web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kërkohet detyrimi i Kuvendit/ PD i drejtohet Kushtetueses për komisionet hetimore

3 Korrik 2026, 19:00, Aktualitet CNA

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës me Kuvendin e Shqipërisë, pasi ky i fundit refuzoi ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare.

Në këtë kërkesë, e cila është nënshkruar nga 46 deputetë dhe është dorëzuar në datën 03.04.2026, opozita kërkon që Gjykata Kushtetuese të detyrojë Kuvendin të ngrejë komisionet hetimore për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit . Po ashtu, kërkohet shpallja si e papajtueshme me Kushtetutën e vendimeve, përmes të cilave Kuvendi rrëzoi ngritjen e këtyre komisioneve.

Opozita argumenton se neni 77 i Kushtetutës e bën të detyrueshme ngritjen e një komisioni hetimor kur kërkohet nga 1/4 e deputetëve dhe se mazhoranca nuk mund të kushtëzojë këtë të drejtë. Ata pretendojnë se mazhoranca ka përdorur alibi për të penguar kontrollin parlamentar, duke theksuar se hetimi politik është i ndryshëm nga ai penal.

Nga ana tjetër, gjatë seancave parlamentare, mazhoranca ka argumentuar se kërkesat e opozitës ishin shumë të gjera dhe evazive, duke i cilësuar ato si "ekspedita peshkimi". Sipas qëndrimit të mazhorancës, Kuvendi nuk mund të ndërhyjë në kompetencat e drejtësisë duke realizuar hetime paralele për çështje që ndodhen tashmë nën hetim. /CNA





Lajmet e fundit nga