LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

INVESTIGIMI/ Milionat e "Judës" Lulzim Basha

28 Mars 2024, 08:10, Denoncim CNA
INVESTIGIMI/ Milionat e "Judës" Lulzim Basha
Lulzim Basha

Është një politikan që teksa flet për politikë, prodhon rregullisht meme, por me bizneset e veta është shumë serioz dhe nuk gabon asnjëherë. Ky politikan është Lulzim Basha, dhe sa herë opozita humbet, bizneset e tij lulëzojnë.

Sonte do të plugojmë një koincidencë që ka vesin të përsëritet, dhe me zhvillimet e vrullshme të muajve të fundit është faktuar përtej dyshimit të arsyeshëm. Detyra e Plug është të sjellë çdo fakt që disponojmë, fjalën e fundit për Bashën ashtu si dhe për çdo politikan, e keni ju, shikuesit tanë.

Koincidenca e parë do të ndodhte pas fitores së bashkisë së kryeqytetit. Lulzim Basha vendos që një ndër aktet e para që do të ndërmerrte nuk do të kishte të bënte me qytetarët dhe programin elektoral, por me një biznes privat.

Pa ngrohur mirë kolltukun e humbur nga Rama, Basha në një ditë të ftohte janari, nëpërmjet kunatit të tij Erion Isufi, themelon një kompani me një emër që e keni dëgjuar shpesh, "Landmark Communications".

Nëse për drejtimin e Bashkise u akuzua dhe nga vetë votuesit që si një arush e kaloi me një gjumë letargjik 4-vjeçar, në të njëjtën periudhë "Landmark" nuk flinte kurrë. Basha kryebashkiak ndoshta ishte i pasuksesshëm, por 6 milionë euro faturim për bizneset e Tiranës, nuk mund të quhen dështim për "Landmark".

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2013, Lulzim Basha e gjen veten lider të opozitës dhe sprova e parë e fortë politike do të vinte shumë shpejt. Qeveria Rama zhytet gati menjëherë në afera të panumërta, aq sa u duk se nuk do mbijetonte një mandat të parë të plotë.

Kriza ashpërsohet dhe me shijen e Shën Valentinit ende të freskët, Lulzim Basha me 18 shkurt fut të gjithë opozitën në çadrën e bulevardit. Nga ai vend do të largohej në një tjetër datë simbolike. 17 majin e 2017-ës e kaloi së bashku me Ramën në një nga dhomat e kryesisë së Kuvendit.

Marrëveshja mbetet sekret ende sot.

Pasi doli, u garantoi qytetarëve një fitore të madhe. Qeveria teknike, pjesë e marrëveshjes, për rastësi, prodhoi rezultatin e kundërt. Rama, këtë herë pa koalicionin që ishte jetik për mandatin e parë, vjen në qeveri i vetëm. Ndoshta jo pa ndihmën e askujt.

Ndërsa për demokratët dhe qytetarët opozitarë, 2017 ishte një vit disfate dhe sakrificash të çuara dëm, bizneset e Lulzim Bashës vazhdonin të lulëzonin.

Për t’u rikthyer te koincidencat e panumërta, në vend që të ishte i shqetësuar për fatet e opozitës dhe të tijin personal, pas disfatës elektorale, duket se Lulzim Basha ka shpenzuar kohën e tij në fushën e vërtet të talentit që ka.

Në dhjetor 2017 pas një pune të gjatë vihet në jetë një plan i komplikuar biznesi.

Për disa do të ishte kompania meme, për Lulin ishte kompania kunat ajo që vazhdonte të korrte të ardhura gjithnjë e më të larta. Mirëpo, një tjetër kompani duket se në dhjetor 2017 rastësisht rilind, këtë herë si prodhuese programesh kompjuterike, software e të tjera shërbime të ngjashme.

Po flasim për "Landmark Techologies". Deri para se opozita të mundej keqazi, pavarësisht çadrës dhe qeverisë teknike, "Landmark Tech" faturonte qindarka në krahasim me shpërthimin monetar të simotrës.

Me 11 dhjetor "Landmark Technologies" ndryshon objektin e veprimtarisë dhe i përkushtohet teknologjisë. Asgjë e dyshimtë deri këtu. Kështu do të kishte qenë sikur të nesërmen, me 12 dhjetor 2017, të mos ishte paraqitur për t’u regjistruar në sportelet e Qendrës Kombëtare te Biznesit një kompani tjetër në pamje të parë pa lidhje me Bashën.

Kompania në fjale quhet "Moveo Albania", me pronar Moveo srl me qendër në Itali.

Viti fiskal 2018 do të ishte fenomenal për "Landmark Technologies", pasi do të 6-fishonte faturimin e saj.

Ndërkohe që llogaritë bankare fryheshin, opozita iu rikthye protestave. Ajo për traun e Rrugës së Kombit dukej si një kauzë që nuk mund të humbej.

Lulzim Bashës i duhej patjetër një fitore politike me një qëllim kaq patriotik. Rruga e Kombit kishte qenë një pikë e fortë në rezymenë e Partisë Demokratike.

Protesta e marsit kishte qenë e ashpër dhe i kishte kushtuar opozitës dhe Kukësit disa qytetarë të burgosur. Në 17 shtator, ditën e parë zyrtare të operimit të traut në Rrugën e Kombit, Lulzim Basha kishte paralajmëruar një protestë ku fjalia ’vetëm mbi trupat tanë’ do të ishte lajtmotiv. Atë ditë, rastësisht, Basha e harroi takimin që kishte lënë me kuksianët.

Përfituesit e koncesionit do të ishin Kastrati dhe Salillari. Edhe pse harroi takimin me kuksianët, Basha kishte shënuar një takim me një kuksian shumë më të rëndësishëm. Të gjitha kompanitë e Lulzim Bashës, por edhe një kompani e mistershme italiane me degë në Shqipëri si "Moveo Albania", transferojnë zyrat e tyre në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend. Bëhet fjalë për hotelin "Sheraton". Xhevahiri në kurorën e aseteve të Kastratit. Gjobë? Nder? Leverdi imobiliare? Shitje e kauzës? Çfarë e çoi vërtet çadrën e Bashës në "Sheraton"? Me shqetësimin për një akomodim sa më luksoz mbyllet viti 2018 për Lulzim Bashën dhe kompanitë e tij, financiarisht ishte një tjetër rekord monetar.

Viti 2019 nisi me një vendimmarrje që do të shënonte historinë politike te Shqipërisë me pasoja të rënda dhe afatgjata.

Pas lëvizjesh të ethshme dhe të kundërshtuara unanimisht, me datën 20 shkurt, opozita njofton djegien e mandateve parlamentare. Lulzim Basha justifikon vendimin dramatik me një mbështetje ndërkombëtare që nuk erdhi kurrë.

Gjatë fjalimit plot pathos, Lulzimi u premtoi se do të qëndronte në krah të qytetarëve, i barabartë me ta.

Por rastësitë që nuk mbarojnë, flasin pak më ndryshe.

Në datën 21 janar 2019, Xhaferr Isufi, vjehrri i Bashës, blen nga i biri, Erioni, 50% të aksioneve të kompanisë "Landmark Technologies" që deri në ato momente ishte në një ekspansion galopant teknologjik dhe afarist. Shifra me të cilën i biri i shet babait-vjehërr, ishte modeste për këtë mamuth të teknologjisë së avancuar të software-it, vetëm 100 mijë euro.

Përse duhej kjo lëvizje kaq e paqartë, në ato ditë vendimtare për fatet e vendit.

Ndoshta përgjigjen e marrim dy javë pas djegies së mandateve.

Në datë 6 mars themelohet një kompani e re që do të provonte rastësitë e deritanishme. Në QKB regjistrohet "Moveo Albania Technologies". Erion Isufi e Xhaferr Isufi dhe Moveo srl, deklarojnë për botën partneritetin e tyre nëpërmjet kompanisë së re. Dyshimi i pashmangshëm është se Xhaferr Isufi do të përfaqësonte rrugën e vetme ligjore dhe pa kosto penale të përfitimit direkt të parave në emër të dhëndrit Lulzim.

Lidhja e këtyre kompanive ka filluar që ditën e parë të ardhjes në Shqipëri të Moveos, nënkontraktori kryesor i së cilës ka qenë për çdo shërbim "Landmark Technologies".

Për çfarë duhej krijimi i një entiteti juridik të ri përderisa marrëdhënia financiare po funksiononte për mrekulli?

Përgjigjen për këtë mister do ta zbulojmë pak më tutje gjatë plugimit të Lulzim Bashës.

Në prillin e thatë politik e pa mandate, por me shumë bereqet për Lulzimin, vjen në Shqipëri një kompani gjigante evropiane.

Në datën 9, në zyrën ngjitur me vjehrrin dhe kunatin te "Sheratoni", themelohet dega shqiptare e gjigantit italian të lojërave të fatit.

Në datën 11 prill regjistrohet zyrtarisht ‘Sisal shpk’. Aksioner kryesor "Sisal s.p.a". Specialiteti i tyre në lëminë e lojërave të fatit, janë bastet "online".

E çuditshme ardhja e kësaj kompanie, vetëm pak muaj pasi në Shqipëri ishte miratuar mbyllja totale e çdo lloj forme të bixhozit. A dinte diçka Sisali që ne nuk e dinim?!

