web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kush ia vodhi votat PD-së?

28 Qershor 2025, 16:47, Editorial Elvi FUNDO

Kush ia vodhi votat PD-së?

Opozita vazhdon që pas zgjedhjeve të 11 majit të bëjë politikën e saj, të thotë se iu vodhën votat, iu blenë votat, iu manipuluan etj. Një këngë e vjetër ku përpiqen të shtohen disa fakte dhe të jepen edhe prova, ndoshta diku edhe të besueshme për sytë e militantëve, diku dhe të pabesueshme. Kuptohet që retorikën e ka politike, do të vazhdojë “Ramaduro”, bleu vota, vodhi vota, partia shtet etj.

Le të bëjmë një analizë me disa fakte shumë të thjeshta. T’i marrim disa qarqe dhe t’i shikojmë, pikërisht atje ku ka qenë dhe fitorja e thellë e Partisë Socialiste, për të kuptuar sa manipulim ka pasur, sa vota janë vjedhur, si është trendi i tyre, kur ka fituar PD-ja dhe cilat janë ato të vërteta që na tregojnë për manipulimin, blerjen apo vjedhjen e votës nga mazhoranca socialiste.

 

Fieri si katastrofë elektorale e Gazment Bardhit, PD-së i mungonin komisionerët

Së pari po sjellim Qarkun e Fierit, ku Partia Socialiste ka marrë 12 mandate. Kuptohet, gjithmonë, duke marrë të mirëqenë se këto 12 mandate janë krijuar nga vota të vjedhura, të manipuluara apo të blera nga “partia-shtet” apo nga “Ramaduro”. Në Fier, Partinë Demokratike, trupën e saj elektorale, organizimin, e ka Gazment Bardhi. Për të kuptuar se cili do të ishte rezultati theksojmë se vetë zoti Bardhi pati një problem të madh në ditët e fundit të fushatës, pasi nuk gjente dot komisionerë.

Pra, imagjinoni një parti që do të fitojë zgjedhjet dhe nuk ka komisionerë në qarkun më të madh të vendit pas Tiranës. Fushatën dhe organizmin e PD-së në Qarkun e Fierit e drejtonte Gazment Bardhi, që nuk di të bëjë gjë tjetër, di të bëjë vetëm katastrofa. Ishte në Elbasan në 2021-shin dhe ndodhi vrasje. Ishte në 2025-ën në Fier dhe mori një rezultat që PD ndoshta nuk e ka marrë as në 1997-ën, kur nuk hyri në gjysmën e Shqipërisë.

Por le të shohim votat. Në total bashkë me votat e emigrantëve, demokratët në 2021-shin kishin rreth 64 mijë vota. Ndërsa socialistët kishin rreth 91 mijë vota. Duhet të kemi parasysh që Lëvizja Socialiste për Integrim kishte rreth 12 mijë vota në vitin 2021.

Kush ia vodhi votat PD-së?
Rezultatet e zgjedhjeve 2021, qarku Fier

Shkojmë në vitin 2025, shohim rezultatet ku socialistët kishin një rritje prej gati 25 mijë votash. Të gjithë do të thonë ku u rrit PS-ja, pse u rrit dhe si u rrit.

Së dyti, LSI (tani PL) është një parti e shpartalluar dhe lehtësisht votat e saj kanë shkuar te socialistët.

Kush ia vodhi votat PD-së?
Rezultatet e zgjedhjeve 2025, qarku Fier

Së treti, Partia Demokratike pati një kandidat, i cili u kthye në qesharak nga një strategji elektorale e socialistëve duke përdorur Zegjinenë, për të tallur Gazin në formën e saj, për ta çuar te motrat, për ta bërë qesharak Gazin (dhe ia doli) për konfliktet e brendshme në PD, për qasjet e tij politike.

Siç është rasti i deklarimeve të tij që nëse zgjidhet Sali Berisha kryetar i PD-së dhe rikthehet në drejtimin e saj, Bardhi do të ikte nga politika, ndërkohë është ende atje.

Siç ndodhi me përplasjet brenda grupit parlamentar kur iu bashkua i fundit Berishës, me kushte dhe teka personale dhe me një grupim të caktuar individësh. Gazment Bardhi, i cili është një zero në organizimin e strukturave të PD-së, “nuk ngjit” thuhet në politikë, në bazë. Nuk e donin.

Në themel, le të shikojmë votat e tjera të vitit 2025. Rreth 10 mijë vota ka marrë koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”. Rreth 5 mijë vota ka marrë Partia Mundësia. Pra, rreth 15 mijë vota janë të shpërndara në dy parti dhe rreth 5 mijë vota të tjera janë te parti të vogla, kryesisht të djathta si Koalicioni Euroatlantik i Bashës, koalicioni “Djathtas për Zhvillim”, “Aleanca Kombëtare” etj. Pra, rreth 20 mijë vota kanë ikur te partitë e vogla. Ja ku janë votat e PD-së nga 2021-shi.

Kush ia vodhi votat PD-së?
Rezultatet e qarkut Fier, zgjedhjet 2025

Pse duhet të rritej PD-ja në Fier?

Çfarë kishte bërë këto 4 vite? Asgjë! Ka katër vite që demokratët, pas zgjedhjeve të 2021-shit, vetëm bëjnë sherre me njëri-tjetrin. Kryetari i PD-së për Qarkun Fier, që është i njëjti, Luan Baçi, s’ka asnjë ndryshim. I futi dhe Gazment Bardhin. Qershia mbi tortë, Korreshi i Lushnjës, i vendosur nga Lul Basha, që nuk e di as vetë me kë është.

Kush ia vodhi votat PD-së?
Gazment Bardhi dhe Luan Baçi

Përplasja me njerëzit e Lulzim Bashës në Mallakastër siç është rasti i Agron Kapllanajt, mbyllja e dyerve të PD-së për kritikë e njerëzit e pakënaqur brenda saj janë faktorë kryesorë. Kështu mbyllet historia. Nuk ka asnjë risi, asnjë vlerë nuk pati në fushatë. Asnjë organizim, por një shkatërrim total të strukturave, i cili u konstatua edhe nga Gazment Bardhi, që kupton më pak sesa militanti më i thjeshtë në bazën e PD-së, duke deklaruar se ai nuk gjente komisionerë. Pra, kjo ishte gjendja organizative e PD-së.

Socialistët mund të kenë gërryer vota, por PD-ja nuk ka ekzistuar dhe për më tepër thërret “hajduti, hajduti” dhe rri e shikon duke vjedhur. Është njësoj si historia e gomarit që e shqyen ujku dhe mendon se është në ëndërr. Kjo është historia që na sjell Gaz Bardhi në Qarkun e Fierit.

 

Elbasani me votat e bandave

 

Të shkojmë më tej pastaj. Në Elbasan, një tjetër rezultat katastrofik, ku prapë LSI nuk ekziston (merr mandat falas), ku prapë partitë e vogla kanë marrë dhjetëra mijëra vota, kryesisht parti të djathta, siç ishte “Nisma Shqipëria Bëhet”, “Mundësia” etj., dhe shpiket “treni bullgar”.

Kush ia vodhi votat PD-së?
Rezultati për qarkun e Elbasanit, zgjedhjet e vitit 2021
Kush ia vodhi votat PD-së?
Rezultati për qarkun e Elbasanit, zgjedhjet e vitit 2025

Një “tren bullgar” që na jepet si gjetje në disa qendra votimi, apo në disa ambiente tregtare ku janë gjetur ato që pretendohet se janë fletë votimi. Në rast se i merr prokuroria dhe i vlerëson si prova, ato nuk janë fletë votimi, pra nuk mund të përbëjnë “trenin bullgar”.

Kush ia vodhi votat PD-së?

Sepse fletët tona të votimit kushtojnë miliona euro dhe kanë elementë sigurie, siç janë lekët.

Kurse ato fletë janë thjesht dhe vetëm fotokopje të fletës së votimit, të cilat përdoren për propagandë dhe shpërndahen si fletëpalosje te zgjedhësit nga kandidatët, me siglën përkatëse. Të tilla ka shpërndarë me mijëra dhe PD-ja.

