web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Homazh për Ferdinand Radin/ Komedia “8 Persona Plus” ngjitet sërish në skenë

5 Korrik 2026, 13:32, Qyteti im CNA

Homazh për Ferdinand Radin/ Komedia “8 Persona Plus” ngjitet

Skena e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë është ndezur sërish nga e qeshura dhe nostalgjia. Pas 33 vitesh, komedia “8 Persona Plus”, një nga veprat më të dashura të autorit dhe regjisorit Ferdinand Radi, është rikthyer para publikut korçar, këtë herë si një homazh për krijimtarinë e tij.

Me regji të Andeta Radit dhe interpretimin e Rozana Radit në skenë, shfaqja solli një frymë të re, pa humbur thelbin e veprës që ka bërë për vete breza të tërë spektatorësh.

“Duke qenë se kjo është një premierë e cila ka qenë një nga më të ndjekurat në ato vite kur është vënë në Teatrin Kombëtar dhe jo vetëm atje, por edhe në Teatrin e Korçës, unë u përpoqa që të sillja të njëjtën komedi me të njëjtin tekst por në një formë tjetër", u shpreh ajo. 

Për Andeta Radin, kjo nuk ishte vetëm një premierë teatrore, por edhe një sfidë personale. Të vendoste në skenë një vepër që dikur ishte regjizuar nga babai i saj dhe ku interpreton edhe motra, Rozana, e bëri përgjegjësinë edhe më të madhe.

Homazh për Ferdinand Radin/ Komedia “8 Persona Plus” ngjitet
Andeta Radi

“Ka qenë shumë emocionuese. Fakti që është një vepër e shkruar nga babai im, fakti që duhet të bëja regjinë të cilën më parë e ka bërë babai im, fakti që në skenë luan motra ime… përgjegjësia ishte maksimale. Shpresoj që publiku të ketë marrë kënaqësinë”, u shpreh Radi.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada nga premiera e parë, regjisorja thotë se komedia mbetet po aq aktuale. Sipas saj, ndryshimet e shoqërisë dhe paradokset e kohës sonë e bëjnë veprën të komunikojë natyrshëm edhe me publikun e vitit 2026.

“Ne përditë përballemi me çudira që hyjnë në jetën tonë. Jemi në vitin 2026 dhe ne ende nuk kemi hyrë në Europë. Pra vepra është aktuale, jam përpjekur t’i fus asaj brenda elementë të të përditshmes sonë”, tha ajo.

Një emocion të veçantë përjetoi edhe aktorja Zamira Kita, e cila rikthehet në të njëjtën komedi pas 33 vitesh. Në interpretimin e parë ajo luante rolin e Xhildës, ndërsa sot ngjitet në skenë me personazhin e Kizit, duke e konsideruar këtë rikthim një nderim për figurën e Ferdinand Radit.

Homazh për Ferdinand Radin/ Komedia “8 Persona Plus” ngjitet
Zamira Kita

“Kanë kaluar 33 vjet kur kjo shfaqje është luajtur me trupën e Teatrit të Korçës.Është shumë kënaqësi për mua që rikthehem pas kaq vitesh me një tjetër karakter shumë të bukur të kësaj shfaqje. Ne e bëjmë këtë si një homazh për Ferdinand Radin”, tha aktorja.

Në skenë u rikthye edhe Rozana Radi, e cila pranon se kjo ishte një nga premierat më të vështira të karrierës së saj. Ajo thotë se kujtimet e fëmijërisë, kur ndiqte shfaqjet e të atit dhe dëgjonte publikun të përsëriste batutat përmendësh, e shoqëruan gjatë gjithë procesit të punës.

“Unë e shijoj si premierën, si provat, si provën gjenerale. Mendoj që publiku e ka marrë me vite këtë komedi, por sot ne sollëm një gjë të freskët. Nuk bëmë dot dhe nuk bëjmë dot kurrë atë që ka bërë im atë, por në një frymë tjetër”, u shpreh Radi.

Homazh për Ferdinand Radin/ Komedia “8 Persona Plus” ngjitet
Rozana Radi

Për aktoren, emocioni më i madh ishte reagimi i publikut, i cili edhe pas kaq vitesh vazhdon të njohë dhe të përsërisë batutat e komedisë.

“Ka qenë një ndër daljet e mia më të vështira. E kisha shumë të vështirë sepse e kam ndjekur çdo shfaqje të babait.Dhe sot pashë po të njëjtën gjë, që publiku nuk e ka harruar ‘8 Persona Plus’”, shtoi aktorja.

Me sallën plot, të qeshura dhe duartrokitje të gjata, rikthimi i “8 Persona Plus” dëshmoi se komeditë e mira nuk e humbasin kurrë vlerën. Më shumë se një premierë, kjo ishte një mbrëmje që bashkoi breza aktorësh dhe spektatorësh, duke rikthyer në skenë humorin dhe trashëgiminë artistike të Ferdinand Radit. /CNA





Lajmet e fundit nga