LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Udhëheqësit zotërojnë sot një sasi armësh shkatërruese, si mund të shmanget katastrofa globale

3 Maj 2023, 11:30, Blog Charles Cockell
Udhëheqësit zotërojnë sot një sasi armësh
Foto ilustruese

Njerëzimi ka 2 probleme kryesore, të cilat janë bërë më akute gjatë kalimit të mijëvjeçarëve, dhe të cilët sot përplasen midis tyre me pasoja potencialisht të rënda për mbijetesën dhe vazhdimësinë e qytetërimit tonë. Lufta kundër Ukrainës i ka nxjerrë në shesh këto sfida. E para ka të bëjë me sasinë në rritje të energjisë shkatërruese, të grumbulluar në duart e individëve të vetëm.

Gjatë 10 mijë viteve të fundit, njerëzimi ka kaluar nga vendbanimet e vogla të ngjashme me fshatrat, të cilat ndoshta strehonin disa qindra apo edhe mijëra krijesa të tjera, deri në qytetërime të mëdha urbane dhe qytet-shtetet e kohëve të lashta, dhe më pas në shoqëri që sot përfshijnë dhjetëra miliona njerëz.

Të paktën që nga shekulli XVII, dhe nga shfaqja e konceptit vestfalian të identitetit kombëtar, ne i kemi quajtur këto entitete shtet-kombe, dhe ato zënë kufij gjeografikë të caktuar. Me këtë rritje të popullsisë dhe me madhësinë e kombeve të lidhura me të, ka ndodhur një shumëzim i madh në fuqinë e individëve që i menaxhojnë ato, qofshin këta kryeministra, presidentë apo monarkë.

Vetëm ky fakt - një rritje e madhe e numrit të njerëzve që jetojnë nën sytë vigjilentë të udhëheqësit të tyre - nuk do të ishte problem nëse nuk do të vinte me një zhvillim tjetër që nga kohërat e lashta, për të cilin mund të thuhet se kishte një lloj pashmangshmërie: shtimi i energjisë së armëve të përdorura nga këta individë. Kjo energji është shfrytëzuar përmes institucioneve shkencore, ushtarake dhe administrative të lidhura me këto shtete të mëdha kombëtare.

Gjatë mijëvjeçarit të fundit, shkalla e madhe e energjisë që një udhëheqës mund të përdorë kundër armiqve të tij është rritur në përmasa kolosale. Nëse duhen rreth 100 xhaul (një masë energjie), që një harkëtar të lëshojë një shigjetë nga një hark, atëherë 10.000 harkëtarë mund të përdorin rreth 1 milionë xhaulë energji drejt armikut të tyre.

Sot, një autokrat që ka në zotërim vetëm 1 armë bërthamore të vetme me fuqi 1 megaton (zakonisht e matur në sasinë ekuivalente të eksplozivit TNT), ka nën komandën e tij rreth 1 miliardë herë më shumë energji se ata 10.000 harkëtarë. Kështu, në epokën moderne, e gjejmë veten përballë aleancës së tmerrshme midis fuqisë së pamasë shtetërore dhe energjisë së jashtëzakonshme dhe me pasoja shkatërruese.

Por si mund të përballemi me këtë problem? Së pari, është sfida e vetë armëve. Ne nuk mund të “shpikim” teknologjitë, ndaj duhet të gjejmë mënyra për të minimizuar numrin dhe potencialin e tyre për përdorim. OKB-ja u përpoq të ndalonte armët bërthamore përmes Traktatit të saj për Ndalimin e armëve bërthamore, dhe kjo duket në thelb një ide e arsyeshme.

Megjithatë, problemi nuk qëndron specifikisht tek armët bërthamore. Ai ka të bëjë me qasjen e një shteti ndaj çdo lloj arme me një potencial shkatërrues të jashtëzakonshëm. Ndoshta masa më e mirë në këtë drejtim do të ishte ndalimi i çdo lloj arme mbi një rendiment energjik të caktuar.

Duke pasur parasysh se arma më e madhe konvencionale është MOAB (Massive Ordnance Air Blast) me një fuqi prej 11 ton TNT (ose 46 gigaxhaul), ne mund të kërkojmë që të ecim drejt një qëllimi afatgjatë të kufizimit global mbi prodhimin e armëve me një rendiment prej më shumë se 50 gigaxhaul, dhe të përcaktojmë hapat e ndërmjetëm në funksion të këtij qëllimi.

