LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si duhet të mbështesë BE-ja integrimin e Ballkanit Perëndimor, para se të jetë vonë?

22 Shtator 2023, 18:02, Blog CNA
Si duhet të mbështesë BE-ja integrimin e Ballkanit
Njerëzit kalojnë bulevardin "Dëshmorët e Kombit", të dekoruar me flamuj shqiptarë dhe të BE-së, si dhe portrete të personaliteteve që patën një kontribut në avancimin e Bashkimit Europian, në Tiranë

Në fjalimin e saj të fundit mbi Gjendjen e Bashkimit si presidente e Komisionit Evropian, Ursula Von der Lejen deklaroi se Bashkimi Evropian duhet t'i përgjigjet “thirrjes së historisë”, dhe të pranojë një grup të madh anëtarësh të rinj, përfshirë ato nga Ballkani Perëndimor.

Dhjetë ditë më parë, presidenti i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, u përpoq të entuziazmonte liderët e Ballkanit Perëndimor duke deklaruar para tyre: “Ka ardhur koha të hiqet dorë nga qëndrimet e paqarta… Unë besoj që të dyja palët duhet të jemi gati për zgjerimin e ardhshëm
që duhet të ndodhë deri në vitin 2030”.

Megjithatë, asnjëra palë nuk është gati. BE-ja po nguron që të zgjerohet, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor hezitojnë që të reformohen. Por, ndërsa Kremlini vazhdon përpjekjet e tij për ta ri-orientuar rajonin drejt Rusisë, institucionet e BE-së duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj urgjence strategjike për t’i dhënë përparësi integrimit të rajonit në union.

Në fjalimin e saj, zonja Von Der Lejen i bëri jehonë një opinioni popullor në BE, sipas të cilit ky zgjerim duhet të jetë i bazuar kryesisht tek meritat. Por nevojitet një zotim më konkret dhe kjo duhet të bëhet përmes një qasje të përshkallëzuar. Që nga samiti i Selanikut i vitit 2003, që arriti në përfundimin se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor “do të bëhen pjesë integrale e BE-së” sapo të përmbushin kriteret e vendosura të Kopenhagës, angazhimi i Brukselit për zgjerim ka hasur në shumë pengesa. Mosmarrëveshjet dypalëshe (deri disa vite më parë midis Greqisë dhe Maqedonisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, dhe sot midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut), i kanë dëmtuar marrëdhëniet diplomatike midis vendeve anëtare dhe Ballkanit Perëndimor, ndërsa mosnjohja e Kosovës nga 5 vende anëtare të BE-së i ka zbehur shpresat për anëtarësim.

Dhe një ndryshim i metodologjisë së zgjerimit nën presionin e Francës në vitin 2018, e ngadalësoi më tej procesin. Njëkohësisht, 6 vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor - Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia - kanë bërë hapa prapa në një sërë sektorë të rëndësishëm ku kërkohen reforma: demokracia,
sundimi i ligjit, liria e medias, luftimi i korrupsionit dhe ndërtimi i një ekonomie të tregut funksionale.

Vëzhguesit i kanë kritikuar këto vende se po shndërrohen në “stabilitokraci”, dhe vetë BE-për mos pasjen e një qasje më të ashpër kundër tendencave të tyre autokratike. Kjo prirje paraqet një rrezik të madh sigurie për BE-në. Sepse këto qeveri kanë më shumë gjasa të kërkojnë hua ose investime nga partnerët që nuk i bashkëngjiten reformave.

Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë kërkuar tashmë partnerë alternativë si Rusia, Turqia dhe Kina, ndikimi autoritar i të cilave ka të ngjarë të dobësojë më tej demokracitë e tyre dhe ta zbehë besnikërinë e tyre gjeopolitike ndaj Bashkimit Evropian.

