LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si do të ndikojë izolimi në imunitetin afatgjatë të njerëzve?

21 Maj 2021, 06:33, Blog CNA

Nga Amelia Tait ?The Guardian?

Sa herë që ju puthni një qenie tjetër njerëzore për 10 sekonda, nga goja në gojë transferohen më shumë se 80 milionë baktere. Nëse jeni në një festë dhe e zhysni 3 herë gishtin tek një ushqim i caktuar sa për ta provuar, rreth 10.000 baktere do të transferohen menjëherë në buzët tuaja.

Thojini ?përshëndetje? bashkë-punëtorëve tuaj ndërkohë që uleni në tryezën e punës, dhe mbi 10 milionë baktere që ndodhen në sipërfaqen e saj do t`ju ?përshëndesin?.Sado të frikshme që mund të duken këto shifra, shumë shkencëtarë besojnë se ekspozimi ndaj këtyre mikrobeve ndihmon në rregullimin e imunitetit të sistemit tonë, pasi krijojnë një rrjet qelizash dhe molekulash që na mbrojnë nga sëmundjet.

Në vitin 1989, epidemiologu Dejvid Strakan së pari prezantoi për herë të parë?hipotezën e higjienës? – pra idenë se të qenit shumë të pastër shkakton defekte në sistemin imunitar, duke çuar në një rritje të sëmundjeve inflamatore, si astma dhe alergjitë.

Ndërsa teoria e Strakan diskutohet ende, dhe vetë higjiena kursen jetë të panumërta, dekada të tëra studimesh e mbështesin idenë se ekspozimi ndaj mikrobeve ndihmon në zhvillimin e sistemit imunitar. Por prisni një minutë. Në pjesën më të madhe të vitit të shkuar, shumë prej nesh nuk kanë puthur njerëz të tjerë përveç familjarëve, as kanë marrë pjesë nëpër festa apo të jenë ulur për të punuar në një zyrë të mbushur me njerëz.

Përkundrazi, ne kemi qëndruar të mbyllur në shtëpitë tona, duke pastruar duart sa herë që shkonim në dyqan, teksa risillnim ndërmend kujtimet e largëta të kohës kur frekuentonim restorantet dhe palestrat. Pra, çfarë ka ndodhur me sistemin tonë imunitar gjatë bllokimit? Dhe çfarë do të ndodhë me ne tani që Britania po rihapet?

Graham Ruk, mikrobiolog në Kolegjin Universitetit të Londrës, propozoi në vitin 2003 një alternativë ndaj hipotezës së higjienë. ?Hipoteza e miqve të vjetër? e Ruk pretendon se ndërsa njerëzit evoluuan, edhe sistemet tona imune mësuan që të përballen me mikrobet përreth nesh në botën natyrore.

Ruk argumenton se ne duhet të ekspozohemi ndaj këtyre mikrobeve, në mënyrë që sistemet tona imune të zhvillohen siç duhet. (Hipoteza e higjienës e Strakan përqendrohej tek infeksionet, ndërsa Ruk fokusohet tek mikroorganizmat më të padëmshëm).

?Sistemi ynë imunitar është një sistem mësimor, ashtu si truri?- thotë Ruk, duke shpjeguar se ky sistem ka dy degë. Ne kemi lindur me një sistem imunitar ?të lindur? të koduar në gjenet tona, por ai?akordohet? nga sistemi ynë imunitar ?adaptiv? që mbledh të dhëna nga mikrobet përreth nesh, për të përcaktuar se cilat janë të sigurta dhe cilat janë të rrezikshme.

Pa të dhënat e duhura, sistemi ynë imunitar fillon të sulmojë gjëra që nuk duhet t?i sulmojë, duke na shkaktuar alergji, astmë dhe sëmundje autoimune (kur sistemi imunitar synon indet e trupit tonë).

Së pari, ka një lajm të mirë. Kur mbërrijmë në moshë të rritur, kemi hasur tashmë në një mori mikrobesh. Mikrobiota juaj – triliona mikrobe që jetojnë me ne – është ?shumë e qëndrueshme dhe e mirë-vendosur? thotë Ruk. Prandaj, vetëm 1 vit izolimi nuk ka gjasa që të dëmtojë rëndë mekanizmat rregullues të sistemit tuaj imunitar.