Një regjim i tillë ka të ngjarë të mos parandalojë kurrë sekuestrimin e armëve të fuqishme, por  vizioni është gjithsesi optimist. Dhe si qëllim mund ta shtyjë qytetërimin tonë drejt një mentaliteti që na mban të fokusuar tek përpjekjet progresive dhe të vazhdueshme për të kufizuar çlirimin e pakontrolluar të energjive fizike nga aktorët e këqij.

Nga ana tjetër, ai mund të inkurajojë përparimet në teknologjinë për të zbuluar ndërtimin masiv të pajisjeve të tilla. Nëse nuk kemi ambicie të tilla, atëherë duhet të pyesim veten: Ku ta vendosim kufirin e energjisë? Sigurisht, ne nuk mund të mbijetojmë gjatë, në rast se gjejmë mënyra të reja për të çliruar pulset e energjive gjithnjë e më shkatërruese.

Nëse nuk përpiqemi që t’i imponojmë vetes kufizime, si mund të parandalojmë një zgjerim frenetik të numrit dhe rendimentit total energjik të armëve të tilla? Përpjekje të tilla, nuk mund të kufizojnë ndërtimin e armëve po aq të tmerrshme si ato biologjike dhe kimike, të cilat kanë kërkesa të ulëta për energji.

Krahas përpjekjeve për të frenuar armët apokaliptike, është e qartë se duhet të vazhdojnë marrëveshjet për të kufizuar edhe armët e tjera të rrezikshme. Por krahas rritjes së potencialeve energjetike të aktorëve të këqij, ekziston një problem i dytë me të cilin përballemi: përparimi shumë i vogël që kemi bërë në frenimin e tiranive.

Përgjatë shekujve kemi zhvilluar jashtëzakonisht shumë strukturat e shtetit politik, nga demokracia rudimentare e drejtpërdrejtë e Greqisë së lashtë, deri tek qeveritë e sotme me shumë shtresa dhe degë. Ne kemi mësuar shumë se si të ndërtojmë shoqërinë civile.

Gjatë shekujve të fundit janë hedhur hapa mbresëlënës për të ngritur strukturën ligjore dhe shoqërore që kërkohet për lirinë e shprehjes dhe sistemet ligjore të paanshme. Bashkëpunimi ndërkombëtar është intensifikuar. Nga aleancat e thjeshta ushtarake dikur, sot kemi organizata të mëdha Kombet e Bashkuara deri tek traktatet që rregullojnë sjelljen në të gjithë kontinentet, siç është Traktati Ndërkombëtar i Antarktidës.

Njerëzimi është treguar i aftë të mendojë jo vetëm në shkallë planetare, por gjithashtu, teksa planifikon të vendosë vende si Hëna, në një shkallë ndërplanetare. Grekët e lashtë do të ishin habitur nga ideja e një traktati në Hënë.

Por pavarësisht strukturës komplekse moderne të shteteve kombëtare dhe sofistikimit që kanë ato, sundimtarët despotikë në mbarë botën, sillen ende si mbretër dhe mbretëresha mesjetare, duke vepruar mbi motive të çuditshme dhe objektiva kombëtare të rreme, të mbështetur nga pushteti i padiskutueshëm dhe mandatet e gjata në detyrë.

Për të kapërcyer këto dobësi politike, ne duhet të punojmë në kontrollin e degës ekzekutive të qeverive, të sigurojmë kushte maksimale për krerët e shteteve, kontrolle dhe balanca më të mira mbi fuqinë ushtarake dhe të krijojmë mekanizma politikë më të mirë dhe ndoshta të rinj, për të arrestuar liderët që fillojnë t’i përdorin këto aftësi energjetike të jashtëzakonshme që e vënë në një rrezik të madh njerëzimin.

Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me forcimin e “demokracisë”, një ilaç i sugjeruar shpesh për të gjitha sëmundjet politike. Kjo kërkon rafinimin dhe rregullimin e mirë të stabiliteteve reciproke përforcuese brenda degëve ekzekutive të qeverive, të cilat nëse janë shumë të dobëta, lejojnë fuqinë e pakufizuar dhe të paparashikueshme, ndonjëherë keqdashëse, të ketë qasje dhe të kërcënojë me përdorimin e armëve më të këqija që mund të shpikë njerëzimi.

Shënim: Charles Cockell, është profesor i astrobiologjisë në Universitetin e Edinburgut, Skoci./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga