LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Tentoi të ndalonte një ves njerëzor, por Prohibicioni ndihmoi në fuqizimin e mafias në SHBA

17 Janar 2020, 07:15, Blog CNA

Më 16 janar 1920, hyri në fuqi në SHBA Amendamenti i 18-të i Kushtetutës, që ndalonte ?prodhimin, shitjen ose transportimin e pijeve dehëse?. De fakto, ligji nisi të zbatohej një dotë më vonë. Kështu në mbarë Shtetet e Bashkuara, shumë bare dhe restorante shërbyen për herë të fundit ?pijet e demonit?.

Ata u servirën klientëve gota falas me verë dhe uiski. Në një epokë kur liria individuale ishte gjithçka, është tronditës fakti që në vendin më të zhvilluar dhe më dinamik në botë ndalimi i konsumit të alkoolit zgjati për thuajse 14 vjet. Sot shumëkush mendon se Prohibicioni ishte një eksperiment i dështuar social, duke e lidhur atë në mënyrë instiktive me imazhet e gangsterit Al Kapone, mafias dhe Masakrës së Ditës së Shën Valentinit.

Në fakt, fushata për të ndaluar tërësisht përdorimin e alkoolit,  ishte e rrënjosur thellë në shoqërinë anglo-amerikane për rreth 2 shekuj. Për shembull, Shoqëria Amerikane për Promovimin e Temperamentit u themelua në vitin 1826, dhe gjatë dekadës që pasoi mbi 1 milionë amerikan i përkisnin këtij grupimi, që ishte qartazi kundër alkoolit.

Larg nga të qenit tipa autoritarë, mbështetësit kryesorë protestantë të Prohibicionit – një pjesë e madhe e të cilave ishin gra të klasës së mesme dhe të arsimuara – ishin bamirësit më të rëndësishëm. Duke qenë shumë besimtarë, ata e panë ligjin si një lloj reforme sociale, si një ?kryqëzatë? për të pastruar qytetet amerikane nga veset, dhe për të rikthyer virtytet themeltare të republikës.

Shteti i parë që ndaloi plotësisht alkoolin ishte Nju Inglënd, një bastion i protestanizmit në vitin 1851. Ndërkohë në nivel kombëtar, Prohibicion kërkoi një kohë shumë më të gjatë, për të zbritur në terren. Edhe në Nju Inglënd ligji u shfuqizua vetëm 5 vjet më vonë.

Shumë aktivistë menduan se nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të merrnin ligjin në duart e tyre. Një shembull i shquar ishte Kerri Neshën një ungjillore fanatike, një grua gati 2 m e gjatë. Ajo shkonte nëpër lokale dhe kërcënonte pronarët dhe klientët, ose niste të thyente me një shkop shishet e alkoolit në banak, teksa dhjetëra gra këndonin psallme kishtare.

E arrestuar më shumë se 30 herë para vdekjes së saj në vitin 1911, ajo i gjente paratë për gjobat  e vendosura nga gjykata nga shitja e kapeleve. Në atë kohë, fushata pro Prohibicionit po gjente një mbështetje në rritje. Një brez ligjvënësish reformatorë protestantë, përdorën fuqinë e shtetit për të rregulluar disi anarkinë e qyteteve. Ndalimi zyrtar nisi të nxiste prodhimin e jashtëligjshëm të alkoolit.

Në vitin 1916, rreth 26 nga 48 shtete e kishin ndaluar tashmë konsumin e alkoolit. Dhe kur Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Parë Botërore, Prohibicioni u identifikua me patriotizmin.Në  fillim të vitit 1920 ai u bë një ligj kombëtar. Fatkeqësisht, qeveria federale nuk ishte e përgatitur si duhet për ta zbatuar atë. Vetëm 1.500 agjentë federalë u ngarkuan me detyrën e zbatimit të Prohibicionit, ose rreth 30 agjentë për çdo shtet. Për më tepër, ligji nuk pati kurrë një mbështetje publike unanime, ndërsa vendet fqinje vazhduan të lejojnë përdorimin e alkoolit. As Meksika dhe as Kanadaja, nuk kishin ndonjë qëllim të ndalonin birraritë dhe distileritë pranë kufirit amerikan.

Mbi të gjitha, shumë amerikanë ishin të vendosur të pinin me çdo kusht alkool. Baret ku konsumohej në mënyrë të paligjshme alkool kishin lulëzuar prej kohësh në qytetet e mëdha, të paktën që nga fundi i viteve 1880. Por tashmë ato ?lulëzuan? si kurrë më parë.

Historianët vlerësojnë se deri në vitin 1925, kishte të paktën 100 mijë bare të paligjshme vetëm në qytetin e Nju Jorkut. Në Detroit, që gjendej pranë kufirit kanadez, kontrabandistët përdorën ndarje të fshehta nëpër makina dhe valixhe, për të futur alkoolin në qytet. Natyrisht, përfituesit e mëdhenj nga Prohibicioni ishin bandat kriminale.

Vetëm një orë pasi ligji hyri në fuqi, policia regjistroi përpjekjen e parë për ta shkelur atë. Gjashtë burra të armatosur vodhën rreth 100.000 dollarë uiski ?medicinal? nga një tren në Çikago. Që në fillim, kriminelët e kishin pranuar se Prohibicioni paraqiste një mundësi të artë për të bërë biznes.

Gangsteri i parë që kuptoi potencialin e vërtetë tregtar të këtij ligji, ishte Arnold Rotshtein. Në vitin 1928, Rothstein u vra pas një mosmarrëveshje mbi lojërat e fatit, por deri atëherë fama e tij ishte e tillë saqë frymëzoi shkrimtarin F.Skot Ficxherald për personazhin e famshëm Xhej Getsbi në librin ?Getsbi i madh?.

Por gangsteri më i famshëm i kohës ishte Al Kapone, që kontrollonte pjesën më të madhe të botës së krimit në Çikago. Thuhet se ai fitonte rreth 100 milion dollarë në vit nga kazinotë dhe kontrabanda e alkoolit. Për shumë njerëz, ai ngjante me Robin Hudin, pasi hapi kuzhina ku ushqeheshin të papunët, teksa bëri edhe shumë bamirësi të tjera.

Por kur në vitin 1929, Kapone urdhëroi vrasjen e 7 rivalëve gjatë Masakrës së Ditës së Shën Valentinit, simpatia e publikut për të zhduk. Po atë vit, agjenti i Prohibicionit Eliot Nes nisi të të hetojë veprimtarinë e Kapones, dhe në tetorin e vitit 1931 Kapone u dënua me 11 vjet burg për evazion fiskal.

Por ndërkohë edhe mbështetja për Prohibicionin po binte. Mediat pretendonin se 80 për qind e kongresmenëve pinin fshehurazi alkool. Ishte e qartë se nisma kishte dështuar. Në marsin e vitit 1933, vetëm disa javë pasi mori detyrën, presidenti Franklin Ruzvelt nënshkroi një ndryshim të Aktit Volstead, që lejonte shitjen dhe konsumimin e birrës me jo më shumë se 3.2 për qind alkool. Në dhjetor të atij viti, Jutah u bë shteti i parë që e shfuqizoi. Shembulli u ndoq nga të tjerë. Shteti i fundit që e braktisi ishte Misisipi në vitin 1966./ Theguardian-Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga