web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Rilindja dhe 99-çat kërkojnë të tredhin Reformën në Drejtësi

7 Maj 2024, 18:20, Politikë CNA

Disa muaj pasi CNA raportoi lajmin e parë se mazhoranca po përgatiste një komision special për t’i bërë karshillëk SPAK-ut dhe institucioneve të pavarura, kryeministri Edi Rama sot e shpalli publikisht pas një fjalimi të gjatë. Rama shpërndau edhe një rezolutë, e cila nuk është as më shumë dhe as më pak paçavurja apo anti-reforma në drejtësi.

“Të përmirësojë rolin e tij ligjvënës, monitorues dhe mbikqyrës në funksion të mirëqeverisjes  në të gjitha nivelet, ekzekutive dhe ligjbërëse, qendrore e vendore, përmes mekanizmave dhe  rregullave që fuqizojnë respektimin e ligjit dhe rritjen e transparencës në vendimarrje, aksesin e  qytetarëve dhe gjithëpërfshirjen e shoqërisë civile në procesin legjislativ dhe vendimmarrjen e qeverisjes qendrore e vendore, parandalimin e konfliktit të interesit dhe lobimit për interesa private, thellimin e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike dhe kontrollin më të mirë ndaj tyre, përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës të pastërtisë së figurës së funksionarëve të lartë të zgjedhur ose të emëruar, forcimin e mekanizmave për kontrollin e integritetit të funksionarëve e zyrtarëve të të gjitha niveleve, ngritjen e mekanizmave funksional për transparencën financiare dhe zhvillimin e kulturës e qasjes demokratike të partive politike etj”, thuhet në një nga pikat e rezolutës.

Me këtë projekt-rezolutë dhe pikat e shpallura, qartazi një komision personal i Rilindjes dhe 99-çave të saj bëhet ligjvënës, monitorues, mbikëqyrës mbi qeverinë dhe Parlamentin dhe i jep vetes atributet që Kuvendi të dalë mbi KLGJ-në dhe KLD-në.

Rilindja dhe 99-çat kërkojnë të tredhin Reformën
Fotomontazh - 99-çat dhe “vullnetarët” e Enverit

Pra, kjo qeveri që flet me pathos për Reformën në Drejtësi gjen një instrument që të rrëzojë institucionet e drejtësisë.

Gënjejnë apo tallen me Reformën në Drejtësi?!

Për të kuptuar se çfarë po ndodh mjafton të shikojmë sjelljen e qeverisë, e cila na thotë se kemi bërë një Reformë të suksesshme në Drejtësi në çdo rast korrupsioni, skandali apo afere që hetohet nga SPAK-u.

Kur është e suksesshme pse duhet një reformë tjetër? Apo pse duhet të bëhet një komision i tillë që në finale sulmon në thelb Reformën në Drejtësi?

Kryeministri thotë se është i kënaqur me rezultatet dhe se ai nuk do të bashkëpunojë me korrupsionin. Por kur është i kënaqur pse duhet të dalë me një plan të ri?

Në fakt, kur je i këknaqur nuk bën plane të reja, nuk ndërhyn te reforma, nuk ndërhyn tek institucionet e saj, por me Ramën ndodh e kundërta.

Së pari, kryeministri deri tani nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi moral dhe politik. Edhe pse kërkon të bëjë të kënaqurin, Edi Rama me lojërat e tij ka dashur të heqë nga supet akuzat që i kanë ardhur nga ministrat e tij hajdutë.

Rilindja dhe 99-çat kërkojnë të tredhin Reformën
Kryeministri Edi Rama

Maksimumi i përgjegjësisë politike të tij është hakmarrja ndaj Safet Gjicit, i cili në fakt dëmin ekonomik e kishte 0 lekë, por më shumë kishte dëm moral dhe etik.

