Raporti për vitin 2025/ Braho: Janë sekuestruar 16 milionë euro pasuri

Kreu i SPAK-ut, Klodjan Braho, ka raportuar ditën e sotme për veprimtarinë e institucionit që ai drejton për vitin 2025 në Komisionin e Ligjeve.
Ndër të tjera, Braho foli edhe për raportet e sekuestrimit, ku tha se plani fillestar i SPAK-ut është goditja e pasurive brenda hetimit penal.
Ndërsa si plan B, tha kreu i SPAK-ut, është zbatimi i ligjit antimafia.
Kreu i SPAK-ut tha se në këtë vit janë kryer 4 konfiskime që e kalojnë në total shifrën 400 milionë euro, të gjitha të kryera breda hetimit penal. Pavarësisht këtyre statistikave, tha Braho, kjo nuk tregon që ligji antimafia është i padobishëm.
Sa i përket vitit 2025, Braho tha se sipas Kodit Penal janë sekuestruar pasuri me vlerë 16 milionë euro si dhe janë konfiskuar pasuri me vlerë 1 milion euro.
“Për sa u përket raporteve të sekuestrimit, ne i zbatojmë të dyja mënyrat e sekuestrimit dhe të konfiskimit. Në sjelljen tonë dhe në objektivin tonë, plani A, plani i parë është goditja e pasurive brenda hetimit penal sepse ai është qëllimi kryesor. Zbatimi i ligjit antimafia është plani B, plani rezervë, atë që teoria e quan binar i dyfishtë. Por balancat mund të ndryshojnë në një vit të caktuar për shkak të peshës që mund të ketë një dosje e caktuar. Për shembull, në këtë vit ne kemi katër konfiskime që kalojnë në total rreth 400 milionë euro, mbi 400 milionë euro deri tani. Pra duhet të kujtojmë që buxheti i SPAK-ut është gjithsej 15 milionë euro në vit. Që janë të gjitha të kryera brenda hetimit penal. Po kjo nuk do të thotë që ligji antimafia është i padobishëm për ne. E kemi marrë në konsideratë edhe atë kontrollin post-legjislativ, ne kemi kthyer një përgjigje me shkrim dhe mendojmë që ka nevojë për përmirësime të vogla, por ky institut i sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive duhet të vazhdojë dhe është i domosdoshëm për shtetin dhe për organet e drejtësisë. Të sekuestruara për vitin 2025 sipas kodit të procedurës penale janë pasuri në vlerën rreth 16 milionë euro. Sipas ligjit antimafia janë 14 milionë euro. Të konfiskuara sipas kodit të procedurës penale janë 1 milion euro. Sipas ligjit antimafia janë 850 mijë euro. Por janë të përshkruara hollësisht në raport, në kapitullin përkatës që bën fjalë për sekuestrimit dhe konfiskimet, në faqen 50-55 të raportit vjetor”, tha Braho.