Në 20 vitet që nga samiti i Selanikut, mungesa e angazhimit të BE-së ndaj zgjerimit dhe hapat prapa që kanë bërë shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kanë kthyer procesin në një rreth vicioz justifikimesh dhe zhgënjimesh për të dyja palët. Duke shpallur si afat konkret vitin 2030, ekipi i Mishel shpreson që të thyejë këtë rreth. Sipas tij kjo datë “është ambicioze por edhe realiste... ajo është mjaftueshëm afër për t’u ndjerë e arritshme dhe e vlefshme për investimin politik nga udhëheqësit e zgjedhur në shtetet kandidate”.

Për më tepër, vullneti politik në BE për integrimin e Ukrainës dhe Moldavisë, si rezultat i pushtimit rus, ka ringjallur argumentet rreth zgjerimit. Por shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbështeten në zbutjen e kritereve të zgjerimit për shkak të momentit aktual
gjeopolitik.

Përkundrazi, mënyra më e mirë do të ishte që çdo shtet, duke zbatuar reformat e kërkuara, të jetë në gjendje të përparojë me ritmin e vet nëpërmjet një anëtarësimi me faza, në vend të qasjes aktuale ku një vend është ose jo shtet anëtar i unionit. Një anëtarësim i skeduluar
do të rindërtonte besimin e vendeve kandidate mbi proceset e bazuara në merita, dhe kjo formulë po debatohet tashmë në shumë kryeqytete evropiane.

Megjithatë, BE-ja duhet të kapërcejë mosmarrëveshjet midis vetë shteteve anëtare se si t’i bëjë më fleksibël institucionet e saj dhe më të mirë-pajisura për një zgjerim të përshkallëzuar. Një paketë bazë duhet të përfshijë të paktën elementë si pjesëmarrja në tregun e përbashkët, integrimin e plotë me axhendën klimatike të BE-së (përfshirë qasjen
në instrumentet financiare të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane) dhe qasjen në fondet strukturore të BE-së (të plota ose të pjesshme).
Kjo nismë duhet të ketë si parakusht përafrimin e plotë të kandidatëve me politikën e jashtme të BE-së dhe duhet të vijë nga Këshilli Evropian (jo Komisioni Evropian) si një shenjë e një angazhimi politik të fortë.

Disa shtete anëtare druhen se një proces i shpejtë anëtarësimi
mund të sjellë në union udhëheqës të tjerë që kundërshtojnë vlerat themeltare të BE-së, siç është kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili bllokon vazhdimisht miratimin e ligjeve të unionit.

Për ta parandaluar këtë gjë, Mishel ka propozuar marrjen e 2 masave. E para, është një “klauzolë besimi”, ku anëtarët e rinj nuk mund të bllokojnë anëtarët e ardhshëm; dhe e dyta, është metodë e “abstenimit konstruktiv”, që buron nga abstenimi neutral i Austrisë në diskutimet e BE-së në lidhje me Lehtësimin Evropian për Paqen, që paguan dërgimin e armëve në Ukrainë.

Dhe ndërsa e para duket e zbatueshme, e dyta është tepër altruiste, pasi presupozon një nivel të lartë pjekurie politike. Mbështetja tek abstenimi konstruktiv për të kapërcyer bllokimet nga shtete të veçanta, nuk ka gjasa të funksionojë me politikanët e rinj në Bruksel që duan të
tregojnë muskujt e tyre politikë. Prandaj qasja e anëtarësimit të përshkallëzuar, ku anëtarët e rinj e fitojnë gradualisht fuqinë e votës, ka më shumë gjasa që ta adresojë dhe parandalojë këtë kërcënim. Së fundi, BE-ja duhet të kapë në kohë momentin gjeopolitik për të përshpejtuar pranimin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor pa sugjeruar ndonjë alternativë ndaj zgjerimit.

Anëtarësimi i dështuar i Turqisë në BE, shërben si një paralajmërim për atë që mund të ndodhë kur një qeveri e kupton se nuk do t’i bashkohet bllokut. Kjo mund të sjellë distancim nga reformat, hapa prapë në aspektin e demokracisë dhe nxitjen e kthimit të kokës nga lindja në kërkim të aleatëve të rinj.Nga Vessela Tcherneva “European Council on Foreign Relations”/ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga