LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Amerika mbetet e domosdoshme për garantimin e paqes në Lindjen e Mesme

3 Qershor 2021, 07:05, Blog CNA
Amerika mbetet e domosdoshme për garantimin e paqes në Lindjen e Mesme

Nga Joschka Fischer ?Project Syndicate?

Përveç pandemisë aktuale, kjo dekadë po karakterizohet tashmë nga rikthimi i rivaliteteve mes fuqive të mëdha. Pak zhvillime mund të jenë më kërcënuese për paqen në botë sesa ato. Tri luftëra botërore – dy prej tyre të nxehta, dhe një e ftohtë – gjatë shekullit XX-të, e theksuan mjaftueshëm rrezikun e konkurrencës së fortë gjeopolitike.

Për shumë analistë, epoka e rivalitetit mes fuqive të mëdha, u duk se përfundoi një herë e përgjithmonë me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Por ky supozim rezultoi të ishte një nga gabimet më të rënda të periudhës së pas Luftës së Ftohtë (një kohë që ishte e mbushur me gabime dhe keqkuptime të mëdha).

Supozimi i elitave politike të SHBA-së mbi një perandori globale amerikane – i një momenti vërtetë unipolar në historinë e botës – nuk mund të mbështetej mbi faktet reale. Dhe as ?paqja e përjetshme? që parashikuan evropianët pas ?fundit të historisë? në vitin 1989, kur u supozua se demokracia liberale perëndimore dhe ekonomia e tregut, triumfuan mbi të gjitha alternativat e tjera.

Përkundrazi, dekadat që nga fundi i Luftës së Ftohtë janë karakterizuar nga një degradim i rendit ndërkombëtar. Si fuqia e fundit globale e mbetur në këmbë, Shtetet e Bashkuara e rraskapitën veten në luftëra të pakuptimta në Mesopotami dhe Hindu Kush, dhe që atëherë ky vend është bërë gjithnjë e më i mbyllur në vetvete.

Sistemi ndërkombëtar që ndërtoi Amerika pas Luftës së Dytë Botërore filloi të shpërbëhej, duke lënë pas vakuume të pushtetit që u përpoqën t?i mbushnin fuqitë e tjera si Rusia, Kina, Turqia, Irani dhe Arabia Saudite. Ç?është më e keqja, u rikthye befas në vëmendje rreziku i përhapjes së armëve bërthamore, kur fuqitë më të vogla rajonale filluan të grumbullonin arsenalet e tyre.

Për më tepër, pikërisht gjatë dekadës Kina u shfaq si një fuqi globale e aftë të sfidonte hegjemoninë në fuqi. Rivaliteti i ri u materializua plotësisht pas zgjedhjes së presidenti Donald Trump në vitin 2016. Amerika nisi të ndiqte një axhendë gjithnjë e më nacionaliste, dhe kaosi brenda nga sistemit global buronte gjithnjë e më shumë nga maja.

Vakuumi i pushtetit nuk rezultoi askund tjetër më problematik sesa në Lindjen e Mesme. SHBA-ja i dha fund luftës së saj të shtrenjtë dhe absurde në Irak, dhe më pas mposhti Shtetin Islamik në Siri. Pasi u bë e vetë-mbështetur në aspektin energjetik përmes naftës dhe gazit të nxjerrë nga shistit argjilor, Amerika shpalli synimet e saj për një tërheqje më të plotë ushtarake nga rajoni.

Ndërkohë,Irani ishte gati që ta shfrytëzonte largimin e SHBA-së. Shumë shpejt ai nisi një luftë të përshkallëzuar me Arabinë Saudite, Emiratet e Gjirit dhe Izraelin për hegjemoninë në rajon, duke nxitur një luftë të tmerrshme përmes milicive të mbështetura prej tij në Jemen.

Përveç sinjalizimit të hapur të qëllimit të saj për t?u tërhequr nga rajoni, administrata Trump e braktisi rolin tradicional të Amerikës në konfliktin Izraelito-Palestinez. Për dekada me radhë, administratat e njëpasnjëshme amerikane kishin ndërmjetësuar negociatat mes palëve për një zgjidhje me dy shtete, dhe për një kompromis të drejtë midis Izraelit dhe Palestinezëve, edhe pse Uashingtoni mbeti plotësisht i përkushtuar në mbrojtje të Izraelit.

