web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si ndryshoi qëndrimet Erion Veliaj/ Nga kolegu i prokurorëve të SPAK-ut, tek i hetuari i tyre

5 Janar 2025, 11:28, Editorial CNA
Si ndryshoi qëndrimet Erion Veliaj/ Nga kolegu i prokurorëve të
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Kryebashkiaku Erion Veliaj është nën hetim nga SPAK-u për 4 akuza penale, atë të korrupsionit pasiv dhe aktiv, fshehje pasurie, si dhe pastrim parash.(Lexo këtu)
Kryebashkiaku i Tiranës ka qenë i njohur me këtë fakt nga Prokuroria e Posaçme, por sërish ka zgjedhur të bëjë “të paditurin”, ndërsa ka dalë me qëndrime kontradiktore për të thënë se socialistët janë pro SPAK-ut dhe demokratët e sulmojnë atë.
Veliaj shpesh shfaqet si një person jokoherent dhe mjafton të rendisësh daljet e tij mediatike për të konfirmuar më tepër mënyrën se si ai ndryshon qëndrimet në varësi të situatës që “i shkon për shtat”.

AUDIOPËRGJIMI, SYNIMI I DËSHTUAR I VELIAJT PËR TË KAPUR FSHF-në

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, synoi të ndërhyjë në zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, në 24 janar të 2022-shit, dhe më pas të ndërhynte në zgjedhjet e marsit të 2022-shit për kreun e FSHF-së, tentativa këto të dështuara të Veliajt përballë kreut të Federatës së Futbollit, Armand Duka.

Si ndryshoi qëndrimet Erion Veliaj/ Nga kolegu i prokurorëve të
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj

Në një audio të publikuar nga FSHF-ja, të janarit të 2022-shit, gjatë një takimi informal që Veliaj mbajti me disa prej anëtarëve të Shoqatës Tirana, Veliaj dëgjohet duke folur me një gjuhë banale dhe shantazhuese, ndërsa ka pretenduar se do të zgjidhte në krye të shoqatës dhe FSHF-së ato që Veliaj i mendonte të përshtatshme, ndërsa asokohe tha se “do t’u nxinte jetën” kundërshtarëve me çdo prokuror të SPAK-ut, duke lënë të nënkuptuar se SPAK-un e kishte në krahun e tij, fakt që i është rrëzuar zyrtarisht nga prokuroria që e ka nën hetim për një sërë çështjesh dhe aferash. Por çfarë deklaronte Veliaj asokohe për SPAK-un?

“Do shkojmë te Federata shqiptare e Futbollit për t’i bërë sh*rrën në shtëpinë e tyre. Jo UEFA e FIFA të zbresë, por sikur Zoti dhe Muhamedi të zbresin nuk e ndalin dot luftën time. Unë do të bëj çdo gjë për t’ua nxirë jetën këtyre me prokurori e SPAK.
Ne i kemi b*let prej hekuri. Kush më ka provuar në këtë qytet i di punët e mira që janë bërë, i vetmi ishull që ka mbetur komplet pa vënë dorë është futbolli.
Nuk ka asnjë problem, prapë jemi 40 burra, kjo është shumë kollaj pas 20 vitesh, nëse ky grup nuk e bën punën mirë, atëherë e rrëzojmë, kushdo që vjen pas, ne e dimë që këta nuk janë të paprekshëm”, ka thënë Veliaj.

MASHTRIMI I VELIAJT PAS 7 ORËSH DËSHMI NË SPAK: ISHA ME DY KOLEGË HETUES

Si ndryshoi qëndrimet Erion Veliaj/ Nga kolegu i prokurorëve të
Erion Veliaj

Në 30 prill të 2024, Erion Veliaj u thirr në SPAK ku dëshmoi për rreth 7 orë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.(Lexo këtu)
Kryetari i Bashkisë së Tiranës pas daljes nga SPAK-u deklaroi se ishte “me dy kolegë hetues”. Ai nuk e pranoi se ishte nën hetim, por pretendoi se qëndroi për plot 7 orë me “kolegët” në cilësinë e personit ne dijeni.

“Falënderoj kolegët e SPAK-ut, një institucion që unë nuk kisha pas të bëja më parë.
Pas këtij takimi më ka krijuar bindjen që është bërë një investim për së mbari në Shqipëri. Isha me dy kolegë hetues, profesionistë dhe unë them që ne duhet t’i forcojmë institucionet. Isha këtu si bashkëpunëtor. Të dy kolegët hetues më kanë kërkuar që për çështje të hetimit dhe për çështje të sekretit hetimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës ka sjellë dhe disa prova të tjera, m’u kërkua dashamirësisht që të mos i ndaj me gazetarët. Do të jetë pjesë e zbardhjes së dëshmisë time”, tha Veliaj.

