E martoi Veliaj/ Luiz Ejlli këngë kundër Edi Ramës
Këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka paralajmëruar këngën e ti...
Këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka paralajmëruar këngën e ti...
CNA TV udhëton drejt Devollit, një prej zonave më të veçanta të juglindjes së Shqipërisë, për të zbuluar bukuritë natyrore, pasuritë historike dhe potencialin e madh turistik që ofron ky territor. Një udhëtim përmes peizazheve të rralla, fshatrave karakteristike dhe zonave që ndërthurin traditën, kulturën dhe zhvillimin e ri.

Në këtë speciale do të ndalemi në Devollin e Sipërm, në disa prej fshatrave që ruajnë ende identitetin e tyre ndër vite, por edhe ku po zbatohen investime të rëndësishme që synojnë kthimin e kësaj zone në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.
Do të shohim nga afër ndërhyrjet në infrastrukturë, projektet për zhvillimin e turizmit natyror, shtigjet e ecjes, zonat e aventurës dhe potencialin që mbart kjo trevë për turizmin e qëndrueshëm.

Por në këtë udhëtim do të flasim edhe për historinë e lashtë të Devollit, gjurmët arkeologjike, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe vlerat që e bëjnë këtë zonë të veçantë.
Nga fshatrat me arkitekturë tradicionale prej guri, te traditat e ruajtura me fanatizëm nga banorët, gatimet karakteristike dhe mikpritja devollite, kjo zonë ofron një kombinim mes natyrës së paprekur dhe historisë së pasur.
Ndalesën e parë do ta bëjmë në Sinicë, një nga fshatrat më të bukur të Devollit të Sipërm, por edhe në zona të tjera ku po punohet për të sjellë një model të ri zhvillimi përmes turizmit.

Për këto projekte, për sfidat dhe vizionin për të ardhmen e kësaj treve, do të flasim me kryetarin e Bashkisë Devoll, Eduard Duro.
Sinica është një nga fshatrat që ruan më së miri identitetin tradicional të Devollit të Sipërm, me ndërtime karakteristike prej guri, histori të hershme dhe një trashëgimi kulturore që vijon të mbetet e gjallë.

"Sinica është nga fshatrat më të bukur të Devollit të Sipërm, me ndërtime karakteristike, me njerëz mikpritës, me një kulinari të pasur dhe me monumente arkitekturore të vizitueshme. Ka kishën e Shën Kollit, një nga kishat më të vjetra në Qarkun e Korçës. Ka shkollën e parë shqipe të ndërtuar në Devollin e Sipërm, e cila është ndërtuar me financim të bashkatdhetarëve tanë të shoqatës ‘Sinica’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në vende të tjera të Diasporës sinicare. Dhe e veçanta është që ky fshat ka ruajtur traditën e ndërtimit të gurit. Është një fshat me ndërtime karakteristike, me banesa të vjetra dhe ndërtimet e reja, të cilat janë duke u zhvilluar dhe duke u ndërtuar, ruajnë atë profil ndërtimi dhe atë karakteristikë, duke mos ndryshuar profilin e vet."
Përveç trashëgimisë arkitekturore dhe historike, Sinica dhe gjithë zona e Devollit të Sipërm njihen edhe për traditat e kuzhinës, të cilat vijojnë të ruhen nga banorët vendas. Një tjetër element që e veçon këtë zonë është prodhimi vendas dhe lidhja e banorëve me tokën, ku produktet tradicionale vijojnë të kultivohen në mënyrë natyrale.
"Jo vetëm Sinica, por i gjithë Devolli i Sipërm janë karakteristikë nga gatimet e tyre tradicionale: lakrorin, byrekun, zahiretë e dimrit, turshitë, apo edhe përpunimin e frutave të ndryshme apo perimeve. Është një traditë që ruhet me fanatizëm nga banorët e fshatit dhe kjo i bën ata karakteristikë në llojin e vet. Patjetër, çdo frut apo perime kultivohet në bashtat personale të vetë banorëve dhe kjo është edhe ajo mënyrë në të cilën ne i ftojmë njerëzit apo vizitorët të vijnë në Sinicë."