Nuk ka mbajtur përgjegjësi Edi Rama për asnjë nga hajdutët e qeverisë dhe nuk ka sesi të jetë i kënaqur, ndaj dhe po kërkon të fusë duart në Reformën në Drejtësi.

Së paku, është kjo që lexohet qartë, sepse mund të jetë edhe një nxjerrje në pritë e Erion Veliajt dhe Fatmir Xhafajt për t’i hequr qafe përfundimisht.

KPP-ja e Ramës, si kryesi e re e Rilindjes dhe 99-çave

Kompetencat e komisionit janë totalisht të paqarta, do bëjë ligje, do bëjë raporte, do mbikëqyrë, etj. Duket si një kryesi e re e Rilindjes dhe 99-çave për t’i qëndruar përballë SPAK-ut dhe institrucioneve të pavarura.

Opozita mungon, nuk ka pasur deri më trani asnjë rol në proces, Edi Rama e ka përgatitur vetë të gjithë me një grup besnikësh dhe kërkon që komisionin t’ja besojë enveristit të fundit dhe 99-çit të parë, Fatmir Xhafajt.

Rilindja dhe 99-çat kërkojnë të tredhin Reformën
Fatmir Xhafaj dhe Enver Hoxha

Në këtë komision opozita minimalisht duhet të kishte ekspertë të saj, të diskutohej, të shikoheshin pikat ku përputheshin palët, të përgatitej një draft, palët të diskutonin mbi draftin e kështu me radhë.

Asnjë nga këto nuk ndodhi, por njeriu që nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi politike dhe morale për gjakderdhjen financiare të Rilindjes, për hajdutërinë me inceneratorët, “5D”-në, tenderat koncesionet, etj. minimalisht po përpiqet të godasë SPAK-un me lloj lloj shpikjesh duke përdorur gjoja mbështetjen dhe luftën ndaj korrupsionit si armë kundër SPAK-ut dhe institucioneve të pavarura.

Edi Rama në këto 10 vite ka pasur qeverinë, ka pasur Parlamentin, ka pasur pushtetin vendor, ka Presidentin, ka nën kontroll jo pak struktura të sistemit të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, gjyqtarë pafund janë në mbështetje të mazhorancës dhe lind një pyetje:

Kur nuk bëri gjë ndaj korrupsionit në 10 vite në pushtet, pse do ta bëjë një vit para zgjedhjeve dhe në luftë kundër SPAK-ut?

Edi Rama ka krijuar një KPP të re me afat 3 vjeçar, kur në fakt mandati i Parlamentit i mbaron për 1 vit. Me KPP-në e re, Rama do një vetting të dytë ndaj drejtësisë që ka jashtë kontrollit dhe për këtë pas shfaqjes së shokëve duket se i ka shtrirë dorë Sali Berishës që ndodhet në ballkon, Ilir Metës që ka plot halle me drejtësinë e re, apo Lulzim Bashës.

Rilindja dhe 99-çat kërkojnë të tredhin Reformën
Fotomontazh - Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Në mos njërin apo tjetrin kryeministri kërkon që t’i ketë në skenarët e tij kundër SPAK-ut, Reformës në Drejtësi, që në fakt Edi Ramës i ka burgosur ministra, kryetarë bashkish, zyrtarë të lartë, ka në kërkim ish-zv.kryeministrin dhe duket se halli më i madh është që të mbahet gjallë dhe të shpëtojë Erion Veliajn.

Edi Rama thjesht po kërkon të luftojë korrupsionin duke krijuar instrumenta, që në fakt mbrojnë hajdutët e tij. Fakt është se po kërkohet të tridhet Reforma në Drejtësi.

Një njeri që për 10 vite megjithëse ka dhjetëra institucione për ta kontrolluar korrupsionin dhe nuk ka bërë asgjë, nuk ka çfarë të bëjë me shpikjet e tij që tregojnë frikën dhe panikun që ka nga SPAK-u./ CNA





Lajmet e fundit nga