web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Turizmi, hapet tenderi për zhvillimin e aftësive, pjesë e programit 106 mln euro

17 Qershor 2026, 07:15, Ekonomi CNA

Turizmi, hapet tenderi për zhvillimin e aftësive, pjesë e

Në një sektor ku numri i vizitorëve po vijon të rritet më shpejt se kapacitetet për t’i shërbyer, nevoja për të zhvilluar aftësisë e njerëzve që e mbajnë në këmbë këtë sektor është e madhe.

Pikërisht këtë synon të vendosë në fokus procedura e hapur së fundi në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH). Konkretisht bëhet fjalë për “Zhvillimin e aftësive profesionale në sistemet lokale të turizmit”, pjesë e programit “Albania Infrastructure and Tourism-Enabling Programme” (Programi për Infrastrukturën dhe Mundësimin e Turizmit në Shqipëri).

Procedura ka si klient Fondin Shqiptar të Zhvillimit që është edhe agjencia zbatuese e programit dhe parashikon shërbime konsulence për hartimin dhe zbatimin e programeve të trajnimit profesional në territoret pilot të projektit.

Sipas njoftimit, objektivi është forcimi i bazës së aftësive dhe rritja e punësueshmërisë në sistemet lokale të turizmit, duke adresuar boshllëqet e identifikuara nga vlerësimi i nevojave për aftësi profesionale.

Tenderi do të zhvillohet si procedurë e hapur ndërkombëtare me dy zarfe. Afati për dorëzimin e ofertave është 3 gusht 2026, ora 12:00.

Ky komponent është pjesë e një programi më të gjerë financimi prej rreth 106 milionë eurosh. BERZH ka dhënë një hua sovrane deri në 60 milionë euro për qeverinë shqiptare, ndërsa Bashkimi Europian bashkëfinancon programin me një grant investimesh prej 46 milionë eurosh.

Programi synon të mbështesë zhvillimin e turizmit nëpërmjet investimeve në infrastrukturë, trashëgimi kulturore, site natyrore dhe ekonomi lokale në zona me potencial turistik, përfshirë Beratin, Korçën, Shkodrën dhe Fierin.

Në kuadër të tij janë përfshirë projekte për rehabilitimin e siteve të trashëgimisë kulturore dhe historike, përmirësimin e siteve natyrore, rrugëve dhe infrastrukturës komunale, si dhe mbështetjen e zinxhirit lokal të vlerës në turizëm.

Programet e trajnimit që janë në fokus këtë herë pritet të lidhen drejtpërdrejt me nevojat e tregut, duke synuar që investimet në destinacione dhe infrastrukturë të shoqërohen me shërbime më të kualifikuara në sektorin e turizmit./Monitor.al





Lajmet e fundit nga