LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Basti i rrezikshëm i Varshavës/ Ndikimi në ndihmat ushtarake ndaj Ukrainës

23 Shtator 2023, 15:27, Blog CNA

Basti i rrezikshëm i Varshavës/ Ndikimi në ndihmat ushtarake ndaj

Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) në Poloni po zhvillon betejën e saj politike të jetës përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit, dhe në përpjekjen e saj për të mbledhur sa më shumë vota, po synon të godasë edhe aleancën e vendit me Ukrainën.

Goditja e fundit erdhi nga kryeministri Mateush Moraviecki, që deklaroi të mërkurën se Polonia i ka ndërprerë dërgesat e saj me armë drejt Ukrainës. “Ne nuk po transferojmë më armë në Ukrainë, pasi tani po e armatosim Poloninë me armë më moderne”- deklaroi Moraviecki për televizionin shtetëror polak Polsat.

Është e vërtetë që deri më sot Polonia ka dërguar në Ukrainë shumicën e tankeve dhe armëve të tjera të epokës sovjetike, dhe nuk i kanë mbetur edhe shumë nga rezervat e saj. Po ashtu Varshava do të vazhdojë të lejojë të kalojnë nëpër territorin e saj dërgesat e armëve nga aleatët e tjerë.

“Polonia funksionon ende si një qendër e shpërndarjes së ndihmës ndërkombëtare”- tha zëdhënësi i qeverisë Piotër Myler, duke shtuar se vendi po i respekton kontratat ekzistuese

të furnizimit ushtarak të Ukrainës. Por komentet e Moravieckit vijnë në një kohë kur marrëdhëniet midis Varshavës dhe Kievit janë në pikën më të ulët që nga pushtimi i

Rusisë 1 vit e gjysmë më parë, dhe po shtojnë përshtypjen se partia nacionaliste po e

minon aleancën e saj me Ukrainën për përfitime të ngushta elektorale.

“Moraviecki nuk po thoshte asgjë që nuk ishte tashmë e dukshme...Por ta thuash këtë në një kohë të tillë e përshkallëzon konfliktin”- shprehet Marsin Zaborovski, drejtor me grupin e ekspertëve Globsec. Dhe molla e sherrit është gruri. Polonia, Hungaria dhe Sllovakia i kanë mbyllur tregjet e tyre për importet e grurit ukrainas, në kundërshtim me rregullat e tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian, dhe me justifikimin se duhet të mbrojnë fermerët e tyre nga rënia e çmimeve.

Ukraina është kundërpërgjigjur duke ngritur një padi kundër tyre në Organizatën Botërore të Tregtisë. Po ashtu Kievi ka kërcënuar të bllokojë disa eksporte bujqësore polake në Ukrainë.

Presidenti Volodimir Zelenski iu drejtua këtyre vendeve gjatë fjalës që mbajti në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara këtë javë, duke thënë:”Është alarmues fakti që disa vende në Evropë po luajnë me solidaritetin në një lloj teatri politik, duke e kthyer në një thriller çështjen e drithit... Në këtë mënyrë ata po luajnë në favor të Moskës”.

Presidenti polak Andrzej Duda anuloi një takim me Zelenskin në Nju Jork, ndërsa ambasadori ukrainas në Varshavë u thirr në Ministrinë e Jashtme për të dhënë shpjegime. Moraviecki i cilësoi si të “vështira” marrëdhëniet aktuale me Kievin.

Në Poloni, arsyeja kryesore e kësaj lëvizje, është nevoja e PiS për të rritur mbështetjen e saj tek votuesit e zonave rurale, dhe për t’i distancuar përkrahësit nga partia e ekstremit të djathtë Konfederata, të cilat janë në përgjithësi skeptikë për ndihmën që po i jepet Ukrainës.

“Ukrainasit e shfrytëzuan në mënyrë të pamëshirshme faktin që qeveria polake ishte një vasale, përfituan nga solidariteti i saj, morën paratë tona, dhe tani do të na shpallin luftë tregtare”- tha për mediat vendase kreu i Konfederatës, Slavomir Mentzen.

Jaçek Kusharzik, kreu i Institutit për Çështjet Publike, një institut me qendër në Varshavë, e cilësoi ndryshimin e qasjes nga partia në pushtet si “një marifet të dëshpëruar elektoral”. Në sondazhin e fundit të POLITICO -s, doli se PiS ka mbështetjen e 38 për qind të votuesve, ndërsa Koalicioni Qytetar, partia kryesore opozitare, renditet e dyta me 29 për qind.

Nëse sondazhi vërtetohet ditën e zgjedhjeve, Partia Ligj dhe Drejtësi nuk do të ketë vende të mjaftueshme në parlament për të qeverisur vetë, ndaj do të detyrohet të formojë një koalicion.

Skenari më i mundshëm është ai me Konfederatën, edhe pse kjo e fundit ka thënë paraprakisht se nuk do të bashkojë forcat me PiS.

Por tendencat për këtë të fundit janë shumë shqetësuese. Qeveria është goditur nga skandali i dhënies së vizave në këmbim të ryshfetit, për të cilën i është kërkuar shpjegime nga Komisioni Evropian. Një sondazh i ri nga “United Surveys”, tregon se nëse bashkohen partitë kryesore opozitare, ato do të jenë në gjendje të krijojnë një qeveri të shumicës pas zgjedhjeve të 15 tetorit.

Kthimi kundër Ukrainës mund të ndihmojë në forcimin e një pjese të bazës elektorale të PiS. Por mund të shkaktojë probleme të tjera. Sepse kjo qasje e dëmton suksesin kryesor të qeverisë aktuale në politikën e jashtme. Pas vitesh konfliktesh të ashpra me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë kyç mbi sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe dobësimin e standardeve demokratike, mbështetja e fortë e Polonisë për Ukrainën, e ndryshoi narrativën në Bruksel dhe në Uashington.

Miliona polakë të zakonshëm, i ndihmuan refugjatët ukrainas që iknin përtej kufirit menjëherë pas sulmit rus. Qeveria polake dërgoi tanke dhe avionë luftarakë në Ukrainë, në një kohë kur shumë vende të tjera po pengonin dërgimin e pajisjeve të tilla nga frika e hakmarrjes ruse.

Sondazhet tregojnë se në vend ka ende mbështetje të fortë për ta ndihmuar Ukrainën, dhe treçereku i polakëve duan të pranojnë refugjatët ukrainas. “Ekziston rreziku që votuesit e PiS që e mbështesin gjerësisht politikën pro-Ukrainase të mos e kuptojnë dot një ndryshim  kaq të shpejtë të politikës”- thotë Kusharzik.

PiS ka luajtur në të kaluarën me skepticizmin për Ukrainën - duke ngritur çështjen e masakrave të polakëve gjatë kohës së luftës nga guerilët nacionalistë ukrainas - por mesazhi kryesor ishte se Polonia është miku më i fortë i Ukrainës. Ndryshimi i narrativës po mirëpritet në Moskë. Në Nju Jork, Duda e krahasoi Ukrainën me një “njeri të dëshpëruar e të mbytur”.

“Një i mbytur është shumë i rrezikshëm, pasi ai mund ta tërheqë deri në thellësi…dhe ta mbytë atë që po e shpëton”- tha Duda. Kjo deklaratë u prit me entuziazëm nga Kremlini. “Asnjëherë më parë nuk jam pajtuar me Dudën aq fort sa pas kësaj deklarate. Gjithçka që tha ai është e saktë”- deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova. Nga Jan Cienski “Politico.eu”/ Pershtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga