LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nevojë për një NATO më të madhe dhe më të aftë

22 Shtator 2023, 22:35, Blog CNA

Nevojë për një NATO më të madhe dhe më të

Vitin e ardhshëm, NATO - aleanca më e madhe dhe më e aftë politike dhe ushtarake në histori - do të festojë 75 vjetorin e themelimit të saj. Siç po e tregon pushtimi brutal dhe i paligjshëm i Ukrainës nga Rusia, sfidat e sigurisë për të cilat u krijua dikur Aleanca, mbeten të qarta dhe të pranishme.

Kjo luftë ka risjellë në vëmendjen e publikut idenë e zgjerimit të NATO-s, duke përfshirë  Finlandën, së shpejti Suedisë, dhe në perspektivë edhe Ukrainën. Ky zgjerim do ta bëjë NATO-n më efektive në parandalimin e konflikteve si dhe në mbrojtjen kolektive.

Por për të pasur sukses në këto misione, në mesin e një peizazh aktual teje kompleks të sigurisë, një aleancë me e madhe duhet të jetë akoma më shumë funksionale. Për këtë qëllim, ajo po harton plane të reja rajonale të mbrojtjes, për t’iu kundërvënë kërcënimeve aktuale dhe atyre të ardhshme, si dhe për të udhëhequr riorganizimin dhe modernizimin e sistemit të saj të mbrojtjes kolektive dhe aftësive luftarake.

Në qendër të kësaj përpjekjeje është Koncepti i NATO-s për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Zonës Euro-Atlantike, DDA. Koncepti i përditësuar ushtarak i çon përpara operacionet e NATO-s, nga të përqendruara kryesisht në menaxhimin e krizave, tek një operacion i strukturuar për t’u përballur me gamën e plotë të kontingjenteve të mundshme të sigurisë, përfshirë skenarin e një lufte me intensitet të lartë, si ajo që po zhvillohet sot në Ukrainë.

Ky është rishikimi i parë i këtij lloji në 3 dekada, i nxitur nga kërkesa urgjente për të përputhur strategjinë e modernizuar të NATO-s me planifikimin gjithëpërfshirës, aftësitë e patejkalueshme operacionale dhe zbatimin e shkëlqyer të tyre, elementë që janë gurët e themelit të efektivitetit në fushën e betejës.

Ku projekt, synon të integrojë planet dhe aftësitë e mbrojtjes së vendeve anëtarëve, me planet dhe qëndrimet e aleancës në përmbushje të kërkesave të sigurisë kolektive. Nëse zbatohet plotësisht, DDA do të ofrojë mundësinë për të pasur një veprim vendimtar dhe aftësinë për ta projektuar me shpejtësi dhe shkathtësi fuqinë e saj ushtarake.

Kjo është jetike për parandalimin e konfliktit dhe mbrojtjen e “çdo centimetri të territorit të aleancës”. Me pak fjalë, DDA është strategjia e duhur e NATO-s për të fituar me vendosmëri në çdo rast. Sigurisht, detyra më e vështirë dhe thelbësore është zbatimi i saj i plotë.

Kjo do të kërkojë një angazhim dhe bashkëpunim të gjithë aleancës, përfshirë partneritetet jetike të sektorit publik-privat. Nivelet më të larta të një pune të tillë ekipore do të jenë thelbësore në të gjithë nivelet, por sidomos për përmbushjen e kërkesave në 6 fusha të nevojshme, për t’i kthyer në aftësi konkrete konceptet dhe planet e hartuara të NATO-s.

Zbatimi i këtyre planeve, do të kërkojë një lëvizshmëri ushtarake të shtuar. Infrastruktura efektive qëndron në themelin e gati çdo operacioni ushtarak, pasi vendosja e shpejtë e personelit dhe pajisjeve, varet nga rrjetet e sofistikuara të autostradave dhe hekurudhave, infrastruktura portuale, depot e karburantit dhe sistemet e tjera të transportit.

Aleatët duhet që t’i japin përparësi investimeve në zgjerimin e rrjetit rrugor dhe hekurudhor, pasi vetëm kjo mund të përballojë ngarkesat e nivelit ushtarak në shtetet e vijës së parë të NATO-s në Evropën Lindore, Veriore dhe Qendrore.

Lëvizja e mjeteve të blinduara të rënda thelbësore për luftimet tokësore, siç janë tanket dhe transportuesit e blinduar të personelit, kërkon Sisteme Transportuese të Pajisjeve të Rënda që mund të lëvizin nëpër rrugët kyçe. Për më tepër, shtetet e vijës së parë si Polonia etj përgjatë Detit të Zi, duhet të kenë kapacitete të fuqishme aeroportesh për të mbrojtur kufijtë e aleancave.

