web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fotografitë e Pittard sjellin Shqipërinë e vitit 1921 në Korçë

23 Qershor 2026, 12:31, Qyteti im CNA

Një udhëtim në kohë, përmes fotografive të realizuara më shumë se një shekull më parë. Ekspozita me fotografitë e antropologut zviceran Eugène Pittard është çelur në Korçë, duke sjellë për publikun pamje të jetës së shqiptarëve në vitin 1921, një periudhë e vështirë për vendin, por e dokumentuar me një këndvështrim të veçantë shkencor dhe artistik.

Fotot e Pittard nuk paraqesin njerëz të vendosur në poza të përgatitura, por momente të jetës së përditshme, duke krijuar një dëshmi të rrallë për realitetin social, kulturor dhe njerëzor të Shqipërisë së asaj kohe.

Organizatori i ekspozitës, Elton Koritari, thotë se pikërisht mënyra e dokumentimit e bën këtë koleksion të veçantë.

“Veçantia është mënyra se si Eugene Pittard ka fotografuar realitetin shqiptar, sepse nuk i ka vënë njerëzit në pozë, i ka fotografuar si një antropolog, pra si një shkencëtar, edhe kjo e kthen atë në njëfarë mënyre në një artist. Pra, ne shohim jetën siç ka qenë jeta reale në vitin 1921, që është një vit shumë i vështirë. Dhe përtej se është një vit shumë i vështirë, teknologjia e kohës ishte e vështirë dhe ne e dimë shumë mirë që kryesisht fotot që kemi të atyre viteve janë foto në studio. Ndërsa këtu sjellim jetën reale, të vërtetë, të shqiptarëve të atij viti”, shprehet Koritari.

Për Korçën, Pittard dhe bashkëshortja e tij, shkrimtarja Hélène Pittard, ruajtën një lidhje të veçantë. Përmes kujtimeve të saj, ajo ka përshkruar mikpritjen e qytetit dhe atmosferën kulturore që e karakterizonte.

“Korça zë një vend shumë të rëndësishëm për Pittard. E shoqja, Hélène Pittard, e cila ishte edhe shkrimtare me pseudonimin Nowlle Roger, e ka shkruar shumë bukur, thotë: ‘Në Korçë më pritën duke folur frëngjisht, duke kënduar frëngjisht, dhe më pritën me lule’. Domethënë edhe në një episod shumë të vogël të një viti 1921 të disa të huajve, e tregon veten si qyteti i luleve edhe qyteti që i pret me gjuhën e tyre disa të huaj, pra zë vendin e një qyteti që është një qytet kulture, kryeqyteti i kulturës, le të themi, në Shqipëri”, shton ai.

Në hapjen e ekspozitës ishte e pranishme edhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, e cila vlerësoi rolin e Pittard jo vetëm në dokumentimin e Shqipërisë, por edhe në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ekspozita ka të bëjë me fotografitë që janë bërë 100 vjet më parë nga zoti Eugene Pittard, i cili është vërtet një figurë historike në marrëdhëniet tona dypalëshe mes Zvicrës dhe Shqipërisë, sepse ai bëri shumë. Ai punoi në shumë fusha, jo vetëm duke bërë fotografi dhe duke dokumentuar jetën e përditshme të njerëzve 100 vjet më parë. Ai gjithashtu mbështeti pavarësinë e Shqipërisë, anëtarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve, ai themeloi Kryqin e Kuq të Shqipërisë, kështu që kishte në shumë aspekte një rol të rëndësishëm si etnolog, antropolog, arkeolog e kështu me radhë”, tha Huber.

Përfaqësuesja diplomatike zvicerane e cilësoi ekspozitën si një mundësi për të rikthyer në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të historisë së përbashkët.

“Ndaj për ne si Ambasadë Zvicerane, dhe për mua si ambasadore, është e mrekullueshme të shohim këtë lidhje historike dhe se si ai, zoti Pittard dhe bashkëshortja e tij, e cila gjithashtu ishte shumë aktive si shkrimtare, se si ata kontribuuan për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet tona dypalëshe”, shton ambasadorja.

Ekspozita sjell jo vetëm fotografi historike, por edhe një dëshmi të gjallë të një Shqipërie që po ndërtonte identitetin e saj në fillim të shekullit të 20-të, duke ruajtur për brezat e ardhshëm imazhe të njerëzve, traditave dhe kulturës së kohës. /CNA





Lajmet e fundit nga