web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kur lobimi për Veliajn shitet si konsulencë juridike

25 Qershor 2025, 12:09, Editorial Elvi FUNDO

Kur lobimi për Veliajn shitet si konsulencë juridike

Këto ditë në media u shpërnda nga zyra e propagandës se Erion Veliajt, një material "i hartuar" nga një studio që u reklamua si studio konsulence juridike e të akuzuarit Erion Veliaj.

Duhet të sqarojmë se askush nuk ndalon askënd që të angazhojë edhe studio juridike të huaja që t’i shpjegojnë atij vetë peshën, rëndësinë dhe përmasën e akuzave që organi i akuzës ka ngritur ndaj tij. Për ta bërë këtë nuk duhet të lexosh ligje e as që ta kesh bashkëshorten juriste të Sorbonës.

Mjafton të kesh shumë para!

Bile nëse do që të mburresh se ke shumë para, mund të paguash edhe studio vendase, edhe të huaja njëkohësisht.

Erion Veliajt paratë nuk i mungojnë. Në fakt, akuzat e SPAK-ut lidhen pikërisht me paratë, ndaj shifra e shpenzuar është argument që forcon akuzën e jo mbrojtjen në këtë rast.

Çështja është gjetkë!

Akuzat ndaj Erion Veliajt janë ngritur nga SPAK-u. Vendimet e ndërmjetme, si dhe vendimet e tjera lidhur me masat e sigurisë ndaj Erion Veliajt janë konfirmuar në të gjitha shkallët e shqyrtimit gjyqësor.

Ky është sistemi i drejtësisë penale, jo vetëm këtej Adriatikut, por edhe përtej.

Këtë nuk ka student juridiku që nuk e di.

Më pas, insistimi i studiove juridike të Veliajt që ata të paraqiten në organin e akuzës dhe në gjykata si përfaqësues të të akuzuarit, është aq i tepruar saqë duket e pamundur që kjo dije të mos zotërohet nga juristët e përmasave ndërkombëtare si këta që ka zgjedhur Veliaj.

Në rastin më të keq, këta duke qenë se nuk janë avokatë penalistë, por thjesht lobues, nuk kanë pse të thellohen në ligjin penal.

Në rastin më të keq janë ca tregtarë që kanë kapur një lopë e meqë e shohin plot, po kërkojnë ta mjelin nga çdo drejtim duke pretenduar se po përpiqen ta ndihmojnë.

Ky opsion është më i besueshëm sesa opsioni që këta konsulentët anglezë vënkan në dyshim gjithë sistemin penal në Shqipëri.

Nëse duhen respektuar pretendimet e tyre, i gjithë legjislacioni penal në Shqipëri duhet rishkruar që t'i përshtatet gjendjes dhe nevojës që ka aktualisht klienti Veliaj.

Konsulentët thonë, për shembull, që organi i akuzës duhet të ngrejë njëherë akuzën pastaj të vendosen masa sigurimi.

Ky "leksion" mund të jetë edhe i shtrenjtë, por nuk përputhet me atë që ligji penal parashikon.

Në Shqipëri kështu mbahen në paraburgim shumë e shumë nga të dyshuarit kur provat mund të prishen nga xhirot e të akuzuarit nëpër qytet.

Në fund, kur hetimi mbyllet, njoftohet akuza. Njëjtë ka ndodhur me rastin e Veliajt e dhjetëra të tjerëve.

Kodi nuk ka dispozita që parashikojnë zbatimin në mënyrë selektive. Konsulentët po na propozojnë një model drejtësie rast pas rasti, si të jetë rasti?

Si në Angli?

Një avokat mundet edhe të zgjedhë si taktikë mbrojtjeje prononcimin për mediat.

Por kjo bëhet në përballje direkte me gazetarët e jo me shpërndarje të vijës së mbrojtjes. Në përballje direkte gazetarët pyesin, avokatët përgjigjen. Dhe secili demonstron live njohuritë e veta mbi ligjin dhe sistemin.

Ndihemi të obliguar që ta këshillojmë të paraburgosurin Veliaj se shpërndarja për mediat e vijës së mbrojtjes ndaj tij, nuk duhet t'i faturohet. Është joetike t’i faturosh një klienti si shërbim, thjesht dërgimin në adresa redaksish me e-mail, të një materiali të hartuar nga avokatët.

Askush nuk pret që nga ai material të mbrohet akuza. Kjo do të ishte çmenduri.

Por kontrollin e akteve të organit të akuzës e ushtrojnë gjykatat dhe jo studiot vendase apo të huaja të avokatisë. Dhe kjo është kështu edhe kur ato janë të kushtueshme. Bile aq më shumë kur ato janë të kushtueshme.

Sistemi nuk është aty që studiot e shtrenjta të justifikojnë faturat e majme.

Në shtetin ku paguan taksa (besojmë), studioja që paguan Veliaj, nuk i bën dot njeri presion hapur drejtësisë. Pa diskutuar që vlerësimi për burimin e parave që paguhen nga një njeri i akuzuar për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie, është i njëjtë kudo në planetin Tokë dhe Anglia nuk bën përjashtim.

E vetmja karakteristikë e këtyre lobistëve anglezë të shitur si studio konsulence juridike, është se ata paguhen nga Erion Veliaj për të vënë në dyshim një sistem drejtësie të ngritur si rezultat i një reforme të paguar nga taksapaguesit e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe.

 

Në këtë pikë mund të kënaqemi vetëm me faktin se një pjesë e pagesës së Veliajt për lobistët-konsulentë derdhet në formë taksash e i rikthehet Britanisë së Madhe.

Po të huazonim pak nga fantazia e dëshmuar nga lobistët-konsulentë të Veliajt, mund të themi se kjo është forma se si populli shqiptar ka zgjedhur t’i kthejë borxhin popullit anglez.

Dhe mund edhe të krenohemi me këtë fakt./ CNA





15:18 Editorial Ditmir Bushati

HUMBJA E LIBERALIZMIT

Nëse do të duhet të shpjegojmë me një fjali rezultatin e zgj...

12:16 Editorial Elvi FUNDO

Edi Rama I

Ambasada e SHBA-së në Tiranë dje uroi popullin shqiptar pë...

16:07 Editorial CNA

Humbje therëse

Parashikimi duhet bërë para se të bëhen zgjedhjet dhe ndos...

15:25 Editorial

"Per Jorida"

Është pozicionuar në listën e hapur të koalicionit për...

Lajmet e fundit nga