web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Protestat në vend/ Rama: Flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat dhe korbat

18 Qershor 2026, 13:18, Politikë CNA

Protestat në vend/ Rama: Flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat dhe

Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim në rrjetet sociale në lidhje me protestat e ditëve të fundit në vend. Në reagimin e bërë, Rama shkruan se nëse qëllimet e mira nuk i nënshtrohen provës së fakteve, distanca mes mbrojtjes së parimit dhe shndërrimit në dogmë bëhet e shkurtër.

Rama shkruan se ka simpati të sinqertë për këdo që iu bashkua protestës nga alarmi i natyrës në rrezik.

Problemi, shkruan Rama, është se nuk pranohet të dëgjohen faktet dhe të diskutohen zgjidhjet për të mbrojtur atë që duhet dhe të realizohet projekti i duhur.

Kryeministri shprehet se ata që iu bashkuan protestës për qëllime të mira, janë të rrethuar nga sorra që shpifin, bëjnë zhurmë dhe ngrenë teori konspirative.

 

 

Reagimi i Ramës

 

RRUGA PËR NË FERR ËSHTË E SHTRUAR ME QËLLIME TË MIRA, thotë një fjalë shumë e moçme, dhe ka një arsye pse kjo shprehje ka mbijetuar për shekuj.

Ajo nuk i zhvlerëson qëllimet e mira. Përkundrazi. Qëllimet e mira janë A-ja e domosdoshme për krejt alfabetin e etikës së angazhimit publik. Por rruga e njerëzimit na mëson se qëllimet e mira assesi nuk mjaftojnë. Përkundrazi.

Historia është plot me zhvillime të nisura me sloganet më fisnike dhe emocionet më të sinqerta, por të përfunduara në intolerancë, fanatizëm apo shkatërrim, si rezultat i këputjes së lidhjes së perceptimit me realitetin, imagjinatës me faktet dhe shqetësimit me arsyen.

Prandaj nëse qëllimet e mira nuk i nënshtrohen provës së fakteve, nëse pasioni për ndryshim nuk drejtohet nga arsyeja dhe nëse bindjet e forta nuk shoqërohen me dëshirën për të dëgjuar, distanca mes mbrojtjes së një parimi, një qëllimi apo një kauze dhe shndërrimit të tyre në dogmë përjashtuese bëhet shumë e shkurtër. Dhe mu kështu, rruga për në ferr nuk shtrohet me qëllime të këqija, por me qëllime të mira që nuk pranojnë të maten me realitetin.

Unë kam simpati të sinqertë për këdo që në këtë protestë hyri nga alarmi i natyrës në rrezik. Madje kjo formë estetike e demonstrimit, me siluetat e flamingove rozë, më gëzon me hijeshinë që përndryshe do t’i mungonte një proteste qytetare për natyrën të kthyer ngutshëm në një demonstrim politik të skamur në ide, të varfër në argumenta, të degraduar në fjalor dhe të shëmtuar në bullizmin e tij rrugor apo digjital ndaj kujtdo që mendon ndryshe.

Por pikërisht kjo fotografi e bukur, më rikthen tek fjala e urtë e fillimit dhe “rruga e ferrit”.

Sepse problemi nuk janë flamingot. Qëllimi i tyre është i mirë. Problemi është se flamingot nuk pranojnë të dëgjojnë faktet, të diskutojnë zgjidhjet dhe të bashkërendojnë forcat me institucionet dhe me burimet serioze të ekspertizës, për të mbrojtur gjithçka duhet duke realizuar projektin e duhur. Kësisoj ata bëhen vegla e sorrave dhe korbave që i kanë rrethuar.

Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi. Ajo që nuk arrij të kuptoj është pse flamingot nuk duan të ndahen nga sorrat që ushqehen me zhurmën, me shpifjen, me teoritë konspirative dhe korbat që me bullizmin e me refuzimin kategorik të çdo fakti, kërkojnë të marrin peng Shqipërinë?!

Flamingot nuk e humbasin  bukurinë e tyre nëse angazhohen në diskutimin e dobishëm për të ardhmen e zonës dhe rrugën e zhvillimit të Shqipërisë. Ndërsa sorrat dhe korbat mbeten thjesht e vetëm ata që janë, qysh prej 28 nëntorit të 1912-ës kur morën rolin e hijes që përndjek Shqipërinë, por pa shans që të shtrojnë një rrugë ferri me qëllimet e mira të flamingove…





Lajmet e fundit nga