web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

700 motorë, mijëra vizitorë dhe një pasion pa kufij/ Korça kthehet në kryeqendrën e motoristëve

5 Korrik 2026, 14:41, Qyteti im CNA

Zhurma karakteristike e motorëve, flamujt e klubeve nga Shqipëria dhe rajoni, muzika live dhe mijëra vizitorë krijuan atmosferën e edicionit të shtatë të festivalit të motoristëve “Riders Legend Korça”.

Sheshi para Terminalit të Autobusëve u mbush me rreth 700 motorë dhe mbi 3 mijë pjesëmarrës, duke e kthyer Korçën në kryeqendrën e kulturës së motoristëve për një fundjavë të tërë.

700 motorë, mijëra vizitorë dhe një pasion pa kufij/

Festivali, i cili nisi disa vite më parë si një takim i vogël mes miqsh, sot është shndërruar në një nga aktivitetet më të mëdha të këtij lloji në Shqipëri, duke mbledhur mbi 60 klube motoristësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, Norvegjia dhe vende të tjera.

Organizatori dhe themeluesi i grupit “Riders Legend Korça”, Iljaz Jano, tregon se ky është kulmi i një pune disa vjeçare, ndërsa thekson se i gjithë organizimi është menduar si një dhuratë për qytetin e Korçës.

"Këtë radhë jemi në vitin e shtatë të kësaj feste. Edhe kemi synuar për qytetin, e gjithë kjo është për qytetin e Korçës. Kemi menduar në fillim ta bëjmë nëpër vendet tona private, e menduam jo, do vijnë të gjithë. Do vijnë të gjithë, kush ka qejf të vijë të shikojë motorat... Kush nuk e ka qejf? Më thuaj mua kush nuk e ka qejf motorin? Të gjithë! Është e pamundur, kjo është një pyetje 1 milionë dollarësh se domethënë, shifrat e të gjithë mjeteve që mund të jenë këtu, llogarisim rreth 700 këtë vit. Edicioni i shtatë dhe rreth 700 motora, arritëm të sjellim 550 deri në 600 motora, ky është viti i parë që ne sjellim kaq shumë. Grupet, këtë vit në qytetin tonë, nga festa e Riders Legend kemi 60 grupe plus, sepse janë dhe grupet e momenteve të fundit. Të gjithë grupet që do të vijnë sot, ne i kemi miqësi. Domethënë ne i ftojmë, ju shkojmë nëpër festa, domethënë gjatë gjithë vitit. Gjatë gjithë vitit kalendarik neve rrijmë nëpër festat e të gjithë grupeve ku janë e ku s'janë. Dhe kur kemi festën tonë, ne i sjellim në qytetin tonë të gjithë grupet. Pjesëmarrja është domethënë, me kapacitetin e sheshit, jemi në limit. Dhe pjesëmarrja e njerëzve që përmban sheshi, që po llogaritet e përafërt, jemi rreth 3000-3500 persona bashkë me motoristët, sepse nuk na favorizon sheshi, më kupton? Tani, jemi ok”, tha ai.

Jano rrëfen se gjithçka nisi me vetëm një grup të vogël miqsh, ndërsa sot festivali është kthyer në një ngjarje që mbledh qindra motoristë nga vende të ndryshme.

"Kemi nisur diku rreth 12 vetë në fillim. Dikush me motor, dikush pa motor... Me ato mundësitë tona të vogla, kemi nisur rreth tetë vite përpara me këtë pasion. Tani jemi ngritur, normal sepse përmirësohet vit pas viti, mundësitë ndryshojnë. Dhe kemi nisur me ato mundësitë tona, i bënim festat tona private të mbyllura në disa lokale me pak vetë, ku jemi sot? Jemi në një festival, e kemi quajtur festival. Domethënë kjo është arritja më e madhe për ne, mbase më e madhja e qytetit tonë", shprehet Jano.

Ai tregon se pasioni për motorët e ka shoqëruar që në fëmijëri dhe se sot është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij dhe e gjithë familjes.

"Dëshira ime ka qenë që në fëmijëri. Pamundësitë ekonomike, ishim të vegjël, nuk kishim ato mundësi. Motorat kanë qenë të rrallë, flitet këtu edhe 20 vjet parë, unë kam qenë në moshë të vogël, më kupton? Motorin unë kam aktualisht që e ngas rreth 12 vite. E kam filluar me një motor të vogël, sa e mora kam qenë në moshë të vogël. E kemi nisur, kemi mbledhur çunat e grupit, jemi mbledhur si shoqëri. Të gjithë çunat që jemi neve, që jemi të klubit tonë, jemi korçarë. Jemi shokë prej vitesh, jemi të njohur prej vitesh dhe e kemi ruajtur si traditë. Domethënë grupi jonë ka vetëm djem dhe vajza korçare, sepse kemi dhe vajza në grup që ngasin, kemi dy vajza që ngasin motorra. Është edhe bashkëshortja ime, po", tha ai.

Mes motoristëve që tërhoqi vëmendjen ishte edhe bashkëshortja e Iljazit, Anita Shahinas, një nga vajzat që drejton motor në klub. Ajo thotë se adrenalina është arsyeja kryesore pse nuk është shkëputur kurrë nga ky pasion.

"Unë do flas për adrenalinën. Adrenalina është gjithmonë në qiell. Faktikisht, motorin e kam ngarë që e vogël. Kam nisur që prej moshës 14 vjeç. E kam ngarë për të bërë ato punët e mia, do shkoja te dentisti, do shkoja të bëja pazare. Pastaj stopova një moment, derisa në 2019-ën u njoha me bashkëshortin tim, themelues i këtij grupi, Iljazin, dhe aty pasioni rilindi përsëri dhe ja ku jemi", u shpreh ajo.

Anita tregon se edhe pse jetojnë në Itali, fundjavat i shfrytëzojnë gjithmonë për udhëtime me motor, ndërsa festivali në Korçë mbetet eventi më i rëndësishëm për ta.

"Kohën për motorin e gjejmë gjithmonë, sidomos fundjavave. Gjejmë gjithmonë rastin për të bërë udhëtime, qoftë në zonën ku jetojmë (jetojmë në Itali për momentin). Rasti i fundit para dy javësh ishim në Kosovë, në Prizren, ku u kënaqëm shumë. Dhe ja ku jemi sot në festën tonë, festa më e bukur dhe më e madhe në qytetin e Korçës, ku kemi vite që e organizojmë, që në vitin 2018. Besoj se është festa më e bukur që bëhet në këtë qytet”, shtoi më tej.

Ajo ka edhe një mesazh për vajzat që hezitojnë të ngasin motor.

"Femrat janë pak të ndrojtura në fakt, por dëgjo, kush e ka pasion e nget pa frikë. Po ta kesh pasion motorin, po të jesh vigjilente në të ngarë, frikë nuk ke dhe thjesht merr rrugën dhe bën ato udhëtime që ke për të bërë", ishte mesazhi i saj.

Atmosfera familjare ishte e pranishme në çdo cep të festivalit. Motoristi i MC Pogradeci, Dritan Hoxha, kishte ardhur në Korçë së bashku me dy vajzat e tij, Izel dhe Sarea, të cilat tregojnë emocionet që përjetojnë sa herë udhëtojnë me të atin.

"Unë kur jam me babin në motor ndihem shumë mirë sepse është shumë bukur. Në motor është ndryshe, nuk është si sikur të jesh në makinë por është ndryshe, shumë ndryshe. Po, dua ta mësoj motorin kur të rritem", tregoi Sarea Hoxha.

"Është një eksperiencë totalisht e ndryshme për mua, sidomos kur jam me babin dhe me motrën time në motor. Është shumë e bukur për mua se jam gjithmonë me këta të dy që janë gjithmonë pranë me mua gjatë gjithë jetës time. Kuptohet do jem e kujdesshme se babi është si rebel në motor për mendimin tim, edhe larg qoftë unë mos të bëj asnjë aksident siç i ndodhi babit, asnjë njeriu”, tha vajza tjetër Izel Hoxha.

Për Dritanin, motori nuk është thjesht një mjet transporti, por një mënyrë jetese dhe një kujtim që ndërtohet në çdo kilometër të përshkuar.

