmja nisi me paradën e maturantëve përgjatë pedonales së Bilishtit, ku të rinjtë, të veshur me elegancë, u përshëndetën nga familjarë, miq dhe qytetarë.

Mbrëmja e maturës në Devoll/ Tradita që bashkon qytetin

Festa vijoi më pas me muzikë dhe kërcime, ndërsa i ftuari special i këtij viti, këngëtari Gena Lito, elektrizoi atmosferën me interpretimet e tij.

Drejtori i gjimnazit “Fuat Babani”, Eduart Begolli, vlerësoi organizimin si një traditë të rëndësishme që motivon nxënësit dhe u lë atyre kujtime të bukura nga vitet e shkollës së mesme.

“Festa është në vazhdën e traditës që është krijuar në Devoll, një ditë e tillë, me rastin e përfundimit të vitit shkollor. Për të nxitur nxënësit që të kenë arritje më të mira në mësime, Bashkia Devoll organizon një festë të tillë që edhe të krijohet atmosferë, por njëkohësisht edhe pjesa e nxënësve të mbajnë mend një kujtim të bukur nga vitet e gjimnazit. Është bërë traditë edhe ne falënderojmë bashkinë që e vazhdon këtë traditë dhe besoj do të vazhdojë edhe në vitet e mëvonshme. Uroj që maturantët të kenë suksese në rrugën e tyre të jetës. Ata që do të vazhdojnë universitetin të dalin me rezultate të shkëlqyera, por edhe ata që nuk do ta kenë këtë mundësi, rrugën ta kenë të bardhë dhe t’i prijë e mbara”, u shpreh Begolli.

Emocionet e kësaj nate u përcollën edhe nga vetë maturantët. Në emër të bashkëmoshatarëve të saj, maturantja Emilia Gjata falënderoi mësuesit dhe shkollën për vitet e kaluara së bashku, duke e cilësuar gjimnazin si vendin ku morën jo vetëm dije, por edhe vlera për jetën.

“Sot është një ditë e bukur, që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë. Pas viteve të mbushura plot sfida, përpjekje, sakrifica, buzëqeshje dhe kujtime të paharrueshme, jemi mbledhur për të festuar përfundimin e një kapitulli shumë të rëndësishëm të jetës sonë. Në emër të të gjithë maturantëve dua të shpreh mirënjohjen tonë më të sinqertë. Faleminderit gjimnazit ‘Fuat Babani’ që na dhuroi vitet më të bukura të gjimnazit. Një falënderim i ndjerë shkon për stafin e kualifikuar të këtij gjimnazi, të cilët nuk na mësuan vetëm lëndët mësimore, por edhe vlerat e jetës. Ju na udhëhoqët me durim, na inkurajuat kur kishim nevojë dhe besuat te ne edhe në ditët kur ne vetë dyshonim në aftësitë tona. Sot nuk po i themi lamtumirë një godine, por një periudhe që na formoi si njerëz. Përpara nesh hapen rrugë të reja, ëndrra të reja dhe sfida të reja. Uroj që secili prej nesh të arrijë suksesin që dëshiron, por mbi të gjitha të mbetet një njeri i mirë, i ndershëm dhe i dobishëm për shoqërinë”.

Mbrëmja u shndërrua në një festë të madhe për të gjithë qytetin, ku muzika, vallet dhe emocionet shoqëruan maturantët deri në orët e vona.

Mbrëmja e maturës në Devoll/ Tradita që bashkon qytetin

Për ta, kjo natë shënoi fundin e një etape të rëndësishme dhe fillimin e një rrugëtimi të ri, ndërsa për Devollin mbetet një traditë e bukur që çdo vit bashkon komunitetin për të festuar suksesin dhe ëndrrat e brezit të ri./ CNA





Lajmet e fundit nga