LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse duhet një Nuremberg për krimet e komunizmit

27 Maj 2021, 06:54, Blog CNA
Pse duhet një Nuremberg për krimet e komunizmit

Nga Renato Cristin ?American Thinker?

Më 9 nëntor të vitit 1989, u rrëzua plot bujë Muri i Berlinit, i dërrmuar nga paqëndrueshmëria e regjimit komunist në Gjermaninë Lindore, por edhe nga presioni që shtetet e botës së lirë kishin ushtruar për gati gjysmë shekulli mbi Bashkimin Sovjetik dhe sferën e tij të ndikimit.

Rënia e Murit ishte simbol i dështimit të një sistemi gjigant të burgimit të popujve, të individëve dhe të ndërgjegjes së tyre, në atë lloj Gulagu gjigant që shtrihej nga Bashkimi Sovjetik në të gjitha vendet e Evropës Lindore, që ranë viktimë e komunizmit.

Pas zhdukjes së përbindëshit sovjetik, që ishte financuesi i madh i lëvizjeve komuniste

në mbarë botën, u duk sikur komunizmi në Perëndim mund të shuhej ose të paktën të reduktohej në grupime të vogla nostalgjikësh, siç kishte ndodhur me nazizmin dhe nazistët e paktë të shpërndarë nëpër botë.

Në fakt, sistemi sovjetik u mund jo vetëm falë veprimeve të Perëndimit, por edhe sepse ishte i urryer nga popujt që kishte nënshtruar në kaq shumë vende, dhe për këtë arsye u sabotua nga brenda. Rënia e këtij sistemi, duhej të kishte shënuar në fakt edhe fundin e ideologjisë së tij.

Por përkundër çdo logjike dhe racionaliteti historik ajo ideologji ka mbijetuar, dhe çka është edhe më irracionale, ai është forcuar në disa aspekte, duke shtuar radhët e saj në të gjithë botën perëndimore (ndërsa në Kinë dhe disa vende të tjera si Kuba, ai nuk u rrëzua kurrë).

Pse ndodhi kjo? Pse kemi parë ndër dekada një mori librash dhe artikujsh që lavdërojnë komunizmin dhe udhëheqësit e tij të poshtër? Gati asnjë autoritet, politik, fetar apo civil, nuk ngriti zërin për ta dënuar një paturpësi të tillë, një shfaqje të tillë të arrogancës ideologjike, dhe të pandjeshmërisë ndaj më shumë se 100 milionë viktimave të shkaktuara nga ajo ideologji.

Përgjigja është e thjeshtë dhe njëherazi zhgënjyese: sepse në të gjithë botën ekziston një rrjet sigurie që shtrihet tek të gjithë sektorët e shoqërisë, dhe që ushtron një ndikim shumë të fortë në opinionin publik. Ideologjia socialist-komuniste (në të gjitha variantet e saj), sot është në fakt dominuese në masmedia, sistemin arsimor (universitete dhe shkolla), në shoubiz, në botën e botimeve, kulturës dhe artit.

Personaliteti i madh i disidencës sovjetikë si Vladimir Bukovski, ka deklaruar shpesh se për t?iu kundërvënë kësaj rilindjeje, dhe për të vënë drejtësi për më shumë se 100 milionë vdekje që ka shkaktuar komunizmi në të gjithë botën, dhe për shumë të tjerë të persekutuar nga regjime të ndryshme komuniste, ishte e nevojshme që të dënoheshin jo vetëm ato krime, por edhe ideologjia që i frymëzoi ato.

Për këtë arsye, në verën e vitit 2019, së bashku me Bukovskin vendosa të nisja një fushatë për të pasur një Nuremberg për komunizmin, përmes së cilës do të përmbushja një domosdoshmëri morale, por akoma më shumë politike dhe kulturore:dënimin e komunizmit si një regjim dhe si një ideologji, demaskimin e gënjeshtrave të tij, dhe për të parandaluar përhapjen e tyre.

Në fakt, kjo ideologji është ende shumë aktive dhe e rrezikshme, jo vetëm në qeverisje, por edhe në format e shumta politike dhe të lëvizjes brenda vendeve liberal-demokratike. Lufta e Ftohtë, nuk ishte vetëm një përballjeje ushtarake, por mbi të gjitha një luftë ideologjike, dhe një luftë midis botëkuptimeve.