Sinica është përfshirë në programin e 100 fshatrave turistike të Shqipërisë, ndërsa vitet e fundit janë ndërmarrë iniciativa për të krijuar infrastrukturë dhe mundësi të reja për zhvillimin e turizmit natyror.
"Sinica është pjesë e 100 fshatrave turistike të Shqipërisë dhe aktualisht nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me fondin, ose nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Devoll, janë duke u zhvilluar katër projekte për turizmin natyror: në rrugë, hiking, në zipline, në kampin e rezistencës që do të kryhet në Nikolicë dhe në rrugën turistike Arrzë-Nikolicë, nëpërmjet luginës së lumit të Devollit."
Zhvillimi i turizmit të aventurës dhe natyrës shihet si një nga drejtimet kryesore për të tërhequr më shumë vizitorë në këtë zonë, duke shfrytëzuar peizazhet natyrore dhe veçantitë e terrenit.
"Sinica dhe Devolli i Sipërm pikësynimin e tyre e kanë zhvillimin e turizmit natyror, lëvizjen në natyrë, ecjen, por edhe sportet ekstreme, pasi në këtë pjesë do të ndërtohet zipline-i dhe kampi i rezistencës, ku të apasionuarit pas këtyre sporteve do të kenë një pikë ose një checkpoint për ta vizituar."
Një prej perlave natyrore të Devollit të Sipërm është Ujëvara e Valës së Madhe në Sinicë, një destinacion që çdo vit tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë për bukurinë e rrallë të peizazhit dhe natyrën e paprekur. E rrethuar nga gjelbërimi dhe pjesë e rrjetit ujor të lumit Devoll, kjo ujëvarë është kthyer në një nga simbolet turistike të zonës dhe një pikë e rëndësishme referimi për zhvillimin e turizmit natyror.

"Ujëvara e Valës së Madhe të Sinicës është një nga atraksionet turistike natyrore më të vizituara në Devollin e Sipërm. Është pjesë integrale e lumit Devoll, një nga degët e lumit Devoll, dhe është një nga monumentet natyrore më të vizituara në Devollin e Sipërm. Duke qenë pothuajse ujëvara e vetme në rrethin e Devollit, është atraksioni më i vizitueshëm në Devoll. Por Sinica, Qyteza, Nikolica dhe Arrza janë katër fshatrat e Devollit të Sipërm të cilat janë dhe pjesë e paketës ‘100 Fshatrat’ turistike të Shqipërisë dhe gjithmonë është atraksioni më i vizituar."
Pas bukurive natyrore të Sinicës dhe atraksioneve që ofron Devolli i Sipërm, udhëtimi ynë vijon drejt Qytezës, një prej fshatrave më të veçanta të kësaj zone. Një vend ku historia, kultura dhe tradita janë ruajtur ndër breza, por që sot po merr një tjetër dimension përmes zhvillimit të turizmit dhe investimeve të reja.

Qyteza nuk është vetëm një pikë me vlera natyrore, por edhe një vatër e rëndësishme e dijes dhe arsimit në Shqipëri, nga ku kanë dalë figura të shumta që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme. I pozicionuar në një zonë me peizazhe të rralla malore dhe me një arkitekturë karakteristike prej guri, ky fshat vijon të ruajë identitetin e tij të veçantë.
Emri i Qytezës lidhet me historinë e njerëzve të saj të arsimuar, me mësuesit dhe intelektualët që kanë lënë gjurmë në shumë treva të vendit, por edhe me figura të njohura të artit që e kanë origjinën nga kjo zonë.

"Qyteza është nga fshatrat më të bukur të Devollit të Sipërm. Ndryshe quhet fshati i intelektualëve të Shqipërisë, fshati i një plejade me mësues, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në mësimdhënie në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Por, është edhe fshati i prejardhjes së shumë artistëve si vendas, por edhe në arenën ndërkombëtare, ku ndër këta do të përmendim edhe vëllezërit Belushi, të cilët rrënjët e tyre i kanë te ky fshat. Dhe patjetër që ata e kanë vizituar më shumë se një herë këtë fshat dhe e kanë në vëmendjen e tyre."
Vëmendja ndaj kësaj zone është shoqëruar edhe me investime konkrete për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe vizitorët. Ndërhyrjet kanë synuar jo vetëm lehtësimin e aksesit drejt fshatit, por edhe ruajtjen e karakterit tradicional të tij, duke respektuar mënyrën e veçantë të ndërtimit që e dallon gjithë Devollin e Sipërm.
"Bashkia dhe qeveria shqiptare, nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, kanë ndërhyrë në infrastrukturën e brendshme, por edhe atë lidhëse me rrugën nacionale Miras-Arrzë, dhe ka bërë të mundur rregullimin e infrastrukturës së këtij fshati. Çdo gjë në fshat ka pësuar ndërhyrje, si nga ana arkitekturore, por edhe nga ana infrastrukturore. Tipike për të gjitha fshatrat e Devollit është ndërtimi me gurë dhe nuk besoj se kjo zonë do të pranojë lloje të tjera ndërtimesh."
Qyteza po shndërrohet gradualisht në një destinacion të kërkuar për turizmin natyror dhe atë familjar.

Përveç banorëve që rikthehen në vendlindje, gjithnjë e më shumë vizitorë po zgjedhin këtë fshat për qetësinë, natyrën dhe atmosferën tradicionale që ofron gjatë gjithë vitit. Çdo stinë sjell një pamje të ndryshme të kësaj zone, duke e bërë Qytezën një pikë tërheqëse për ata që kërkojnë një eksperiencë larg zhurmës së qyteteve.
"Banorët në Qytezë janë banorë të cilët ose janë larguar dhe rikthehen në fshat, por më tepër ky fshat është i apasionuar pas turizmit, sidomos pas turizmit natyror. Kemi shumë vizitorë, jo vetëm qytetarë të larguar, por edhe të tjerë të cilët dëshirojnë të ndërtojnë këtu shtëpitë e veta për ditët e pushimeve të tyre. Jo, vizitorët janë pothuajse gjatë gjithë vitit, janë gjithëvjetorë, dhe besoj që kjo e bën atë më tërheqës, pasi çdo stinë ka të veçantën e vet në këtë fshat. Është një nga fshatrat më çlodhëse të Shqipërisë."

Nga Qyteza, udhëtimi ynë në Devollin e Sipërm vijon drejt Menkulasit, një tjetër fshat me një histori të pasur kulturore dhe një emër të lidhur ngushtë me një prej figurave më të mëdha të letërsisë shqiptare, Dritëro Agollin.
I njohur si vendlindja e poetit dhe shkrimtarit të madh, Menkulasi mbart një trashëgimi të rëndësishme jo vetëm për Devollin, por për të gjithë kulturën shqiptare.
Veprat e Dritëro Agollit e kanë bërë të njohur këtë zonë në mbarë vendin, duke sjellë në letër jetën, traditat dhe karakterin e njerëzve të Devollit. Sot, përmes muzeut që po ndërtohet në vendlindjen e tij, synohet që kjo trashëgimi të ruhet dhe të kthehet në një pikë të rëndësishme vizitimi për turistët dhe admiruesit e veprës së tij.

"Menkulasi identifikohet me emrin e Dritëro Agollit, por jo vetëm Menkulasi, edhe Devolli njihet dhe është bërë i njohur nëpërmjet veprave letrare artistike të Dritëro Agollit. Ama, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si politikan i njohur i Devollit. Ishte një premtim i kahershëm i pothuajse të gjithë paraardhësve të mi. Fatmirësisht u bë i mundur ndërtimi, jemi në fazën përfundimtare të ndërtimit të muzeut dhe ngeli vetëm për muzealizimin e tij, i cili shpresoj të mbarojë në datën 13 tetor me rastin e ditëlindjes së poetit të madh."
Ndërtimi i këtij muzeu shihet si një investim në ruajtjen e kujtesës dhe promovimin e vlerave kulturore të zonës. Data e përfundimit të tij lidhet me një moment simbolik për Menkulasin dhe Devollin, duke e kthyer përvjetorin e lindjes së Dritëro Agollit në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin.