Sa i përket justifikimit se në Elbasan ka pasur “tren bullgar” në një qendër votimi, rezultati nuk varet nga një qendër votimi dhe sikur ta fshish atë dhe sikur të jenë dhjetë qendra të tilla. Për më tepër, në ato qendra që dyshohet, në një apo disa, se ka pasur “tren bullgar” gjithçka është shumë e thjeshtë. Shikohet trendi në vite, si është votuar, cili ka qenë rezultati, si janë strukturat e PD-së.

Pra, bëhet një analizë dhe në finale del se “treni bullgar” është një gënjeshtër për konsum politik. I vetmi fenomen shqetësues është një anonime si Sara Mile, por dhe t’ia heqësh votat të gjitha dhe mandatin PD sërish humbet keqazi.

 

Në Korçë, ku PD-ja nuk e di se ku është

Qarkun e tretë po sjellim Korçën. Në Korçë rezultati është më i dobët se në 2021-shin, si kudo dhe shkaktari kryesor i kësaj është vetë Partia Demokratike, vetë drejtuesit e saj, shkatërrimi i strukturave, asnjë gjë e re, thjesht vijnë vërdallë kot.

Kush ia vodhi votat PD-së?
Rezultati i zgjedhjeve 2021, qarku Korçë
Kush ia vodhi votat PD-së?
Rezultati i qarkut Korçë, zgjedhjet e vitit 2025

 

Në Korçë nuk ka pasur një të deleguar muaj më parë që të ngrinte strukturat, të kontaktonte njerëzit, të bashkonte bazën. Por kanë shkuar shumë emra dhe kanë bërë një “vrimë në ujë”, thjesht kanë thelluar përçarjet. Në degën e Korçës njerëzit nuk kanë një kokë që t’i drejtojë dhe organizojë. Për më tepër lista e mbyllur ishte jo ku thërret qameti, por ishte qameti vetë.

Kryetari i degës është zgjedhur nga një betejë brenda PD-së, ndërkohë që qendra donte kandidat tjetër, ai u izolua, rezultati është ky që doli. Ivi Kaso shkoi me vonesë, nuk mundi dot t’i bashkonte palët, ta ngrinte PD-në atje ku duhet. Ndërkohë që baza është e përçarë dhe e konfliktuar për shkak të përplasjes Basha-Berisha.

Ikja e Bashës nga PD-ja, dikush mendon se i bëri mirë dhe i çoi te Luli njerëzit. Jo, nuk është e vërtetë. Ka shumë njerëz që për shkak të konfliktit Basha-Berisha kanë qëndruar në PD, por me kokën ulur ose janë mënjanuar pasi e kanë ndier veten të fyer.

Kush ia vodhi votat PD-së?

Pra, këto janë tri qarqet kryesore që sollëm në analizë, për të rrëzuar propagandën politike të një humbjeje që kërkon të shikohet në sy e të veprohet sepse kështu siç po ecin po lënë në tavolinë zgjedhjet e 2025-ës.

E vërteta është një dhe vetëm një. PD qe e shpartalluar në bazë dhe nuk pati as denoncime të na tregonte se kush ishte hajduti dhe ku i vodhi votat. Përkundrazi, dhe në qoftë se ka ndodhur ia kanë vjedhur përpara syve dhe kemi të bëjmë me paaftësi totale politike, organizative, që na tregon se Partia Demokratike ka nevojë për një shkundje të fortë për t’u rikthyer në realitetin elektoral shqiptar. Ndryshe po vazhdoi me të njëjtat histori, me meselera, me xhixhilera, fundi duket të jetë edhe më i dhimbshëm./ CNA

 





15:18 Editorial Ditmir Bushati

HUMBJA E LIBERALIZMIT

Nëse do të duhet të shpjegojmë me një fjali rezultatin e zgj...

12:16 Editorial Elvi FUNDO

Edi Rama I

Ambasada e SHBA-së në Tiranë dje uroi popullin shqiptar pë...

Lajmet e fundit nga