"Çfarë mund të them tani, gocat i thanë të gjitha. Ne bëjmë rrugë dhe kënaqemi. Ky është pasioni i motorit, pra je ti, era, vetja, një reaktivitet i pashoq edhe dashuria për natyrën. Motori është pasion, nuk mund t'ia shpjegosh asnjë njeriu që s'ka ngarë motor. Udhëtimet pa fund janë ato që çfarë të kanë ngelen se ne në fund të ditës jemi kujtesë. Çfarë mbajmë mend? Dhe unë mbaj mend shumë. Edhe aksidentet që juve përmendët janë përvojë më vete. Atëherë, grupi jonë i Pogradecit ka nisur para shtatë vitesh. Na ndërpreu pak pandemia. Ishim nëntë veta, sot jemi 31 anëtarë. Dhe rritemi çdo ditë. Nuk ka qenë më përpara kjo traditë. Ne e krijuam, shpresoj që ne i sjellim larmishmëri qytetit. Vijnë shumë grupe motorristësh që na vizitojnë, siç u shkojmë ne i vizitojmë. Krijohet një vëllazëri midis nesh dhe Pogradeci sot është bërë një stacion shumë herë më i mirë se çka qenë vitet më përpara", u shpreh ai.

Nga grupi MC Eagles Shqipëri, Dritan Shabani thekson se festivali i Korçës është tashmë një traditë që bashkon miq të vjetër dhe të rinj.

"Gjithmonë, çdo vit këtu bëhet superfestë. Çunat e Legend Korça janë miqtë tanë. Ashtu siç na vijnë, ju vijmë, të gjithë grupet këtë gjë bëjnë domethënë. Mezi po presim të vijë vera, të krijojmë këto lloj bashkimesh, unit. Ja, vetëm mjafton të rrotullosh kokën, e kupton shumë mirë se çfarë shoqërie e mirë është këtu. Kam mbi 20 vjet me motor. Është pjesë e jetës time tashmë, nuk ndahem dot, nuk ka asgjë që më ndan. Edhe këtu në Korçë motori na solli, motori na bashkoi, edhe festa vazhdon, edhe do të vazhdojë çdo vit, edhe qofshim të bashkuar gjithmonë kështu. Unë e kam djalin 21 vjeç. Ai di t'a ngasë motorin. Nuk është se e ka shumë pasion apo merak si unë. Po secili ka drejtimin e vet në jetë. Unë e pata te motori, ai e ka ndoshta tek old cars. Është brenda me hekurat, me mekanizëm. Gjithmonë bashkë rrimë, flasim për shumë gjëra bashkë, por ai s'e ka qejf motorin", u shpreh Shabani.

Edhe grupi “Bikers for Christ” ishte pjesë e festivalit. Motoristi Eno Ziu thotë se qëllimi i tyre është të shpërndajnë mesazhe pozitive, ndërsa kujton se respekti për motorin duhet të jetë gjithmonë i pranishëm.

"Super, atmosfera është shumë e bukur, po kënaqemi, po e shijojmë, urime çunave. Ne jemi grupi "Bikers for Christ", që janë motoristët në mbarë Shqipërinë, jemi disa anëtarë, domethënë çdo vit kemi një grup, kemi disa anëtarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe qëllimi jonë është që të shijojmë, të shpërndajmë gjëra të mira dhe të jemi në harmoni me njëri-tjetrin. Kemi pasur nja dy-tre, po shyqyr Zotit pa asnjë pasojë. Çdo gjë fillon nga e para. I bukur, i frikshëm, plot adrenalinë. Dhe si, ne motoristët kemi një shprehje: në momentin që nuk e ke më frikë motorin, atëherë çdo gjë mbaroi. Kështu që gjithmonë ka frikë, motori është i mirë kur ka frikë. Jo do të doja, por unë kam dy vajza dhe po i mësoj. Edhe pse janë më të vogla, po i mësoj që të vazhdojnë domethënë, që tani t'i mësoj gjërat bazike të motorit", tha ai.

Nga Kosova kishte ardhur presidenti i MC Eagles Kosovo, Mërgim Jonuzi, së bashku me grupin e motoristëve, i cili e konsideron Korçën një nga ndalesat më të rëndësishme të kalendarit të motoristëve.