"Punimet kanë filluar vitin e kaluar, objektivi ishte që 13 tetori i këtij viti të na gjente me muzeun e ngritur, pasi është edhe përvjetori i lindjes së tij. Është një përvjetor jubilar dhe është diçka e veçantë për Menkulasin, por edhe për Devollin."
Përveç muzeut kushtuar Dritëro Agollit, në fokus është edhe një tjetër simbol i identitetit devollit, që lidhet me traditën dhe kulturën popullore të kësaj treve.

Vallja Devolliçe, një nga elementët më të njohur të trashëgimisë shpirtërore, po synohet të marrë një vlerësim të veçantë përmes një monumenti dedikuar asaj.
"Ne jemi në fazën e parë të konkursit për ngritjen e përmendores së poetit të madh, por jo vetëm të poetit, por dhe përmendoren e Valles Devolliçe, pasi ne i kemi dy ikona të cilat na identifikohen: poetin dhe shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, dhe Vallen Devolliçe, e cila është aplikuar edhe për pjesë të UNESCO-s, si vlerë e shtuar dhe e mbrojtur."
Vallja Devolliçe mbetet një nga shenjat më të forta të identitetit kulturor të kësaj zone. E trashëguar ndër breza, ajo vazhdon të praktikohet nga grupet artistike dhe të ruajë lidhjen mes brezave të rinj dhe traditave të vjetra të Devollit.

"Duke qenë vallja tradicionale e zonës, ajo është simbol i Devollit dhe jo vetëm te të rinjtë, por në të gjithë brezat i përkushtohet një vëmendje e veçantë. Kemi disa grupe artistike, të cilat e praktikojnë mësimin e Valles Devolliçe dhe besoj se ia kemi arritur qëllimit që atë ta trashëgojmë brez pas brezi."
Pas pasurive kulturore dhe historike të Menkulasit, udhëtimi ynë në Devoll vijon drejt një prej pikave më të rëndësishme arkeologjike të kësaj zone, Shpellës së Trenit. Një vend që mbart dëshmi të hershme të jetës njerëzore, me një histori që nis mijëra vite më parë dhe që e rendit këtë territor mes zonave më të rëndësishme prehistorike në rajon.
E vendosur pranë liqenit të Prespës së Vogël, Shpella e Trenit përfaqëson një pasuri të rrallë arkeologjike, por njëkohësisht edhe një pikë me potencial të madh për zhvillimin e turizmit historik e natyror. Kjo zonë dëshmon lidhjen e hershme të njeriut me territorin dhe ruan ende gjurmë që tregojnë rëndësinë e saj ndër shekuj.

"Shpella e Trenit është një zbulim arkeologjik ose vendbanim prehistorik nga më të vjetrit në rajonin e Ballkanit, madje edhe të Europës. I përket viteve 6000 para Krishtit dhe është quajtur vendbanim i tillë që rreth viteve 1952 me zbulimet e dy arkeologëve të mirënjohur, ndër të cilët Hasan Ceka dhe një kolegu i tij, të cilët shkruan në veprat arkeologjike edhe vendet e banuara prehistorike të zonës."
Përveç rëndësisë arkeologjike, Shpella e Trenit është edhe një ekosistem natyror i veçantë, ku prej vitesh jetojnë koloni të lakuriqëve të natës. Por pasuria e kësaj zone nuk kufizohet vetëm te shpella, pasi gjithë territori i Prespës së Vogël mbart dëshmi të shumta historike dhe arkeologjike.

"Është banimi i një kolonie të madhe lakuriqësh nate, por tani në këto momente ne nuk mund t'i vërejmë ata sepse është e pamundur në kushtet në të cilat ne jemi. Por jo vetëm Shpella e Trenit, por gjithë zona e Prespës së Vogël është një nga zonat me zbulime arkeologjike nga më të mëdhatë në Devoll. Është vend burimi arkeologjik për disa kala. Në këto përmendim Kalanë e Trajanit, Kalanë e Shuecit, Kalanë e Mukut. Por pak më tutje, në Spile janë edhe shkrimet e vjetra. Disa i ngatërrojnë duke thënë se shkrimet e vjetra ndodhen në Shpellën e Trenit, por ato nuk ndodhen këtu, ndodhen pak më tutje, në Grykën e Spiles, që thonë është një shpellë tjetër, dhe aty janë edhe shkrimet e vjetra, ose pikturat e vjetra murale, të cilat janë prehistorike."
Trashëgimia arkeologjike e kësaj zone shihet si një mundësi e rëndësishme për të zhvilluar një formë të re turizmi, atë të eksplorimit historik dhe kulturor.

Përveç vizitorëve vendas, synohet që këto destinacione të përfshihen edhe në itinerare ndërkombëtare, duke lidhur natyrën, historinë dhe kulturën e zonës së Prespës.
"Kjo zonë është pjesë e sajteve arkeologjike dhe të apasionuarve pas turizmit arkeologjik. Por së shpejti ne do të bëjmë edhe guidën e Prespës, ‘Prespa Off-Roads’, në bashkëpunim me shoqatën ‘Prespa Off-Road’ të shtetit grek, të cilët do të bëjnë një guidë turistike dhe udhëtimi nga pjesa e Prespës greke, pasi ne këtu jemi në pjesën ndarëse midis kufirit grek dhe shqiptar. Do të vijnë në Prespën shqiptare dhe aktualisht këtu ku jemi ne dhe pastaj do të vazhdojnë në Pustec dhe destinacioni i fundit do të jetë Korça dhe kthimi mbrapsht. Besojmë që ky të jetë viti i parë për t'u kthyer në një itinerar të përvitshëm, pasi do të na bëjë më të njohur në arenën ndërkombëtare si organizatorë të një eventi kaq të rëndësishëm."
Pas udhëtimit nëpër fshatrat karakteristike të Devollit të Sipërm, ndalesa e fundit e kësaj specialeje është në Bilisht, pranë Stacionit Turistik të Devollit, një pikë e krijuar për të orientuar dhe informuar vizitorët që zgjedhin këtë zonë si destinacion.

Ky infopoint turistik shërben si një portë hyrëse drejt atraksioneve të shumta të bashkisë, duke prezantuar historinë, natyrën, traditat dhe mundësitë që ofron Devolli për turistët vendas dhe të huaj. I vendosur në një pikë strategjike, Stacioni Turistik synon të jetë kontakti i parë i vizitorëve me zonën, duke i udhëzuar ata drejt destinacioneve më të rëndësishme, nga fshatrat malore dhe monumentet natyrore, te zonat me vlera historike dhe kulturore.
"Stacioni Turistik i Devollit, apo infopoint-i i turizmit në Devoll, është ndërtuar me nismën e Bashkisë Devoll për të informuar vizitorët në Bilisht, apo dhe ata që dëshirojnë të shkojnë në zonat rurale të bashkisë, për atraksionet, mundësitë apo qendrat e vizitueshme nga ata. Në stacionin turistik ka gjithmonë punonjës, të cilët orientojnë vizitorët. Janë fletëpalosje të ndryshme, janë guidat të cilat ata do të ndjekin në Devoll, por dhe materiale të folklorit, apo materiale të ndryshme të Bashkisë Devoll."
Përmes këtij shërbimi, synohet që vizitorët të kenë një informacion më të plotë për atë çfarë mund të eksplorojnë në Devoll, duke e shndërruar qëndrimin e tyre në një përvojë më të pasur turistike. Pozicioni gjeografik i kësaj bashkie, në kufi me Greqinë dhe si një nga pikat hyrëse tokësore drejt Bashkimit Europian, krijon mundësi të reja për rritjen e numrit të turistëve të huaj.

"Ne jemi pikë kalimi, dhe detyrimisht do të bëhemi edhe destinacion për turistët e huaj, pasi pika hyrëse me vendet e Bashkimit Europian, në rrugë tokësore, është Bashkia Devoll. Kështu që kemi vizitorë jo vetëm nga shteti fqinj Greqia, pasi siç e thamë që së shpejti do të kemi dhe guidën ‘Prespa Off Roads’, por dhe nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian."
Devolli mbetet një nga ato zona ku natyra, historia dhe tradita bashkohen për të krijuar një destinacion me vlera të rralla. Nga fshatrat karakteristike të Devollit të Sipërm, me arkitekturën e gurit dhe mikpritjen e banorëve, te monumentet natyrore, pasuritë arkeologjike dhe trashëgimia kulturore, kjo trevë dëshmon se ka shumë për të ofruar për çdo vizitor.
Investimet në infrastrukturë, promovimi i turizmit natyror dhe krijimi i guidave të reja synojnë ta vendosin Devollin në një pozicion gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën turistike të vendit dhe rajonit.
Një udhëtim në Devoll nuk është vetëm një vizitë në një zonë me peizazhe të bukura, por një përvojë që të lidh me historinë, njerëzit, traditat dhe vlerat që kjo trevë ka ruajtur ndër breza. Nga CNA TV, ky ishte udhëtimi ynë në zemër të Devollit, një zonë që çdo stinë ka një histori të re për të treguar./ CNA
Para gjysmë shekulli ndanë bankat e shkollës dhe nisën rru...
Pogradeci ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror me ak...
Në juglindjen e Shqipërisë, aty ku kufijtë bashkojnë kultu...
Himara zemra e rivierës shqiptare u shndërrua në epiqendrë...
Korça mirëpriti për herë të parë Orkestrën e Filarmonisë s...
Në kuadër të Ditës së Romanitetit Ballkanik, që shënohet ç...
Maliqi e ka zanafillën e zhvillimit të tij në nëntor të vi...
Një traditë e trashëguar ndër vite vazhdon të mbledhë dhje...
Qyteti i Pogradecit vijon të mbetet një ndër destinacionet...
Bashkia e Maliqit ka zgjedhur të çelë sezonin turistik në ...
Një platformë e re digjitale e krijuar në Korçë synon të n...
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, të rinjtë e Pogradecit k...
Sportet ekstreme në Korçë duket se po njohin një zhvillim ...
Një mbrëmje e mbushur me emocion dhe art u përjetua në sal...
Pas suksesit në Pogradec, komedia “Dy dashuri dhe një vesh...
Një histori njerëzore, e mbushur me emocione, humor dhe re...
Në ambientet e Teatrit "Andon Zako Çajupi" në Korçë u mbaj...
Në muajin e shenjtë të Ramazanit, fryma e solidaritetit dh...
Në kuadër të festimeve të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, në ...
Gjithëpërfshirja e nxënësve në arsim mbetet ende një nga s...
Janë 12 ditë proteste në kryeqytet, të cilat filluan pas p...
Dritan Prençi është prokurori i SPAK-ut që fle mbi dosjen ...
Hetimet e thelluara që SPAK-u kreu për Ajola Xoxën dhe Eri...
Standardet e SPAK-ut, mënyra se si heton, si siguron prova...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi këtë të hën...
Vettingu i KPA-së vendosi këtë të enjte shkarkimin e p...
Suela Salavaçi, me detyrë prokurore në Prokurorinë e T...
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë pro...
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar masën e siguri...
Një 21-vjeçar është vënë në pranga, pasi së bashku me një ...
Policia e Fierit ka kryer një operacion ku ka goditur një ...
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Sigur...
Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosfer...
Një aksident tragjik u shënua pasditen e kësaj të premteje...
Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosfer...
Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosfer...
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se Shtetet ...
Një gjykatë në Paris ka dënuar gjashtë shtetas gjeorgjianë...
Zvicra do t’u drejtohet kutive të votimit këtë të diel për...
Lajme të mira për ata që fluturojnë: Pas negociatave shumë...
Disa gërmime arkeologjike të kryera gjatë këtotij sezoni n...
Në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry të Francë, më dat...
Korça është shndërruar këtë fundjavë në kryeqendrën e fest...
Korça është gati të çelë sezonin veror me një nga ngjarjet...
Tregu i punës po përballet me një polarizim në rritje ku r...
Këtë të shtunë një dollar amerikan blihet me 81.5 lekë dhe...
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ndau sot d...
Kreditimi i biznesit është rritur në pjesën e parë të këti...