web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Kundërshtarët e Trump janë të interesuarit për protestat"/ Rama: Edhe llapaqorrat hedhin gurët e fshehin duart

14 Qershor 2026, 10:04, Politikë CNA

Kryeministri Edi Rama foli në episodin e sotëm të podcastit edhe lidhur me 35-vjetorin e Partisë Socialiste, që sipas tij përkoi edhe më valën e protestave që po zhvillohen.

Rama u shpreh se kjo koicidencë është dhe një shenjë për të kuptuar se çfarë duhet mësuar nga protestat.

Ndër të tjera shtoi se për këto protesta janë të interesuar të gjitha ata që janë kundërshtare të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se në protesta, janë futur të gjitha partitë politike, sipas tij “duke hedhur gurët e duke fshehur duart”.  

Ndërkohë shtoi se PS-ja eështë e vetmja forcë politike që do të çojë përpara Shqipërinë në rrugën drejt Bsashkimit Europian.

"Ironikisht, ky 35-vjetor ose më saktë, për një koincidence që mbase është edhe një shenjë e rëndësishme për t'u ndalur një moment, për të marrë frymë dhe për të kuptuar se çfarë duhet të mësojmë nga kjo valë protestash që përkoi me këtë 35-vjetor debatesh dhe nga kjo frymë, si të thuash e tensionuar, fatmirësisht paqësisht që ka pushtuar hapësirën publike ditët e fundit. Një frymë që ushqehet edhe nga fakti që, për shkak në këtë subjekt fillestar, në këtë çështje që u bë çështja, që inicioi protestën, natyrisht si rezultat i një akti skandaloz, që u dënua menjëherë edhe ligjërisht, edhe institucionalisht, qëndron familja e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Dhe kjo bën që të gjithë ata që janë kundërshtarë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të jenë të interesuar për këtë protestë, që Shqipëria të bëhet një platformë ku të përplasen forca shumë të mëdha, të përplaset opozita amerikane me presidentin e Amerikës, përplaset kundërshtia europiane me presidentin e Amerikës, të përplasen interesa të tjera që e duan Shqipërinë të ripozicionuar ndryshe dhe të bëhet një udhëkryq ku, faktikisht, kundërshtia e fillimit kthehet në një gjë krejt tjetër. Dhe Shqipëria përmbytet nga një shpërthim i të gjitha kanaleve të keqinformimit, të dezinformimit, të gjysmë të vërtetave që bëhen gënjeshtra gjithmonë e më të mëdha, orë pas ore, dhe që faktikisht i vendosin faktet në cep dhe fantazinë në qendër.

Natyrisht që protesta është shëmbëlltyrë e një vendi demokratik. Natyrisht që është shëndeti demokratik i vendit që ka një protestë e cila lind dhe formësohet jo rreth partive, jo pas partive. Edhe pse tani partitë janë të gjitha të futura aty, duke hedhur gurët, e fshehur duart disa, ndërkohë që ndonjë tjetër, siç janë llapaqorrat, janë aty. 

Por po aq e rëndësishme është që të mos humbasim aftësinë për të dalluar mes debatit dhe histerisë, mes kritikës dhe shpifjes, mes argumentit pasionant dhe bullizmit, kërcënimit, presionit, denigrimit të tjetrit. Shqipëria nuk mund të ecë përpara, duke u paralizuar nga frika prej një ndryshimi të madh, prej një projekti të madh, prej një investimi që është më i madhi në historinë e vendit tonë.

Dhe, patjetër që, do të ecim përpara, duke dëgjuar çfarë duhet të dëgjojmë, duke mësuar nga çfarë na thonë ata që nuk janë dakord me ne, por duke vazhduar të ndërtojmë, të ndërtojmë Shqipërinë me forcën e Partisë Socialiste, që është forca që ka marrë reforma, ka ndërmarrë reforma të vështira, ka shtyrë përpara procese që shpesh janë kundërshtuar, por që sot kanë ndryshuar rrënjësisht edhe gjendjen, edhe pozicionin e Shqipërisë. Dhe, për këtë, mjafton të kthejmë mbrapa kokën, jo më shumë, po 10 vjet, dhe për të parë se ku ishim në raport me botën, në raport me ekonominë, me institucionet, me të gjitha. Dhe, faktikisht, nuk ka simbolikë më të fortë se fakti që ky 35-vjetor na gjeti edhe në pikën më të avancuar të rrugës sonë europiane. Pak javë më parë hymë në fazën e fundit të negociatave për anëtarësim, që është faza e mbylljes së kapitujve, duke afruar më shumë se kurrë me atë objektiv historik dhe strategjik që shqiptarët e kanë ndjekur me dekada dhe që ne e kemi fiksimin tonë ditë për ditë, ditë për ditë, ditë për ditë”, tha Rama. /CNA





Lajmet e fundit nga