"Ne vijmë gati se çdo vit kemi qenë këtu. Ky është viti i shtatë. Edhe për çdo vit, më duket është më mirë e më mirë, edhe organizimi, edhe mikpritja. Është e vërtetë, neve motoristët gjithmonë kemi miqësi mes vete, pavarësisht nga jemi, a jemi nga Kosova apo Shqipëria. Unë e kam pak edhe si trashëgimi nga familja. Domethënë, babi im ka pas motor që herët, edhe unë jam rrit me atë pasion. Edhe plot i kam mbi 30 e diçka vite. Po emocionet janë shumë të mira, thjesht neve vijmë, jemi të bashkuar me motorin, edhe jeta jonë shkon pas motorit. Po, po rriten më shumë. Ka interesim të madh, sidomos tani kur komunikimi është shumë i dendur. Motori është një mjet edhe qejfi, por edhe pune. Dikush e përdor edhe për punë, dikush e përdor edhe vetëm për qejf”, tregoi Mërgim Jonuzi.

Ish-politikani dhe motoristi Leonard Olli e përshkruan motorin si simbol të lirisë dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me natyrën.

"Motori nuk është si objekt në vetvete. Është koncepti i motorrit, ose le të themi liria që të ofron një dyrotak. Një term që shumëkush nuk e përdor, po ne ndonjëherë për humor na pëlqen ta përdorim. Sepse është një ndjesi shumë e veçantë, edhe në kuptimin praktik, të lirishmërisë, të lehtësisë, por mbi të gjitha është ai kontakti me natyrën që nuk e ofron dot asnjë udhëtim tjetër me makinë apo qoftë dhe biçikletë. Sepse motorri ka të tjera parametra ose të tjera fuqi, dhe kjo e bën një ndërthurje shumë të bukur midis mundësisë për të menaxhuar forcën, bukurinë dhe ndjesinë e natyrës. Është një diçka që të vjen drejtpërdrejt dhe nëse nuk e provon, është e vështirë ta imagjinosh, por me pak forcë edhe mund ta, mund t'ia arrish kësaj", tha ai.

Olli kujton se motorin e ka mësuar që në fund të viteve ’80 dhe se prej asaj kohe nuk është ndarë më prej tij.

"Për të mësuar, e kam mësuar diku në vitet '87-'88, në ditët e vështira të diktaturës dhe atëherë përfitonim nga ato mjetet motorike të cilat ishin në dispozicion të ndërmarrjeve shtetërore. Dhe pastaj, mbas viteve '90, kam patur gjithnjë motorrin tim që nga ajo periudhë e deri sot. Kam patur atë që në konceptin e mjeteve të udhëtimit me motor konsiderohet Enduro, ose motorët foristrada. Sigurisht që kam, kam përdorur edhe motorrë të atyre që ndryshe quhen të rrugës ose të pistës, edhe choppers, pra versionet e Harley-Davidson e të gjitha. Po si duket, motorri është si punë e parfumit që përshtatet me temperamentin dhe natyrën e njeriut. Dhe në rastin konkret, unë jam përshtatur me versionet Enduro ose foristrada dhe kam patur gjithnjë këtë stil motorësh. Edhe sot në këtë moment që flasim, kam një motor Honda Varadero 1000 kubikësh, po të versionit foristrad", shtoi më tej.

Nga grupi Steelwings Albania, Tan Brahimi tregon se pasioni për motorin është i pari në jetën e tij.

"Shumë bukur, jashtëzakonisht bukur. Sa kemi mbërritur, rrugëve i nxehti i madh, rrugë e gjatë por është shumë bukur. Është pasioni im i parë, vesi im i parë. Kur e kam mësuar unë motorin nuk kane ekzistuar rrjetet sociale. Ne jemi Steelwings Albania, jemi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Jemi 200 persona në grup", tha Brahimi.  

Jorgji Sidheri, pjesë e grupit “Free Spirit”, prezanton motorin e tij Honda VTX 1800 kubikë dhe flet për lirinë që ofron udhëtimi mbi dy rrota.

