web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Task-forcë në Pogradec/ Kontrolle për mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe plazhet publike

3 Korrik 2026, 13:58, Qyteti im CNA

Prej orës 10:00 të paradites së kësaj të premteje, në vijën bregliqenore të Pogradecit u zhvillua një kontroll i përbashkët nga task-forca ndërinstitucionale, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Bregdetitit, Bashkisë Pogradec, Policisë së Shtetit, Policisë Kufitare dhe Policisë Bashkiake. Qëllimi i inspektimeve ishte verifikimi i respektimit të kushteve të kontratave nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në plazhe, garantimi i aksesit në plazhet publike, si edhe kontrolli i masave të sigurisë dhe pastërtisë në kulmin e sezonit turistik.

Sipas Drejtoreshës së Taksave në Bashkinë Pogradec, Enjela Karafili, aktualisht rreth 60 për qind e vijës së plazhit është publike, ndërsa 40 për qind administrohet nga subjektet private. Ajo theksoi se kjo përqindje pritet të rritet në favor të hapësirave publike, pasi kontratat që nuk do të lidhen me subjektet përkatëse do të kalojnë automatikisht në administrim publik.

 

Atëherë, deri tani 60% të plazhit e kemi publik dhe 40% është privat. Kjo mund të thellohet akoma më tepër në krah të publikut, pasi shpejt do të marrim konfirmimin e kontratave që nuk janë lidhur, që nuk kanë përfituar subjektet dhe ato automatikisht kalojnë publike”, tha Karafili.

 

Karafili bëri të ditur se bashkia ka investuar për të ofruar shërbime sa më cilësore në shtatë plazhet publike të qytetit. Çadrat ofrohen pa pagesë për qytetarët, ndërsa në çdo plazh janë vendosur vrojtues të licencuar që monitorojnë sigurinë e pushuesve. Gjithashtu, pjesa më e madhe e vijës bregliqenore është e pajisur me bova sinjalizuese, ndërsa kontrollet nga bashkia do të vijojnë çdo javë, të shoqëruara çdo dy javë edhe me inspektime të posaçme të task-forcës deri në përfundim të sezonit veror.

 

Jemi përpjekur të paktën shtatë plazhe publike që kemi në qytet, t'i ofrojmë shërbimin më të mirë të mundshëm. Çadrat këtu në Pogradec qytetarët i kanë falas, pa pagesë. Janë tre vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës që monitorojnë. Me bova është rrethuar pothuajse i gjithë qyteti. Shpresojmë që gjithçka të kalojë mirë. Dhe dua të theksoj që kontrollet nga Bashkia Pogradec do të jenë të përjavshme. Çdo javë do të jetë një grup që do ta monitorojë dhe çdo dy javë do të kemi përsëri grup task-force që ne do t'i kemi nën vëzhgim deri në fund të sezonit”, u shpreh Enjela Karafili.

 

 

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Shpëtim Çiku, u shpreh se monitorimi i plazheve në Pogradec ka nisur që në fillim të sezonit dhe është pjesë e një kontrolli të vazhdueshëm në të gjithë vijën bregdetare dhe bregliqenore të vendit.

 

Atëherë sot kemi organizuar një task-forcë ndërmjet institucioneve, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit që jemi ne përfaqësues, Bashkia Pogradec, Policia e Shtetit, Policia Kufitare dhe Policia Bashkiake. Nuk është ky rasti i parë që ne kemi monitoruar Pogradecin, është e gjithë vija bregdetare dhe bregliqenore gjithmonë në monitorim. E kemi filluar që në fillim të sezonit për pjesën e plazheve publike, është një nga synimet tona kryesore për të mbajtur gjithmonë të lira në funksion të statusit të tyre juridik”, u shpreh Çiku.

 

Sipas tij, gjatë inspektimit të zhvilluar këtë të premte nuk janë konstatuar shkelje. Plazhet publike rezultojnë të lira dhe të pastra, ndërsa masat e sigurisë janë në standardet e kërkuara, me praninë e vrojtuesve, dokumentacionin e rregullt dhe pajisjet e nevojshme. Çiku pranoi se janë evidentuar vetëm disa mangësi të vogla, për të cilat janë lënë rekomandimet përkatëse që të plotësohen në kohë.

 

Ne sot kemi bërë të gjithë pjesën, të paktën të qytetit, e cila është dhe pjesa më e frekuentuar ku ka dhe më shumë pushues dhe impakti është më i madh. Deri tani nuk kemi konstatuar asnjë shkelje. Plazhet, sidomos plazhet publike, janë të gjitha të lira, si nga ana që janë të lira, por janë edhe të pastra. Bashkia Pogradec ofron dhe pjesën e sigurisë. Është e gjitha e markuar me bova, që është një nga treguesit shumë të mirë për pjesën e sigurisë. Vrojtuesit janë prezentë, dokumentacionet i kanë të sakta dhe kanë të gjitha pajisjet. Patjetër që mungesa të vogla ka, i kemi lënë rekomandimet që edhe drejtoreshën këtu e kemi dhe ia kemi lënë edhe si bashki edhe subjektit që të plotësojë ndonjë mangësi të vogël. Por në përgjithësi gjendja është shumë mirë. Mund ta them me gojën plot që Bashkia Pogradec është nga bashkitë që ka një marrëdhënie, një bashkëpunim shumë të mirë. Dhe situata deri tani është nën kontroll”, tha Çiku.

 

 

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë Pogradec, duke e cilësuar atë si një nga bashkitë me koordinimin më të mirë institucional në administrimin e plazheve. Ai theksoi se kontrollet do të jenë të vazhdueshme gjatë gjithë sezonit turistik dhe se çdo shkelje e kushteve të kontratës do të ndiqet nga institucionet përgjegjëse, me monitorim të përhershëm në terren.

 

“Atëherë, nëse shkelin kushtet e kontratës patjetër që janë disa institucione që e mbajnë nën vëzhgim pjesën e aktivitetit bregliqenor, që janë stacionet e plazhit, është Policia Bashkiake patjetër, sidomos ato kanë prioritet plazhet publike në vetë detyrat e tyre funksionale. Por edhe ne si strukturë e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit jemi në monitorim të përhershëm. Kemi të stacionuar në Pogradec një person që bën vëzhgimin gjithmonë të subjekteve. Dhe kontrollet janë periodike. Nuk është se e bëmë sot edhe nuk do të shkojë shumë larg ky kontrolli i radhës, por që janë periodike dhe janë të shpeshta. Dhe marrëdhënia jonë me Bashkinë Pogradec është aq e ngushtë sa ne i diskutojmë problemet jo vetëm në mënyrë shkresore, burokratike, por edhe i zgjidhim gjërat me e-mail që të jenë më të shpeshta dhe më të shpejta, që të jemi sa më afër me problematikat e turizmit”, deklaroi Çiku.

 

Me shtimin e fluksit të pushuesve gjatë muajve të verës, institucionet synojnë të garantojnë plazhe të lira, të sigurta dhe me standarde të larta shërbimi për të gjithë vizitorët që zgjedhin Pogradecin.





Lajmet e fundit nga