Por kur bëhet fjalë për fëmijët, Ruk dhe shkencëtarët e tjerë janë të shqetësuar në lidhje me efektet e masave të bllokimit. ?Një fëmijë në katin e 24-të të një pallati nuk e ka të plotë mikrobiotën e tij?-thotë Ruk, që thekson se qëndrimi në ambiente të mbyllura larg botës natyrore dhe njerëzve të tjerë kufizon qasjen tek mikrobet, ashtu siç ndikon edhe pasja e një diete ushqimore të larmishme.

Briam Bridëll është një imunolog në Universitetin e Guelfit në Kanada. Në fillim të bllokimeve globale, Bridëll nuk ishte shumë i shqetësuar për zhvillimin imunitar të fëmijëve, pasi tek e fundit fëmijët qëndrojnë shpesh në shtëpi për disa javë kur janë të sëmurë apo gjatë pushimeve të verës.

?Por problemi është tani që kemi mbi 1 vit e ca të bllokuar. Dhe po flasim për një pjesë të madhe të zhvillimit të sistemit imunitar. Ndaj është e vështirë të imagjinohet që kjo të mos ketë një ndikim negativ tek fëmijët tanë?-thotë ai.

Ashtu si Ruk, edhe Bridëll shqetësohet për një rritje të çrregullimeve imunologjike të shkaktuara nga bllokimi, i cili e kufizon ekspozimin e fëmijëve ndaj botës natyrore. Madje edhe para pandemisë, shkencëtarët arritën të dokumentojnë se ?ata që rriten në qendrat e mëdha urbane, kanë tendencën të preken më shumë nga alergjitë, astma dhe sëmundjet autoimune?.

Bridell thotë se ndërsa sistemi imunitar nuk maturohet plotësisht deri në adoleshencë, periudha nga lindja deri në moshën 6-vjeçare është periudha kritike për zhvillimin e tij. Studime të ndryshme kanë zbuluar probleme që mund të lindin kur foshnjat kanë një ekspozim të kufizuar ndaj mikrobeve.

Kështu është vërtetuar se fëmijët e lindur me prerje cezariane, janë më pak të ekspozuar ndaj mikrobiotës së nënës së tyre sesa të tjerët. Ndaj,ata kanë statistikisht më shumë gjasa të vuajnë nga alergji dhe sëmundje inflamatore.

Një studim i vitit 2014 nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Shkolla e Shëndetit Publik Bloomberg, zbuloi se fëmijëve që u jepen sasi të përsëritura antibiotikësh në fillim të jetës, përballen me një rrezik më të madh nga mbipesha (studiuesit teorizuan se ilaçi vriste bakteret e mira në zorrët e fëmijëve).

Çrregullimet imunologjike janë një gjë, por çfarë ndodh me infeksionet virale? Shumë prej nesh – të rritur dhe fëmijë – nuk kanë nuhatur dhe aq shumë për një vit të tërë:A do të thotë kjo se sistemi ynë imunitar, do të jetë i keq-pajisur për t?u përballur me viruse ndërsa bota po rihapet?

Kur midis tetorit dhe nëntorit të vitit 2020 në Hong Kong u rihapën shkollat pas një mbyllje 3-mujore, u raportua një numër i madh rastesh me të ftohurën e zakonshme. Në janar të këtij viti, të dhënat e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm, zbuluan se nivelet e gripit kishin rënë në një minimum prej 130 vjetësh.

Studiuesit argumentuan se ndalimet e udhëtimeve, distancimi social dhe larja e duarve, ndihmuan në ndalimin e përhapjes së virusit. Ndërsa ky mund të tingëllojë si një lajm i mirë, Bridëll thotë se kjo gjë na vendos në një pozitë më të dobët kur të mbërrijë sezoni i ardhshëm i gripit, sidomos për të moshuarit dhe për më të rinjtë.

Edhe Ruk mendon se ekspozimi i kufizuar ndaj mikrobeve prej me shumë se 1 viti, mund të prekë të moshuarit. Ai rekomandon që fëmijët të vazhdojnë të ekspozohen ndaj mjedisit natyror dhe ?të vrapojnë nëpër parqe sa më shpesh që të jetë e mundur?./ CNA.al

Marrë me shkurtime.

Lajmet e fundit nga