KONTROLLET E BKH-së DHE MOHIMI I VELIAJT SE ËSHTË NËN HETIM

Si ndryshoi qëndrimet Erion Veliaj/ Nga kolegu i prokurorëve të
Arbër Veliaj, Ajola Xoxa dhe Erion Veliaj

Në 6 dhjetor të 2024, Byroja Kombëtare e Hetimit kreu kontrolle në banesën e kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, vëllait të Erion Veliajt, Arbër Veliajt, si dhe në subjekte e biznese të lidhura me familjarët e kryebashkiakut.
Teksa BKH kryente kontrolle, Veliaj ndodhej në Hamburg, ku tha se ishte për një vizitë pune. Nga andej ai nuk harroi të publikonte një tigër të Kopshtit Zoologjik në Tiranë, si për t’i dhënë një mesazh indirekt SPAK-ut se ai ishte një “tigër” i paprekshëm nga prokurorët. Në këtë kohë Veliaj ende refuzonte të pranonte se ishte nën hetim, ndërsa në mediat e kapura nga Veliaj u raportua përciptazi si lajm, ose aspak, ndërsa sipas tyre në fokus të këtyre kontrolleve të BKH-së ishte pikërisht bashkëshortja Ajola Xoxa, duke synuar kështu të lënë në hije hetimet ndaj kryebashkiakut.

VELIAJ PRANON MË NË FUND SE ËSHTË NËN HETIM

4 ditë më pas, Veliaj nuk u fsheh më pas tigrave, por vendoi të reagojë publikisht. I gjetur para hetimeve të pakontestueshme të SPAK-ut Veliaj vendosi të reagojë në rrjete sociale, duke pranuar mes rreshtave se ishte nën hetim pasuror, por faji për bëmat e kryebashkiakut si për ironi ishte i Sali Berishës, kundërshtarëve politikë, dhe i gazetarëve që kishin bërë detyrën duke raportuar lajmin e kontrolleve të BKH-së, por kurrsesi i Veliajt. Kryebashkiaku mori guxim këtë herë publikisht të sulmojë edhe SPAK-un, duke thënë se kontrollet u bënë pa vendim gjykate. 

“Sali Berisha, kjo hienë, e cila nginjet çdo ditë me pisllëqet më të ndyra që nxjerr nga goja, është fundërrina e fundërrinave të këtij kombi, tanimë këtë e di i madh e i vogël. Megjithatë, jargët e ligësisë së tij ka kohë që s’më bëjnë asnjë përshtypje. Por, duke qenë se hetimi pasuror, që po kryen SPAK-u për mua, është kthyer në një çorbë të prishur për të gjithë të uriturit për hakmarrje dhe të humburit që duan të ndihen fitimtarë, po i them edhe unë dy fjalë. Në mëngjesin e 6 dhjetorit bashkëshortja ime, e gjendur në shtëpi vetëm me djalin tonë, më telefonon pasi grupi i prokurorisë së posaçme kishte trokitur në derën e apartamentit tonë. Natyrisht, ndamë pa asnjë ngurrim bindjen se duhet të ishim plotësisht transparentë me trokitësit tanë.
Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për të gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve”, tha Veliaj në reagimin e tij në rrjete sociale.


VELIAJ DËSHMON PËR HERË TË DYTË NË SPAK, HESHT PARA GAZETARËVE

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit në 26 dhjetor 2024 në SPAK, ku u mor në pyetje për herë të dytë, lidhur me hetimin pasuror ndaj tij. Pas 5 orësh marrje në pyetje, Veliaj heshti para gazetarëve ndërsa tha se shpjegimet e tij për çështjen do t’i jepte në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Tashmë ishte e qartë se ata që e morën në pyetje nuk ishin më “kolegët” e tij, një cilësim që Veliaj nuk e ka përdorur më, pas marrjes së dytë në pyetje nga prokurorët e SPAK-ut.

KEQPËRDORIMI I KËSHILLIT BASHKIAK NGA ANA E VELIAJT

Si ndryshoi qëndrimet Erion Veliaj/ Nga kolegu i prokurorëve të
Erion Veliaj

Kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi të flasë po atë ditë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për thirrjen e tij në Prokurorinë e Posaçme. Ai keqpërdori Këshillin për të folur për çështje vetjake, në vend të diskutimeve për problemet e qytetarëve. Veliaj sërish deklaroi se shkoi si bashkëpunëtor dhe si vizitor në SPAK. Por qasja ndaj SPAK-ut këtë herë ishte ndryshe, pasi tha se po hetohej në bazë të një kurthi anonim.

“Jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni, një person që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime.
Unë e kuptoj që disa persona që nuk na mundin dot në betejë dhe nuk na mundin dot në zgjedhje janë kthyer në zanatin e letrave anonime.
Nesti Angoni nuk ekziston. Të gjithë e dimë se kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil.
Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues.
Unë hyj tek ajo racë politikanësh që nuk i thotë SPAK-ut SKAP, ku s’i intereson dhe i thotë SPAK-ut ku i intereson për kundërshtarët e vet, as nuk kam bërë antiprotesta dhe letra anonime, jam brez jo i letrave anonime dhe as nuk i them SPAK-ut plaç kur shkon dhe me letra anonime mundohet.
Këtu do jemi. Në maj do t’ju mundim me gjithë letra anonime, me gjithë kurthe dhe gjithë klithmat e hienave”, tha Veliaj.

VELIAJ VË “NË LOJË” AVOKATËT PËR TË SULMUAR SPAK-un

Në 27 dhjetor, një deklaratë në emër të avokatëve të Erion Veliajt u publikua nga mediat e dirigjuara nga kryebashkiaku i Tiranës dhe të paguara nga inceneratorët.
Në reagimin prej 8 pikash sulmohej SPAK-u.(Lexo këtu)

“1. Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm
2. Fshehja e faktit të vendosjes në hetim të EV dhe familjes
3. Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat
4. Intimidimi dhe dhuna agresive ndaj të thirrurve si “persona në dijeni”
5. Keqpërdorimi i cilësimit “persona në dijeni” për EV dhe AX
6. Tejkalimi i afateve hetimore
7. “Fishing expedition”
* Hetimi duket i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për vetë personin (EV), me synimin për ta kapur medoemos në një shkelje, qoftë penale apo administrative.
8. Dalja në media e informacioneve mbi hetimin”
Këto ishin 8 pikat, që më pas shtjelloheshin nga avokatët.
CNA kontaktoi me avokatët e kryebashkiakut. Ata përgënjeshtruan lajmet dhe thanë se ndjekin vetëm procedurat ligjore në gjykatë në raste kundërshtie.
Pas interesimeve, burime për CNA bënë me dije se deklarata në emër të avokatëve të Veliajt, ishte shpërndarë nga punonjësit e Bashkisë Tiranë.
Me këtë veprim, Erion Veliaj vendoi në lojë edhe mbrojtësit e tij ligjor. Dukshëm tashmë sulmi i Veliajt ndaj SPAK-ut nuk ishte më i fshehur, por ballor!

VIZITA E PUNËS NË SHBA PËR FUNDVIT DHE DEKLARATA PËR PROKURORIN

Si ndryshoi qëndrimet Erion Veliaj/ Nga kolegu i prokurorëve të
Erion Veliaj

Kryebashkiaku Erion Veliaj në 28 dhjetor të 2024 u largua nga Shqipëria. CNA ishte ndër të parat media që e konfirmoi largimin e tij nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës. Më pas të shumtë ishin ata që reaguan, përfshirë kryedemokratin Sali Berisha, i cili tha se Veliaj po arratisej.

Ky i fundit akuzoi Berishën për mashtrim. Veliaj pretendoi se ishte në një vizitë pune pikërisht në ditët e fundit të vitit 2024, edhe pse jemi në fillim janari 2025 dhe kryebashkiaku ende nuk ka bërë transparencë për këtë vizitë pune. Dihet se Veliaj publikon pamje të shumta nga takimet e tij brenda dhe jashtë vendit, por çuditërisht këtë herë nuk publikoi asgjë as në media dhe as në rrjete sociale. E vetmja gjë që tha ishte se prokurori le të bëjë çfarë të dojë, radha më pas i takon Veliajt.

“O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam non grata, o fundërrinë e historisë, që u bëre stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde.
Do të kthehem për dy ditë, dhe me durimin e paepur në pritje që të më vijë radha mua, se unë nuk jam burrë legen si ti, që kur SPAK-u merret me ty e me hajdutët e farës tënde është SKAP-i i partisë, kurse kur merret me mua e me familjen time është SPAK-u i drejtësisë! Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet”, tha Veliaj në reagim.

Kjo frazë e kryebashkiakut karshi prokurorëve të SPAK-ut nuk ngjason më si një fjali normale e një kolegu karshi një tjetri, ndërsa shumë mund ta lexojnë edhe si sulm, apo kërcënim.

Ngelet për t’u parë diskursi i kryebashkiakut ndaj SPAK-ut për këtë vit të ri. Por ajo që dihet me siguri, ashtu siç e ka treguar koha, ka qenë pikërisht Prokuroria e Posaçme që e ka thënë fjalën e fundit për këdo të hetuar majtas apo djathtas!/CNA

 





10:20 Editorial

Lotët e Lulit

Në disa dalje mediatike të javëve të fundit, Lulzim Ba...

Lajmet e fundit nga