web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mbrëmjet e minimaturës mes luksit të shfrenuar dhe debatit publik

3 Korrik 2026, 18:56, Aktualitet CNA
Mbrëmjet e minimaturës mes luksit të shfrenuar dhe debatit publik
Foto ilustruese

Një fenomen që po komentohet gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale janë festimet e nxënësve që përfundojnë ciklin arsimor të 9-vjeçares. Më konkretisht të ashtuquajturat mbrëmjet e minimaturës.

Në shumë raste, mbrëmjet e minimaturës kanë humbur karakterin simbolik të përfundimit të një etape të rëndësishme shkollore dhe janë shndërruar në gara për shfaqjen e luksit apo videon që do të marrë më shumë shikime dhe pëlqime në rrjetet sociale.

Në këto festa nxënësit kryesisht të moshave 15 vjeç, shfaqen me veshje të shtrenjta, telefona të markave dhe llojeve të fundit, dhe ngasin automjete luksoze.

Pamjet e publikuara në rrjete të ndryshme sociale kanë treguar të rinjtë që ende nuk kanë mbushur moshën për të marrë patentën dhe për të drejtuar një makinë, duke u paraqitur në festa me automjete të nivelit të lartë, veshje të markave prestigjioze, aksesorë të kushtueshëm, ndërsa çdo dalje e tyre shoqërohet dhe me reagime. Për shumë të rinj, ky stil përfaqëson dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes.

Megjithatë, fenomeni ka nxitur edhe debate. Një reagim lidhur me këtë, ka bërë dhe drejtori i Aeronautikës, Alket Islami në rrjetet e tij sociale. Islami i ka cilësuar festat e klasave të 9-ta si “një dramë reale” dhe që sipas tij duhet të ndalen me urgjencë pasi po shkatërrojnë fëmijët.

"Festat e klasave të 9-ta një dramë reale!!!! Urgjent duhet të ndaleeen! Po s’pate Ferrari squhet!!! Po shkatërojmë fëmijët!!!”, thuhet në postimin e Islamit.

E ndërsa impenjimi në zgjedhjen e veshjeve të shtrenjta është i madh, impenjimi në mësime është shumë i vogël dhe kjo pasqyrohet në notat e tyre.

Fenomeni vjen në një kohë kur rezultatet e provimeve kombëtare të klasës së nëntë kanë nxitur diskutime mbi nivelin e përgatitjes së nxënësve. Kjo ka bërë që shumë qytetarë të shtrojnë pyetjen nëse vëmendja e të rinjve po përqendrohet më shumë te imazhi dhe ekspozimi publik sesa te arritjet në mësime.

Debati mbetet i hapur mes atyre që e shohin këtë fenomen si një ndryshim të mënyrës së jetesës dhe atyre që kërkojnë më shumë kujdes nga familjet, shkollat dhe institucionet për të promovuar vlera që lidhen me edukimin, meritën dhe përgjegjësinë, përpara imazhit që ndërtohet në rrjetet sociale. /CNA





Lajmet e fundit nga