web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Samiti i NATO-s në Shqipëri anulohet? Zhulali: Ja për çfarë arsyesh mund të ndodhë

3 Korrik 2026, 22:10, Aktualitet CNA

Samiti i NATO-s në Shqipëri anulohet? Zhulali: Ja për

Ekspertja e politikës, Ilda Zhulali është shprehur mbrëmjen e sotme se zhvillimi i samitit të NATO-s në Shqipëri do të ishte një arritje e rëndësishme për vendin, por sipas saj, situata aktuale politike mund ta vërë në pikëpyetje organizimin e tij.

Në një lidhje me Syri Tv, Zhulali theksoi se Shqipëria nuk ka përmbushur plotësisht detyrimet financiare në kuadër të NATO-s, duke shtuar se ky mund të përdoret si një argument në diskutimet për zhvillimin e samitit.

Ndër të tjera ajo foli edhe për zhvillimet në Kongresin Amerikan, ku tha se nëse do të ecë përpara amendamenti i propozuar nga kongresmeni Joe Wilson dhe do të diskutohen lidhjet që ajo pretendon se ekzistojnë mes qeverisë shqiptare dhe narkotrafikut, atëherë mbajtja e samitit të NATO-s në Shqipëri do të bëhej e vështirë.

Sipas saj, një situatë e tillë do të kishte pasoja zinxhir, duke ndikuar jo vetëm te organizimi i samitit, por edhe te imazhi i vendit.

"Zhvillimi i samitit të NATO-s në Shqipëri do të ishte një arritje shumë e madhe për Shqipërinë, por me një kryeministër si Edi Rama që është ndërruar në një autokrat dhe që ka ndërtuar një narkoshtet në zemër të Europës, kjo do të ishte një njollë njëkohësisht për aleancën.

Të mos harrojmë këtu edhe mosplotësimin e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, të kuotës financiare të cilës i është vendosur një dysheme dhe Shqipëria nuk e ka arritur këtë gjë, dhe ky është sigurisht një diskutim në zemër të debatit. Por nuk është ky thelbi dhe arsyeja kryesore që do të çojë në një anulim të mundshëm të këtij samiti. Ky do të ishte vetëm një pretekst nëse ndodh kjo, sepse ende ne nuk kemi një konfirmim zyrtar. E kemi si një lajm të nxjerrë, të tregtuar në një farë mënyre nga agjencia e Reuters, por në të njëjtën kohë nuk kemi një mohim të këtij lajmi nga Edi Rama.

Dhe nëse çështja në Kongresin Amerikan vijon siç po duket që ka marrë tashmë rrugën e vet, pra Edi Rama dhe lidhjet e qeverisë së tij me narkotrafikun do të shtrohen për diskutim dhe do të miratohet amendamenti i propozuar nga kongresmeni Wilson, kjo do ta bënte të pamundur në një farë mënyre mbajtjen e samitit këtu. Sepse për sa kohë ky kryeministër është nën monitorim të rreptë dhe nën lupën e agjencive ligjzbatuese amerikane për lidhjet me narkoshtetin, as që mendohet pastaj zhvillimi i samitit të NATO-s nën mbikëqyrjen apo kujdesin e tij dhe qeverisë së tij, pasi thashë kjo do të njolloste të gjithë aleancën së bashku. Prandaj kjo ka efekte domino, njëra pas tjetrës. Por efektet e para të menjëhershme janë këto.

Më pas ajo që pritet është veprime edhe nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare, që të gjitha këto që dalin në dritë – dhe që kanë dalë në fakt prej kohësh në dritë edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga agjencitë ligjzbatuese amerikane apo europiane – të kenë ndjekje edhe në Shqipëri”, tha Zhulali. /CNA





Lajmet e fundit nga