"Ky është një Honda VTX, Cruiser, 1800 kubikë. E kam sjellë nga Amerika. Kushtoi pak po e rëndësishme është që pasioni nuk ka të paguar. Kam 13 vite që bëj udhëtime nëpër Shqipëri edhe në Ballkan. Pothuajse çdo vit nëpër festa të motorave. Është një lloj pasioni që nuk mund ta shpjegosh. Kur ngjit njëherë në motor, prej të parit, është e pamundur që nuk e lë dot këtë pasion. Dhe më e rëndësishmja është që Shqipëria sa vjen po rritet po shtohen, festat janë shumë të bukura, dhe si në në Korçë, siç jemi mbledhur sot, pjesëmarrja është fantastike. Shpresojmë të bëhet akoma më mirë vitet e tjera. Faleminderit dhe ju që që gjithmonë na na mbështetni dhe tregoni anën e mirë të motoristave, sepse motoristat vërtet janë njerëz me zemër të madhe. Jemi Free Spirits, sepse dhe në vetvete, në shpirt, në mentalitet, por dhe në jetën e përditshme na pëlqen liria. Unë pavarësisht se jam në profesion pak strikt, jurist, por përsëri pasioni për motorat dhe pasioni për lirinë është e e pallogaritshme.

Vetë jo, por mendoj që pasioni për motorin nuk e shmangin as frika, as ndoshta edhe aksidentet. Shpresojmë mos ketë asnjëherë, por fakti që në Shqipëri edhe mjetet lëvizin pak të pakujdesur, shpresojmë të ndërgjegjësohemi me kalimin e kohës dhe të gjithë të jemi sa më mire”, tha Sidheri.

Motoristët e huaj ishin gjithashtu pjesë e atmosferës. Italiani Roberto Lezzier, themelues i “North Eagles Biker Club”, thotë se miqësia me organizatorët i rikthen çdo vit në Korçë.

"Që nga viti 1972 unë ngas motorin dhe më pas kam pasur eksperienca të ndryshme me motorë dhe në klube. Dhe që nga viti 1995 kemi themeluar klubin tonë 'North Eagles Biker Club'. Është hera e dytë që vijmë këtu në Shqipëri, në Korçë, sepse kemi njohur Iljazin, i cili është djalë shumë i mirë. Ata vijnë tek ne dhe ne vijmë këtu, shumë shumë me dëshirë. Po, miqësia është diçka e bukur, si dhe të njohësh njerëz të rinj, klube të reja, realitete të reja me 'pretekstin' e festës. Kjo është gjëja më e mirë të njohësh njerëz të rinj. Atëherë, këtë vit jemi vetëm tre veta. Vitin e kaluar ishim shtatë ose tetë. Pothuajse të gjithë me motorë, sepse nuk jemi shumë. Dhe qëllimi ynë është të vijmë këtu dhe më pas të bëjmë një xhiro nëpër rrugë dhe pastaj të kthehemi, por na duhen disa ditë për këtë, sepse kemi edhe motorë të vjetër dhe kështu me radhë", tha themeluesi i “North Eagles Biker Club”.

Motoristi norvegjez Vidar Fossen rrëfen se kjo është hera e gjashtë që viziton Shqipërinë dhe se kultura e motoristëve në Korçë e ka bërë të rikthehet vazhdimisht.

"Ka qenë që nga viti 1983. Kështu që i bie nja 43 vite mbi motor, po. Jo, nuk është hera ime e parë në Korçë. Unë jam nga Norvegjia, nga veriu i Norvegjisë. Mendoj se kam qenë në Korçë nja pesë herë më parë. Kjo është hera ime e gjashtë këtu në Shqipëri. Më pëlqen shumë të qëndroj në Korçë. Kultura e motorëve këtu është absolutisht, absolutisht fantastike", tregoi Fossen.

Edhe Alexandri nga Shkupi, pjesë e klubit “Free Spirit”, mori pjesë për herë të parë në festival dhe e cilëson eksperiencën të paharrueshme.

