LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Taksa globale ndaj korporatave dhe fundi i hiper-globalizimit

10 Qershor 2021, 06:16, Blog CNA
Taksa globale ndaj korporatave dhe fundi i hiper-globalizimit

Nga Dani Rodrik ?Project Syndicate?

Ekonomitë kryesore të botës, njoftuan arritjen më 5 qershor të një marrëveshje, e cila do të forcojë aftësinë e tyre për të rritur taksat mbi korporatat globale. Marrëveshja duhet të miratohet zyrtarisht nga një grup i madh vendesh, dhe ka ende shumë detaje që duhen përpunuar që ajo të jetë efektive.

Gjithsesi unë nuk e quaj të nxituar që ta përshkruhej si historike këtë marrëveshje. Marrëveshja e G7-ës ka 2 elementë kryesorë.

Së pari, propozon një taksë minimale globale prej 15 për qind për korporatat më të mëdha. Së dyti, një pjesë të fitimeve globale të këtyre korporatave, do t?u kthehet vendeve ku ato bëjnë biznes, pavarësisht nga vendndodhja e selisë së tyre qendrore.

Këto objektiva, janë një tregues i qartë se si janë duke u rishkruar rregullat e hiper-globalizimit aktual. Deri vonë, ishte kundërshtimi i SHBA-së, ai që e bllokoi këtë nismë. Tani administrata e presidentit Joe Biden, e ka si prioritet këtë reformë.

Që në vitet 1980 kur nisi gara për të përjashtuar nga taksat korporatat e mëdha, norma mesatare e barrës së tyre fiskale ka rënë nga gati 50 në rreth 24 për qind në vitin 2020. Shumë vende, u garantojnë atyre përjashtime fiskale bujare, që e ulin një numër njëshifror normën efektive të taksave.

Për më tepër, korporatat globale, kanë qenë në gjendje që t?i transferojnë fitimet e tyre në parajsat fiskale si në Ishujt Virxhin, Ishujt Kajman ose Bermuda. Duke lënë mënjanë pikëpyetjet rreth fizibilitetit administrativ, marrëveshja e re mund të përballet me dy kundërshtime të forta.

Mbrojtësit e drejtësisë tatimore do ta cilësojnë si shumë të ulët taksën prej 15 për qind, ndërsa shumë vende në zhvillim do ta cilësojnë atë si një kufizim të pajustifikuar, që do të pengojë aftësinë e tyre për të tërhequr investimet e huaja.

Marrëveshja e arritur nga G7, pasqyron 2 lloje shqetësimesh:pragu i ulët i taksës globale, mund të zbutë shqetësimet e vendeve në zhvillim, ndërsa ndarja globale e fitimeve do t?u jepte mundësi vendeve me teksa më të larta që të rimbursojnë disa nga të ardhurat e tyre të humbura.

Midis vendeve të zhvilluara, vetëm Irlanda, me një taksë në nivelin 12.5 për qind, është nën minimumin e propozuar. Por ka vende të vogla të tilla si Moldavia (12 për qind), Paraguai (10 për qind) dhe Uzbekistani (7.5 për qind), që i kanë vendosur nivelet e tyre të taksave enkas të ulëta për të tërhequr investitorë të huaj, të cilët i shohin si një burim të vendeve të punës me cilësi dhe të teknologjive të përparuara.

Në vende jo shumë mikpritëse për investime, taksat më të ulëta janë një nga mënyrat e pakta e të menjëhershme, përmes të cilave qeveritë mund të kompensojnë kompanitë për shumë dizavantazhe me të cilat përballen ato. Dhe normat efektive të taksave në disa vende aziatike,

si Singapori (ku norma bazë është 17 për qind, por norma më të ulëta zbatohen për disa biznese), mund të përfundojnë në anën e gabuar të minimumit.

Argumenti për vendosjen e një kufiri të poshtëm të përbashkët mbi taksimin e korporatave, është më i fortë në kushtet kur vendet kanë preferenca të ngjashme, dhe duan të shmangin ?dilemën e burgosurit?, në të cilën arsyeja e tyre e vetme për uljen e taksave, është të parandalojnë kapitalin që të shkojë diku tjetër.

Kjo mund të zbatohet për vendet më të zhvilluara, por sigurisht jo për të gjitha, siç e tregojnë edhe shembujt e Irlandës, Holandës dhe Singaporit. Por kur vendet ndryshojnë shumë sa i përket niveleve të zhvillimit dhe karakteristikave të tjera, ajo që është e përshtatshme për njërën, mund të jetë pengesë për rritjen e tjetrës.

Kur vendet e varfra mbajnë norma më të ulëta taksimi, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane me taksa të larta, mund të ankohen për humbjen e të ardhurave nga taksat. Por nuk ka asgjë ligj që t?i pengojë vendet e tilla të taksojnë kompanitë në vendet tyre me norma më të larta:ato mund të vendosin taksën mbi fitimet globale të kompanive vendase, të ndarë nga pjesa e të ardhurave që ata marrin nga tregu i brendshëm.

Dhe kjo është pikërisht ajo që parashikon pika e dytë e marrëveshjes së G7-ës. Sipas marrëveshjes, kompanitë më të mëdha shumëkombëshe me marzhe fitimi prej të paktën 10 për qind, do të duhet t?u japin 20 për qind të fitimeve të tyre globale vendeve ku shesin produktet dhe shërbimet e tyre.

Arsyeja pse SHBA-ja preferon një minimum global, përveç taksave kombëtare, është se nuk dëshiron që t?i vendosë korporatat e saj në dizavantazh në krahasim me kompanitë e vendeve të tjera, duke i taksuar ato me nivele dukshëm më të larta. Por ky motiv konkurrues, nuk ndryshon nga dëshira e vendeve të varfra për të tërhequr investime.

Nëse SHBA-ja dominon dhe këto të fundit humbin, kjo do të ndodhë për shkak të fuqisë relative, dhe jo të logjikës ekonomike. Në fillim administrata Bajden donte që taksa minimale globale të ishte 21 për qind. Kompromisi përfundimtar për nivelin 15 për qind, mund të jetë mjaft i ulët për të minimizuar tensionet me vendet e varfra, dhe për t?i bindur këto të fundit që ta nënshkruajnë marrëveshjen.

Ajo që është tashmë  e qartë, është se vendet që veprojnë si parajsa fiskale të, kanë pak arsye pak për t?u ankuar. Ato u kanë bërë korporatave globale një shërbim të shkëlqyer duke lehtësuar shmangien e taksave, me një kosto të konsiderueshme për financat e vendeve të tjera. Rregullat globale, janë plotësisht të justifikuara për të parandaluar një veprim të tillë. Ndaj marrëveshja e G7-ës, është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

Shënim:Dani Rodrik, është profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare në Shkollën e Qeverisë John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit, SHBA./CNA.al

Lajmet e fundit nga