web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Inflacioni sipas Eurostat: Çmimet në Shqipëri rriten me 3,3% në maj, arrin mesataren e BE-së

17 Qershor 2026, 14:53, Ekonomi CNA

Inflacioni sipas Eurostat: Çmimet në Shqipëri rriten me 3,3%

Ekonomia shqiptare po përballet me një rritje të re të presioneve inflacioniste, e nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i ndjeshëm i aktiviteteve të argëtimit dhe shërbimeve të hoteleri-turizmit.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) për muajin Maj 2026, inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) arriti në 3,3%.

Ky tregues dëshmon për një rigjallërim të rritjes së çmimeve, duke u ngjitur në nivelin më të lartë të muajve të fundit, pas një periudhe relativisht më të qëndrueshme të regjistruar përgjatë vitit të kaluar. Edhe në terma mujorë, çmimet e konsumit shënuan një rritje prej 0,2% krahasuar me muajin prill, çka konfirmon tendencën rritëse afatshkurtër të kostove për konsumatorët.

Nëse e krahasojmë ecurinë e Shqipërisë me kontinentin, vendi ynë ndodhet tashmë ekzaktesisht në të njëjtin nivel me mesataren e Bashkimit Evropian, ku inflacioni i harmonizuar për bllokun prej 27 shtetesh u llogarit gjithashtu në 3,3% për muajin maj.

Megjithatë, harta evropiane e çmimeve mbetet e ndarë. Shqipëria pozicionohet diku në mesin e kësaj renditjeje, duke lënë pas vende me inflacion shumë më të lartë si Rumania, e cila kryeson listën me një rritje vjetore të çmimeve që i afrohet kufirit të 10%, e pasuar nga Bullgaria dhe Lituania.

Në krahun tjetër, presione shumë më të lehta inflacioniste po ndiejnë vendet e Evropës Veriore dhe Perëndimore, ku Suedia dhe Zvicra mbyllin listën me një normë inflacioni që mezi i kalon ose qëndron poshtë nivelit 1%.

Analiza e hollësishme e grupeve kryesore të konsumit brenda vendit tregon se motori kryesor i shtrenjtimit të jetesës nuk po vjen më nga mallrat bazë, por nga shërbimet dhe stili i jetesës. Rritjen më të hovshme vjetore e shënoi grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, çmimet e të cilit fluturuan me 7,3%. Ky grup u pasua nga “Pije alkoolike dhe duhan” me një shtrenjtim prej 4,8% dhe “Transporti” me 4,2%.

Edhe sektori i hotelerisë dhe restoranteve ka reflektuar rritje të ndjeshme të çmimeve me 3,4%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike u rritën me 3,3%, duke qëndruar në linjë me mesataren e përgjithshme. Në krahun tjetër, stabilitet më të lartë treguan veshjet, këpucët dhe shërbimet e komunikimit, të cilat u rritën me vetëm 0,6% në terma vjetorë.

Megjithatë, kur analizojmë peshën specifike që çdo grup ka në buxhetin e familjeve, ushqimet mbeten përgjegjëset kryesore për paratë që dalin nga xhepat e qytetarëve.

Për shkak të peshës së tyre të madhe në shportën e indeksit të harmonizuar, ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë ndikimin më të madh në inflacionin total me 1,14 pikë përqindje. Shërbimet e restoranteve dhe akomodimit kontribuan me 0,50 pikë përqindje, të ndjekura nga argëtimi dhe kultura me 0,46 pikë përqindje.

Nga pikëpamja mujore, argëtimi dhe aktivitetet kulturore udhëhoqën shtrenjtimin me 1,8% më shumë se në prill, ndërsa veshjet dhe ushqimet pësuan një rënie të lehtë mbrapsht, respektivisht me 0,4% dhe 0,3%, duke zbutur disi hovin e rritjes mujore.

Ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) që është matësi zyrtar kombëtar dhe mbulon vetëm familjet private rezidente, Indeksi i Harmonizuar (IHÇK) që përdoret për krahasimet evropiane përfshin brenda territorit edhe shpenzimet e popullatës kolektive si dhe ato të turistëve të huaj, çka e bën këtë tregues mjaft të ndjeshëm ndaj dinamikave të sezonit turistik që po pritet të nisë./Monitor 





Lajmet e fundit nga