Ajo që faktohet në këto momente edhe nga bilancet zyrtare është se gjiganti i lojërave të fatit është furnitori kryesor me para i bizneseve të Lulzim Bashës.

Është e udhës që të hetojmë edhe deklaratat e Lulzim Bashës për fenomenin e lojërave të fatit dhe luftën publike dhe të nëndheshme që bëhej për kontrollin e një industrie që vlen miliona euro çdo vit.

Pas një fillimi agresiv, ashtu si dhe në kauza të tjera, gjuha e Bashës fillon e zbutet, deri në harresë. Ashtu siç harroi të publikonte faktet tronditëse të bashkëpunimit të Ramës e Fatmir Xhafës me krimin e organizuar për kontrollin e lojërave të fatit.

Pak muaj para se Sisal të vinte në Shqipëri do të ishte dhe fundi i deklaratave të Lulzim Bashës ndaj lojërave të fatit. Me pas, heshtje.

Basha rindez barutin e tij të lagur për zgjedhjet e përgjithshme të 2021. I lumtur që do të kishte një tjetër mundësi të artë për të shkëmbyer pushtet politik me pushtet ekonomik. Humbja e radhës do të ishte edhe më dramatike për fatet e demokracisë dhe vendit. Menjëherë shifrat e shpopullimit marrin përmasa eksodi. Rama merr mandatin e tretë, ndërsa Lulzimi shpërblehet për shërbimin e radhës.

Pasi demokratët nuk e pranuan rezultatin e zgjedhjeve, Lulzim Basha bëri një shërbim edhe më të madh ndaj Ramës. Përçau partinë më të madhe të opozitës duke krijuar një krizë që do të zgjaste gati dy vite.

Ndërkohë që shqiptarëve u premtonte një betejë të sapofilluar, kompania "Moveo Albania Tech" dhe kunati me vjehrrin, kthejnë paratë e lojërave të fatit, në metra katrorë te kulla më e shtrenjtë e Tiranës.

Marrëveshja e investimit përllogaritet në gati 4 milionë euro.

Asprat e "Judës" nuk do ishin zbuluar për publikun e gjerë po të mos ishte për një denoncim nga ish-bashkëpunëtori dhe kreu i grupit parlament të PD-së, Gazment Bardhi.

Gazetari Ermal Rizai u përpoq me këmbëngulje për një përgjigje nga Lulzim Basha, një përgjigje që nuk erdhi në asnjë nga konferencat e shtuara edhe prej krizës politike të kohës.

Më 20 janar ndërron jetë vjehrri i Lulzim Bashës. Kjo humbje familjare do të ishte paradoksalisht edhe një fitore e madhe financiare për Lulzim Bashën. Çelja e trashëgimisë do të çelte për sytë e publikut faktet e skemës për të cilën ishte përdorur emri i Xhaferr Isufit.

Sipas deklaratës së pasurisë së Bashës për vitin 2022, ai ka përfituar 5 apartamente, 5 garazhe, 5 llogari bankare dhe 600 mijë euro cash.

Kjo skemë nuk do të mbaronte me ndarjen nga jeta të vjehrrit. Menjëherë, për të tjera pasuri dhe të tjera afera, vendin e tij do ta zinte vjehrra e Lulzim Bashës.

Në biznesin e lojërave të fatit, aksionet do të përfitohen nga Xhane Isufi. Ndërsa në një biznes tjetër, në mënyrë qesharake të harruar, aksionet janë ndarë në mënyrë të barabartë, e përfituese figuron edhe vetë Aurela Basha.

Ndërkohë që pasurohej me para, Basha edhe me vulën e marrë peng, çon në shtëpi edhe paratë e demokratëve. Ky shërbim i radhës ndaj kryeministrit duket se nuk do të kalojë pa u vënë re, në zhvillimet që do të pasonin.

Në një kthesë jo dhe aq të papritur të ngjarjeve, qeveria shqiptare deklaron rikthimin e lojërave të fatit. Lulzim Basha sërish heshti për debatin që mbërtheu publikun.

Si do të shpërblehet këtë herë, "Juda" i demokratëve për mbajtjen peng të opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit? A do të konvertohen Asprat e Judës në një licencë kombëtare për bastet "online" për kompaninë "Sisal"? Ndoshta e fundit nga rastësitë, personi që do të firmosë për dhënien e licencave është pikërisht Taulant Balla.

Ministri famëkeq edhe për takimet e fshehta me Bashën pasi muzgu bie. Lulzim Basha ndoshta dështon në aritmetikë, por "Juda" ka nuhatje biblike për biznes./ Syri Tv

Lajmet e fundit nga