Edhe pse Perëndimi e fitoi atë në nivelin ushtarak dhe ekonomik, në aspektin ideologjik loja është ende e hapur, dhe Perëndimi, i konsideruar si atdheu i lirive, rrezikon që ta humbasë atë. Prandaj, duke e risjellë në vëmendje këtë tezë, ne duhet t?i bëjmë vetes një pyetje thelbësore:nëse ideologjia komuniste nuk ka vdekur, dhe për këtë arsye nëse ajo nuk e ka ndalur kurrë luftën ndaj sistemit shoqëror, ekonomik dhe kulturor perëndimor, dhe pse bota e lirë e ka ndalur luftën e saj kundër këtij armiku ideologjik?

Krahas ?përplasjes së civilizimeve? (sipas përkufizimit të Samuel Hantingtonit), sot ka edhe një përplasje midis ideologjive. Përplasja mes civilizimeve, ka qenë e dukshme në sulmet e panumërta që organizatat e ndryshme të fondamentalizmit islamik kanë kryer kundër botës perëndimore që nga 11 shtatori 2001.

Por përplasja e dytë mbetet e fshehur, dhe ka mundur të depërtojë në të gjitha cepat e shoqërive perëndimore. Vitet e fundit, ne kemi vërejtur gjithashtu një lidhje progresive midis islamizmit dhe komunizmit, siç po ndodh për shembull në Venezuelë, ku këshilltarët ushtarakë iranianë dhe milicët e Hezbollahut kanë punuar për vite me radhë me regjimin socialist të Hugo Çavezit dhe Nikolas Maduros.

Apo siç po ndodh në një mënyrë më pak të spikatur, por jo më pak të rrezikshme në disa organizata ndërkombëtare, nga OKB-ja te OJQ-të e ndryshme, ku një orientim pro-islamik është i ndërthurur me marksizmin kulturor, duke i dhënë jetë një lëvizjeje ideologjike që dominon, si për shembull ligjërimi mbi emigracionin (teoria e Emigracionit Zëvendësues) ose qëndrimi ndaj Izraelit ( raporti i fundit nga Human Rights Watch është një sintezë e përsosur e neo-marksizmit dhe pro-islamizmit).

Kjo iniciativë e Nurembergut është e domosdoshme, në mënyrë që masakrat dhe gjenocidet e regjimeve dhe lëvizjeve të ndryshme komuniste t?i nënshtrohen zyrtarisht procedurave penale, për të de-intoksikuar vetëdijen kolektive historike nga helmet që ideologjia komuniste ka përhapur kudo.

Ne duhet të ri-balancojmë ndërgjegjen morale të botës perëndimore, të asaj bote të lirë që shumë shpesh, nga përtacia apo naiviteti, fsheh të vërtetën mbi komunizmit, duke fshehur thelbin e tij kriminal. Kjo nismë duhet të zhvillohet në tre nivele të ndërlidhura ngushtë:

Një linjë specifike kulturore (historiografike, filozofike, sociologjike, psikologjike, politike dhe gjeopolitike); një linjë ligjore (për të shqyrtuar mundësitë konkrete të procedimit përmes ligjit penal, si për sa i përket çështjeve specifike, ashtu edhe për sa i përket krimit të gjenocidit që karakterizon masakrat, të tilla si Holodomor (uria e fshatarëve ukrainas e shkaktuar nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1932- 1933), dhe një linjë politike dhe institucionale e cila duhet të përfshijë qeveritë që janë të ndjeshme ndaj idesë së një dënimi politik dhe moral të komunizmit dhe Parlamentin Evropian, në mënyrë që të plotësojë rezolutën e miratuar nga ky i fundit në shtatorin e vitit 2019.

Për të realizuar projektin e një ?Nurembergu për Komunizmin?, duhet që ai të pranohet jo vetëm nga njerëzit që shqetësohen për lirinë politike, të vërtetën historike dhe drejtësinë morale, dhe jo vetëm nga organizatat dhe fondacionet që mbrojnë vlerat dhe parimet e traditës perëndimore nga çdo lloj totalitarizmi, por edhe nga institucionet politike kombëtare dhe ndërkombëtare, për të arritur hartimin dhe miratimin e një rezolute zyrtare që dënon krimet e komunizmit dhe ideologjinë e tij.

Për këtë synim, është e nevojshme që ajo të merret dhe promovohet nga udhëheqës politikë inteligjentë dhe të ndjeshëm, të cilët kanë guximin t`i kundërvihen valës së ?korrektesës politike?, që po përfshin të gjitha shoqëritë perëndimore./CNA.al

Lajmet e fundit nga