web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

PD kundër deklaratave të Marta Kos: Po mbështetet tek informacionet e rreme të Ramës

17 Qershor 2026, 21:57, Politikë CNA

PD kundër deklaratave të Marta Kos: Po mbështetet tek

Partia Demokratike ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, lidhur me projektin turistik në zonën e Zvërnecit. Në qëndrimin e saj, PD akuzon komisioneren se ka rënë pre e një informacioni të pasaktë dhe të manipuluar nga ana e qeverisë shqiptare.

Sipas Partisë Demokratike, deklaratat e Kos nuk reflektojnë realitetin e rëndë në të cilin ndodhet vendi, por përkundrazi i shërbejnë përpjekjes së kryeministrit Edi Rama për t’i dhënë legjitimitet një projekti të kontestuar.

“Lidhur me Deklaratën e Komisioneres për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, zonjës Marta Kos, për krizën e rëndë që po kalon vendi ynë, Partia Demokratike shpreh shqetësimin dhe thekson se ajo është e bazuar në informacionet e rrejshme paraqitur nga miku i saj Edi, dhe jo në realitetin ekzistues në vend.

Ajo deklaratë injoron krizën e rëndë që ka mbërthyer Shqipërinë dhe i shërben Edi Ramës dhe jo zgjidhjes së krizës, përkundrazi e acaron dhe e thellon edhe më shumë”,  thuhet në reagimin e PD.

Në vijim të këtij qëndrimi, selia blu ka përsëritur mbështetjen e saj të plotë ndaj protestave që po zhvillohen prej më shumë se dy javësh në kryeqytet. Partia Demokratike thekson se pesë kërkesat e artikuluara nga protestuesit janë thelbësore dhe kushti i vetëm për një zgjidhje paqësore të krizës aktuale që ka mbërthyer vendin.

“Partia Demokratike mbështet plotësisht 5 kërkesat e drejta të protestuesve si kushte për zgjidhjen paqësore të krizës”, nënvizon PD.

Kjo përplasje retorike vjen në një kohë kur Komisionerja Marta Kos, gjatë qëndrimit të saj në rajon, deklaroi se KE ka marrë garanci nga autoritetet shqiptare për respektimin e standardeve mjedisore në projektin e Zvërnecit./ CNA





Lajmet e fundit nga