web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pesë gjëra që mund të mos i dini mbi vullkanet

9 Korrik 2022, 21:21, Blog CNA
Pesë gjëra që mund të mos i dini mbi vullkanet
Foto ilustruese - Vullkan

Në mbarë botën llogaritet të ketë rreth 1500 vullkane aktive, duke shkaktuar 50-70 shpërthime çdo vit. Edhe pse këto vullkane mund të jenë të rrezikshme, madje edhe vdekjeprurës në disa raste, ato mund të kenë edhe ndikime pozitive, përfshirë krijimin e tokave pjellore për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore, formimin e tokës së re, si dhe prodhimin e energjisë gjeotermale. Ja cilat janë 5 faktet që mund të mos i dini mbi vullkanet.

1. Magma dhe llava nuk janë e njëjta gjë

Termat magma dhe llava përdoren shpesh në mënyrë të ndërsjellë. Por midis tyre ekziston një dallim thelbësor. Magma është shkëmbi i lëngshëm i shkrirë që ekziston nën sipërfaqen e Tokës. Ai përmban gazra të tretur, dhe kur presioni arrin një pikë të caktuar dhe gazrat zgjerohen, ndodh një shpërthim në grykën e një vullkani.

Pasi të arrijë në sipërfaqe dhe të përhapet tej nga vullkani, bëhet llavë. Edhe pse ekzistojnë tri lloje të llavës - bazaltike, andezitike dhe riolitike - që të gjitha ato përmbajnë silic. Sasia e silicit përcakton edhe nivelin e viskozitetit (trashësisë) së llavës. Sa më shumë silic të përmbajë, aq më ngadalë udhëton llava. Llava më e shpejtë e regjistruar ndonjëherë ishte në Kongo në vitin 1977, kur shpërtheu vullkani Niragongo. Llava arriti një shpejtësi prej 64 km/h.

2. Shumica e vullkaneve ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit”

Treçereku i vullkaneve aktive të botës, ndodhen brenda një zone prej 65 mijë miljesh të quajtur “Unaza e Zjarrit”. Pavarësisht nga emri i tij, ky varg vullkanesh (dhe tërmetesh) përgjatë skajit të Oqeanit Paqësor, ka në të vërtetë formën e një patkoi.

Duke u shtrirë nga maja e Amerikës së Jugut deri në Bregun Perëndimor të Amerikës së Veriut, përmes Rusisë, Japonisë dhe Zelandës së Re, dhe duke kaluar nëpër gjithsej 15 vende.

Rreth 90 për qind e të gjithë tërmeteve ndodhin pikërisht në Unazën e Zjarrit, e cila u formua afërsisht 115 milionë vjet më parë. Pllakat oqeanike u zhvilluan në këtë rajon, duke rrëshqitur nën pllakat kontinentale, përmes një procesi të quajtur subduksion. Vullkanet e famshme në Unazën e Zjarrit përfshijnë malin e Shën Helenas, malin Fuxhi dhe malin Pinatubo.

3. Vullkanet mund të jenë vdekjeprurës

Pesë gjëra që mund të mos i dini mbi vullkanet

Që nga fundi i viteve 1700, vullkanet kanë shkaktar më shumë se 250.000 të vdekur. Përveç rrjedhës të llavës, hirit dhe gazrave vullkanikë, ata mund të shkaktojnë dëme të mëdha, madje edhe vdekje. Hiri është shumë i dëmshëm për njerëzit që vuajnë nga probleme të frymëmarrjes si astma ose emfizema.

Silici kristalor, që mund të ekzistojë te hiri, mund të shkaktojë silikozë, një lloj fibroze pulmonare. Dioksidi i karbonit dhe dioksidi i squfurit te gazrat vullkanikë, ndikojnë negativisht jo vetëm në frymëmarrje, por mund të shkaktojnë edhe probleme neurologjike.

Deri më tani, efektet më vdekjeprurëse vullkanike shkaktohen nga rrjedha piroklastike, pra një masë tepër e shpejtë e përbërë nga llava, hiri dhe gazrat. Në vitin 1902, kur shpërtheu mali Pele, qyteti Shën Pier u përfshi nga një përmbytje piroklastike që vrau afro 30.000 njerëz, bilanci më i rëndë i këtij lloji në 200 vitet e fundit. Vetëm pak njerëz mbijetuan.

4. Vullkanet janë të lidhura me fatkeqësi të tjera natyrore

Ekziston një lidhje midis vullkaneve dhe ngjarjeve të tjera natyrore potencialisht shkatërruese. Një nga këto lidhje janë tërmetet vullkanike. Këto tërmete, ose dridhje vullkanike, tregojnë aktivitetin e magmës.

Për shkak se mund të jetë një pararendës i një shpërthimi, ne mund ta përdorim këtë njohuri si një sistem paralajmërimi. Kur ndodhin këto lloj tërmetesh, njerëzit që jetojnë në afërsi me vullkanin mund të evakuohen. Rrëshqitjet e baltës vullkanike quhen lahars, dhe janë një masë mbeturinash dhe uji që rrjedh me shpejtësi.

Ajo i ngjan betonit të lagësht që rrjedh nëpër shpatin e një vullkani, dhe që shpesh derdhet nëpër luginat e lumenjve. Ato kanë varrosur qytete të tëra. Vullkanet kanë shkaktuar edhe cunami. Më i keqi ishte një cunami i shkaktuar nga një shpërthim i malit Krakatoa në Indonezi në vitin 1883. Dallgët që arritën deri në 49 metra lartësi vranë 36.000 njerëz. 

5. Vullkanet e formuara në Hauai

Aktiviteti vullkanik është përgjegjës për 80 për qind të sipërfaqes së Tokës, si mbi po ashtu edhe nën nivelin e detit. Emetimet vullkanike ishin thelbësore për krijimin e oqeaneve të para dhe atmosferës sonë. Dhe ndonëse janë më të mundshme shpërthimet vullkanike në Unazën e Zjarrit, ka edhe vatra të tjera aktive.

Një prej tyre është Hauai. Ai ka gjithsej 137 ishuj, të cilët nisën të formohen dhjetëra miliona vjet më parë nga shpërthimet vullkanike nënujore. Ndërsa llava po ftohej, ajo u ngurtësua dhe krijoi ishuj. Ndryshimet në Pllakën e Paqësorit vazhdojnë të formojnë Ishujt Hauai edhe sot e kësaj dite. Vullkani më i madh aktiv në botë, Mauna Loa, ndodhet pikërisht në Hauai./ "Discover Magazine" - Përshtatur në shqip nga CNA.al





Lajmet e fundit nga