Shtetet e NATO-s duhet të rrisin para-pozicionimin e burimeve dhe pajisjeve thelbësore ushtarake në shtetet e saj të vijës së parë. Në kohë krize, një para-pozicionim i tillë garanton  një reagim më të shpejtë dhe më efektiv. Po ashtu sinjalizon tek kundërshtarët vendosmërinë e aleatëve për të zbatuar dhe vazhduar operacione luftarake me intensitet të lartë.

Më e rëndësishmja:këto masa duhet të jenë një investim i gjithë aleancës. Si SHBA-ja ashtu edhe aleatët e saj evropianë duhet të para-pozicionojnë asetet e tyre, duke përfshirë ndërtimin e forcave luftarake të stacionuara përherë tek vendet anëtare të vijës së parë në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Po ashtu duhet logjistika kryesore për t’u siguruar që furnizimet ushtarake të jenë aty ku duhet në kohën e duhur. Planifikimi, gatishmëria dhe aftësitë e dobëta të Rusisë janë për ne një leksion shumë i vlefshëm, dhe tregon sesa e rëndësishme është logjistika për zbatimin e planeve të hartuara në letër.

Planifikimi i logjistikës duhet të ndërthuret përmes një ndërveprimi të shtabeve të ushtrive kombëtare dhe atij të NATO-s, duke e vënë theksin tek mbulimi gjithëpërfshirës i të gjitha fushave. Për të pasur një gatishmëri më të lartë, logjistika dhe infrastruktura duhet të përputhen me stërvitje ushtarake të rregullta, më të mëdha dhe më intensive, që vënë në zbatim planet e reja.

Vitet e fundit, NATO dhe shtetet e saj anëtare kanë kryer stërvitje në shkallë më të gjerë si  “Trident Juncture” në vitin 2018 dhe “Air Defender” këtë vit në Gjermani. Kjo e fundit është stërvitja më e madhe ajrore në historinë e NATO-s. Aleanca duhet të mbështet tek këto stërvitje, t’i zhvillojë ato vazhdimisht në zonat më të kërcënuara nga Rusia dhe t’i përshtatë  në shkallë dhe shtrirje në të gjithë spektrin e konkurrencës, krizës dhe konfliktit.

Komandantët e NATO-s duhet të kryejnë një gamë më të gjerë stërvitjesh të paparalajmëruara të njohura si “stërvitje të parakohshme”, për të testuar dhe demonstruar gatishmëri. Së fundi, përmbushja e objektivave të DDA, do të kërkojë kapacitete të mjaftueshme prodhuese të mbrojtjes.

Lufta në Ukrainë, na ka kujtuar rëndësinë që kanë rezervat e bollshme të armëve dhe municioneve, si dhe aftësinë për të rritur menjëherë prodhimin e tyre. Burime të tilla, mund të jenë faktori vendimtar në një luftë me intensitet të lartë.

Në këtë kuadër, NATO duhet të zhvillojë një qasje të koordinuar për zhvillimin e kapaciteteve industriale të qëndrueshme, së bashku me aftësinë e rritjes së prodhimit që mund të përdoret në kohë konflikti. Po ashtu duhet të sigurojë grumbullim të mjaftueshëm të armëve dhe municioneve midis shteteve anëtare.

Koncepti Strategjik i NATO-s, i miratuar vitin e kaluar, ripohoi tre detyra kryesore të aleancës:parandalimin dhe mbrojtjen, parandalimin dhe menaxhimin e krizave, dhe sigurinë bashkëpunuese. Për të përmbushur këto misione, zbatimi i plotë i DDA duhet të mbështeten tek 3 nisma plotësuese, që kërkojnë punë ekipore të nivelit të parë.

Së pari, aleatët duhet të bashkëpunojnë midis tyre për të siguruar zhvillimin e shpejtë, blerjen dhe vendosjen në terren të teknologjive të avancuara të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe sistemeve kibernetike të shënjestruar nga kundërshtarët.

Së dyti, për të nxitur kohezionin dhe forcuar mbrojtjen kolektive, aleanca duhet të jetë strategjike dhe efikase në delegimin e aftësive të veçanta, veçanërisht ndaj anëtarëve më të vegjël, në fusha të tilla si komunikimi, logjistika, inteligjenca, çminimi dhe komanda dhe kontrolli.

Së treti, anëtarët e NATO-s duhet të punojnë me zell për të siguruar që zinxhirët e furnizimit të mbrojtjes aleate të ndërtohen mbi burime të besueshme.

Shënim:Gjenerali në pension James L.Jones, ka qenë komandant suprem i aleatëve të NATO-s në vitet 2003-2006, dhe këshilltar i sigurisë kombëtare i presidentit Obama në vitet 2009-2010. Gjenerali Tod D.Wolters, komandant suprem i aleatëve të NATO-s në vitet 2019-2022. Nga James L.Jones & Tod D.Wolters “The Hill”/ Përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga