web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pas 50 vitesh, maturantët e vitit 1976 të shkollës mekanike në Korçë rikthehen në bankat e kujtimeve

10 Qershor 2026, 11:47, Qyteti im CNA

Pas 50 vitesh, maturantët e vitit 1976 të shkollës mekanike

Para gjysmë shekulli ndanë bankat e shkollës dhe nisën rrugëtimin e tyre në jetë. Sot, pas 50 vitesh, ish-nxënësit e maturës së vitit 1976 të shkollës mekanike në Korçë u rikthyen sërish bashkë, duke sjellë në kujtesë vitet e rinisë, miqësitë e paharruara dhe emocionet e kohës së shkollës.

Mes përqafimeve, kujtimeve dhe fotografive të vjetra, takimi u kthye në një festë emocionesh për ata që dikur ndanë të njëjtat ëndrra dhe sfida. Shumë prej tyre kanë krijuar familje, janë bërë prindër e gjyshër, por thonë se lidhjet dhe respekti i krijuar në bankat e shkollës kanë mbetur po aq të forta sa dikur.

Refit Rezhda tregon se emocionet e këtij takimi janë të veçanta, pasi pavarësisht ndryshimeve që sjell koha, shpirti dhe miqësia mes tyre kanë mbetur të pandryshuara.

"U bënë gati 50 vjet, domethënë llogaritet 1976-a. Kemi qenë në moshë të re, 19-20-vjeçarë e kemi mbaruar shkollën. Edhe është gjë fantastike. Kam imazhin e shokëve dhe të shoqeve, të zonjave, se ne çupa u thoshim. Tani kemi ndryshuar shumë nga ana fizike, jemi thinjur, kemi krijuar familje, jemi bërë me fëmijë, me nipër e me mbesa. Por dashuria dhe respekti nuk shuhen kurrë. Nga ana shpirtërore ne jemi të njëjtët, po ashtu siç kemi qenë 50 vjet më parë. Kam emocione duke folur, por kjo shkollë na përgatiti për jetën. Stafi pedagogjik ishte fantastik dhe ne ishim të impenjuar të studionim. Kjo shkollë, me njohuritë që morëm, na nxori në jetë dhe na ndihmoi ta përballonim atë deri në pension.”

Në takim nuk munguan as emocionet e vajzave të klasës, të cilat kujtuan shoqet që nuk jetojnë më dhe ato që për shkak të distancës nuk mundën të ishin të pranishme. Aleksandra Taçi, e ardhur nga Selaniku enkas për këtë përvjetor, e përshkroi takimin si një moment të mbushur me mall dhe gëzim.

“Jam shumë e emocionuar dhe e kënaqur me shokët e klasës pas 50 vjetëve që takohemi, me shumë ndryshime të mëdha dhe ndihem shumë e mallëngjyer për këtë. Megjithatë, jam dhe shumë e gëzuar që të tërë i shikoj mirë. Shëndet të kenë dhe gjithë të mirat në familjet e tyre. Kishim edhe femra në klasë, por për fat të keq dy prej tyre kanë ikur nga jeta dhe nuk janë sot me ne. Të tjerat janë jashtë Korçës dhe ndoshta nuk kanë pasur mundësi të vijnë. Ne me shoqen time, Adelinën, erdhëm nga Selaniku me shumë kënaqësi për këtë takim.”

Një surprizë e veçantë për ish-maturantët ishte prania e një prej mësuesve të tyre më të dashur, pedagogut të matematikës Fredi Kita. Ai u shpreh se ndihet krenar kur sheh se nxënësit e dikurshëm kanë ndërtuar karriera të suksesshme dhe kanë lënë gjurmë në shoqëri.

“Sot ndiej emocione shumë të mëdha, sepse kanë kaluar shumë vite dhe nxënësit që unë i kam pasur në moshën e adoleshencës, sot janë bërë prindër, janë bërë dhe gjyshër. Kjo më jep një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe. Ndihem i vlerësuar për këtë ftesë që më kanë bërë nxënësit e mi të dashur. I kam respektuar dhe kjo tregon që edhe ata më kanë respektuar. Ato vite i kujtoj me nostalgji, sepse nxënësit ishin të disiplinuar, të interesuar për mësimin dhe shumë korrektë. Na bënin përshtypje pyetjet që bënin dhe niveli që kishin. Shpërblimi im më i madh është që shumë prej tyre vazhduan universitetin, u bënë studentë të shkëlqyer, pedagogë dhe profesionistë të suksesshëm. Kjo më jep një kënaqësi të madhe.”

Takimi i maturës së vitit 1976 u shndërrua në një udhëtim pas në kohë, ku kujtimet e rinisë u rikthyen mes buzëqeshjeve dhe emocioneve. Për ish-nxënësit e shkollës mekanike të Korçës, vitet mund të kenë kaluar, por miqësia, respekti dhe mirënjohja për shkollën që i formoi mbeten po aq të forta sa pesë dekada më parë./ CNA





Lajmet e fundit nga