"Unë vij nga Maqedonia, nga Shkupi. Ne jemi pjesë e një klubi motorësh që quhet 'Free Spirit'. Gjithashtu me ne kemi edhe miqtë tanë nga Kumanova, nga klubi i motorëve i quajtur 'Bears'. Për mua është hera e parë këtu. Është mjaft bukur dhe i falënderoj organizatorët. Çdo gjë duket shumë mirë dhe shpresoj që festa të jetë mjaft e këndshme. Është një histori e gjatë, por do të mundohem ta bëj të shkurtër. Mendoj se ka qenë viti 2012. Një mik imi ma dha motorin e tij. Ai e kishte blerë pasi kishte ndaluar së vozituri për disa vite dhe pastaj bleu një të ri e thjesht ma dha mua atë motor. Unë nuk kisha vozitur kurrë më parë. E provova, më pëlqeu dhe pastaj bleva një motor për veten time. Pra, në mënyrë aktive që nga viti 2012.  Ndjesia kur vozit është diçka që nuk mund ta shpjegoj. Vetëm po të jesh duke vozitur mund ta ndash këtë eksperiencë. Shkurtimisht, çdo 10 metra ndjen flladin, ndjen nxehtësinë, aroma të ndryshme, shije të ndryshme,është e mrekullueshme. Nuk mund ta shpjegoj, duhet ta provosh që ta dish", tha Alexandri.

Festës nuk i mungoi as muzika live. Këngëtarja Erina u ngjit për herë të parë në skenën e Korçës dhe shprehet se publiku korçar i ka lënë mbresa shumë të mira.

"Të them të drejtën, skena e Korçës ka qenë gjithmonë një dëshirë e imja, ndaj dhe erdha me gjithë qejf. Në vendet e mia, absolutisht. Por çdo gjë gjithmonë varet si e merr publiku, ashtu jam dhe unë mbrapa. Dhe gjithmonë ka emocione. Gjithmonë kam pasur mbështetje nga Korça në vetvete. Por çfarë, këtu janë njerëz të dashur me muzikën, kështu që më kanë lënë një ndjenjë shumë të mirë këto ditë", u shpreh këngëtarja.

Ndërsa këngëtari Rubin Kaso, mik i hershëm i klubit “Riders Legend Korça”, thotë se energjia pozitive e motoristëve është arsyeja pse rikthehet çdo vit.

"Është kënaqësi shumë e madhe. Si çdo vit, jemi me çunat e klubit "Legends Korça". Kemi kaluar shumë çaste shumë të bukura. Gjithë motoristat dhe jo vetëm çunat. Zakonisht jam një ndër atë pjesë të motoristave që ndodhem me të gjithë Shqipërinë, edhe jam shumë krenar dhe shumë i kënaqur që ndodhem në këtë festë të përvitshme. Gjithmonë zgjat! Edhe do të vazhdojë, do të zgjasë deri në mesnatë si gjithmonë. Edhe festat e tjera që do vijnë në Pogradec, 13-14 korrik, do na gjeni dhe atje me të njëjtën kënaqësi. Çdo vend ku shkon, ku ka njerëz të mirë, që transmetojnë energji pozitive, është gjithmonë bukur. Nuk ka rëndësi në Korçë, në Tiranë, në Pogradec apo në ndonjë vend tjetër. Rëndësi ka njerëzit me të cilët je parë, në qoftë se kanë energjinë e mirë dhe pozitive, gjithçka shkon për mrekulli", tha Kaso.

Në fund, ajo që mbetet nuk është vetëm zhurma e motorëve apo numri i pjesëmarrësve. Është miqësia e krijuar mes njerëzve që vijnë nga vende të ndryshme, por bashkohen nga i njëjti pasion. Për disa motori është liri, për të tjerë aventurë, traditë familjare apo mënyrë jetese.

Në Korçë, për një fundjavë, të gjitha këto u bënë pjesë e të njëjtit festival. Edicioni i shtatë i “Riders Legend Korça” dëshmoi se kjo ngjarje ka kaluar prej kohësh kufijtë e një takimi motoristësh. Ajo është kthyer në një festë që promovon qytetin, sjell vizitorë nga Shqipëria dhe jashtë saj, forcon lidhjet mes klubeve dhe i jep Korçës një tjetër aktivitet me rëndësi turistike e kulturore.

Dhe ndërsa motorët nisen sërish drejt qyteteve të tyre, mbeten kujtimet e një fundjave të mbushur me adrenalinë, muzikë, miqësi dhe premtimi se vitin e ardhshëm rrugët do t’i çojnë sërish në të njëjtin destinacion, Korçën. /CNA





Lajmet e fundit nga