Por administrata Trump e mbështeti Izraelin plotësisht dhe pa kushte, duke krijuar përshtypjen se palestinezët nuk kishin më asnjë rol për të luajtur. Qasja e asaj administrate, së bashku me rrezikun që buron nga Irani, çuan në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe 4 shteteve arabe, duke përfshirë 2 në Gjirin Persik, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.

Por me përleshjen e fundit të armatosur midis Hamasit dhe Izraelit, është zhdukur ideja sipas së cilës palestinezët thjesht mund të anashkaloheshin përgjithmonë.

Ndryshe nga episodet e mëparshme ku ka pasur përplasje midis qytetarëve hebrenj dhe arabë në qytetet etnikisht të përziera në të gjithë Izraelin, konflikti i fundit solli përplasje të dhunshme në Malin e Tempullit përreth xhamisë Al-Aksa.

Katër leksione duhet të nxirren tani pas arritjes së armëpushimit.

Së pari, edhe nëse një zgjidhje me dy shtete nuk duket më realiste, heqja dorë nga politika e saj do të çojë pak a shumë në një përplasje direkte shumë më të egër.

Së dyti, palestinezët dhe izraelitët arabë nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe të lejojnë që të injorohen në vendbanimet e tyre. Së treti, pushtimi izraelit nuk mund të vazhdojë për një kohë të pacaktuar. Dhe së katërti,SHBA-ja nuk mund ta braktisë këtë rajoni vetëm për shkak të mungesës së interesit, të paktën jo nëse dëshiron që të ruajë rolin e saj si fuqia kryesore globale.

Rikthimi i konfliktit izraelito-palestinez nxjerrë në pah shpërndarjen reale të fuqisë në Lindjen e Mesme. Pavarësisht gjithë ndryshimeve në dekadat e fundit, fakti është se stabiliteti atje varet nga SHBA.

Megjithëse Amerika nuk dëshiron të angazhohet më në këtë rajon, ajo nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojë ta bëjë këtë, në mënyrë që të mos kalohet nga një konflikt rajonal në një luftë globale me rrezik përdorimin e armëve bërthamore.

Pra,Lindja e Mesme po dëshmon se është ?Ballkani? i këtij shekulli. Ashtu si në ish-Jugosllavinë e viteve 1990, Amerika është e vetmja fuqi globale ose rajonale, e aftë të garantojë paqen rajonale, ose të paktën të shmangë luftën totale. Rusia do të donte shumë që ta merrte këtë rol, por nuk mundet.

Sa i përket Kinës, ajo nuk ka interes të marrë rolin e Amerikës në Lindjen e Mesme, por as nuk mund ta bëjë këtë edhe nëse do të dëshironte. Regjimi kinez nuk do të bëhet garant i një rendi global përtej kufijve të tij. Po Evropa?

Ndonëse do të ishte një nga viktimat kryesore të destabilizimit rajonal, ajo nuk është më një forcë që duhet llogaritur në këtë ekuacion. Ndaj ajo e ka zvogëluar përfshirjen e saj në sigurimin e burimeve financiare në përgjigje të krizës së fundit. Edhe ajo po luan një rol të rëndësishëm mbështetës.

Në mesin e lojtarëve rajonalë, Turqia do të donte të zinte rolin e SHBA-së në rajon, por Ankaraja pengohet nga dobësitë e veta dhe historia e zymtë e rolit të Perandorisë Osmane në Lindjen e Mesme. Irani dhe Arabia Saudite synojnë të arrijnë synimet e tyre për hegjemoni brenda botës islamike.

Dhe Izraeli është dhe do të mbetet i përqendruar në mbrojtjen e vetes. Kjo e lë SHBA-në të vetme në këtë detyrë. Pavarësisht gabimeve të saj të së kaluarës në politikën e jashtme, Amerika është i vetmi vend me mendësitë e nevojshme politike dhe fuqinë teknologjike, ekonomike dhe ushtarake, për të ushtruar një ndikim të moderuar në rajon. Rezultati më ikeq për rendin ndërkombëtar do të ishte prirja e vazhdueshme e SHBA-së drejt vetë-izolimit. Presidenca e Trump, e tregoi se sa e rrezikshme mund të jetë ajo.

Shënim:Joschka Fischer, Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005, ka qenë për gati 20 vjet udhëheqës i Partisë së Gjelbër Gjermane./CNA.al

Lajmet e fundit nga