LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Digat që rrezikojnë të shkaktojnë katastrofa

22 Shtator 2023, 18:19, Blog CNA

Digat që rrezikojnë të shkaktojnë katastrofa

Shembja e dy digave në Libi, që shkaktoi një përmbytje të madhe dhe shkaktoi vdekjen e të paktën 3.000 njerëzve teksa 4.200 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, ishte sa e parashikueshme aq edhe e parandalueshme.

Dhe nëse nuk nxjerrim nga përdorimi ose riparojmë disa nga strukturat e vjetruara, që e kanë kaluar prej kohësh datën e skadencës, ato nuk do të jenë digat e fundit të mëdha që do të shemben. Ashtu si shumë diga në mbarë botën, digat Uadi Derna në Libi u ndërtuan në vitet
1970 gjatë epokës së madhe globale të ndërtimit të digave, kur çdo vit ngriheshin të paktën 1000 diga të mëdha.

Tani shumica e këtyre digave janë në fazën e fundi të jetëgjatësisë së tyre. Detajet mbi shkaqet e katastrofës janë duke u zbuluar hap pas hapi, por shembja e digës në Libi, duket se është shkaktuar nga mos mirëmbajtja por edhe monitorimi i dobët i rezervuarëve që u pushtuan nga një stuhi e madhe shiu.

Paralajmërimet serioze u bënë vitin e kaluar mbi gjendjen e përkeqësuar të digave dhe mbi nevojën e riparimeve urgjente për të shmangur një skenar të tillë. Mjerisht nuk u ndërmor asnjë masë. Katastrofa të ngjashme pritet të ndodhin në mbarë botën.

Rreziku më i madh është në Indi dhe Kinë, ku 28.000 diga të mëdha janë ndërtuara që në mesin e shekullit XX-të dhe sot janë vjetruar shumë. Diga Mulaperijar në Kerala të Indisë është mbi 100-vjeçare. Ajo ka dëmtime të dukshme dhe ndodhet në një rajon të prirur ndaj
tërmeteve të forta.

Shembja e saj do të prekte mbi 3.5 milionë njerëz në rrjedhën e poshtme të lumit. Në Shtetet e Bashkuara, që janë dhe ndërtuesi i dytë më i madh i digave pas Kinës, mosha mesatare e digave është 65 vjeç, dhe rreth 2200 struktura të tilla janë shumë të rrezikuara që të shemben.

Ligji i fundit mbi infrastrukturën, ka ndarë 3 miliardë dollarë në vit për mirëmbajtjen e disa prej tyre. Por ndërkohë janë mijëra diga të tjera, për të cilat qeveria federale nuk mban ndonjë përgjegjësi. Riparimi i tyre do të kushtojë rreth 76 miliardë dollarë. Rreziqet nga vjetërsimi i
digave përbëjnë një shqetësim i veçantë sidomos përballë ndryshimeve klimatike.

Digat janë projektuar për t’i bërë ballë kushteve më të këqija natyrore. Por ato që konsideroheshin dikur si ngjarje atmosferike që ndodhnin një herë në shekull, kanë filluar të ndodhin më shpesh, duke i vënë digat në një rrezik të madh të shembjes ose të dobësimit të ndjeshëm të strukturës së tyre.

Përpara katastrofës në Libi, moti ekstrem i përkeqësuar nga ndryshimet klimatike po sillte tashmë një ndikim negativ tek këto struktura. Reshjet e mëdha e dëmtuan digën e vjetër Orovil në Kaliforni në vitin 2017, duke shkaktuar evakuime masive për shkak të frikës nga shkarkimet e pakontrolluara të ujit.

Një pjesë e akullnajës së Himalajeve, shkatërroi një digë dhe dëmtoi një tjetër në Indinë Veriore në vitin 2021, duke vrarë dhjetëra njerëz. Akullnajat që shkrijnë me shpejtësi si rezultat i ngrohjes globale, përbëjnë sot një rrezik më të madh sigurie për digat dhe komunitetet që jetojnë poshtë tyre.

Qasja e zakonshme në këtë aspekt, ka qenë riparimi i digave të vjetruara aty ku është e nevojshme, monitorimi i niveleve të rezervuarëve dhe përpjekja për të parashikuar reshjet dhe
rritjen e prurjeve nga rrjedha e sipërme. Marrim shembullin e digës Kariba në lumin Zambezi në Afrikën jugore, e cila po i nënshtrohet riparimeve të shumta për të parandaluar shembjen e saj, pasi u zbulua se shtrati i lumit poshtë saj ishte dëmtuar shumë.

Me një kosto prej 300 milionë dollarësh, këto riparime kërkohen vetëm për të mbajtur digën në këmbë mbi një lumë ku prodhimi i energjisë hidroelektrike ka rënë djeshëm për shkak të thatësirave. Projekte të tilla janë dukshëm më të shtrenjtë në një periudhë afatgjatë sesa zbrazja e tyre graduale dhe shkatërrimi nga njeriu i digave që tashmë janë të vjetruara. Ndërsa disa diga të vjetruara furnizojnë ende me ujë të pijshëm dhe i ndihmojnë fermerët të ujitin fushat e tyre, shumë prej tyre që janë ndërtuar enkas për hidrocentrale, prodhojnë vetëm
një pjesë të energjisë elektrike që prodhonin dikur, pasi pas mureve të tyre grumbullohet një sasi e madhe sedimentesh.

Shtimi i thatësirave për shkak të ndryshimeve klimatike, e ka pakësuar prodhimin energjitik të hidrocentraleve në të gjithë botën, duke çuar në racionimin e energjisë dhe ndërprerjet e energjisë në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe Brazil, ndaj është gjithnjë e më e vështirë të
justifikohet ekzistenca e shumë digave.

Për këtë arsye ka disa lëvizje në rritje, shpesh të udhëhequra nga banorët lokalë dhe popullsi të tjera të margjinalizuara, për t’i hequr ato. Heqja e digave dhe restaurimi i lumenjve po rritet me shpejtësi në Evropë. Lumenjtë në këtë kontinent janë ndër më të fragmentuarit në botë dhe kanë përjetuar rënie të mëdha të biodiversitetit të ujërave të ëmbla.

Projekti i restaurimit të lumit Meuze në Holandë, që përfshin restaurimin e zonave të tij të përmbytura për të trajtuar problemin e përmbytjeve dhe thatësirave, pritet që të reduktojë përmbytjet ekstreme nga 1 herë në një shekull në një herë në 250 vjet. Katastrofa e digave në Libi është një sirenë alarmi për digat e tjera të vjetruara në mbarë botën. Mjeti ynë më i mirë për t’u mbrojtur nga ngjarje të tilla është çmontimi i tyre i plotë. Nga Josh Klemm & Isabella Winkler “New York Times’/ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga