LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si mund të vetëmbrohet Evropa?

30 Prill 2023, 09:53, Blog Patrick Porter
Si mund të vetëmbrohet Evropa?
Foto ilustruese

Përfytyroni për një moment një skenar tipik britanik. Një monark popullor sapo ka ndërruar jetë dhe stabiliteti që kishte mishëruar nis që të zbehet. Në vend, ka një konflikt industrial në rritje midis kapitalit dhe punës, dhe një konflikt kushtetues në rritje midis atyre që duan shpërbërjen e mbretërisë dhe atyre që duan mbrojtjen e saj.

Edhe nga jashtë, bota po bëhet gjithnjë e më armiqësore, e ndikuar shumë nga përshkallëzimi i rivaliteteve dhe një garë e re riarmatimi në Evropë dhe Azi. Një luftë e re e Rusisë, nxit mundësinë e një epoke të konflikteve të armatosura. Përballë këtyre kërkesave konkurruese, shteti britanik fillon të rënkojë.

Papritur, gjithçka është në rrezik. Ky ishte realiteti për Britaninë në fund të epokës Eduardiane, dhe kjo i bën jehonë pozicionit tonë të vështirë tani. Siç e ka vënë në dukje Aron Fridberg, Eduardianët reaguan duke provuar “çdo gjë që mund të mendonin” për të “mbrojtur pozicionin e tyre pa u detyruar të shpenzojnë më shumë para”.

E njëjta sjellje e mençur do të ishte po aq e dobishme edhe sot. Në të gjithë Evropën ka një tronditje ndaj një ndryshimi të madh në strukturën e ndryshueshme të politikës botërore: një tërheqje e pjesshme e SHBA-së nga kontinenti i vjetër dhe vetëdija se evropianët duhet të përballojnë vetë pjesën më të madhe të barrës së sigurisë.

Përballë një sfide të tillë, qeveria britanike duhet të ringjallë një strategji, e cila daton në fakt më shumë se një shekull: një ‘Antante Cordiale’ (aleancë) me shtetet e tjera kryesore të Evropës që kanë ushtri të fuqishme, si Franca dhe Polonia. Në njëfarë mënyre, rrethanat sot janë më pak serioze sesa në fillim të shekullit XX.

Nuk ka asnjë ekuivalente të Perandorisë gjermane, që kërcënon të vendosë hegjemoninë mbi rajonin, ndërsa Britania ishte në atë kohë në prag të luftës civile për Irlandën. Megjithatë, në aspekte të tjera, situata është më e keqe. Armët bërthamore e bëjnë problematike edhe një Rusi të varfëruar ekonomikisht dhe të dobësuar ushtarakisht.

Nga ana tjetër, Britania nuk është më shteti lider në botë, e matur kjo në shtrirjen detare apo në nivelin financiar. Asaj i mungon baza e burimeve perandorake dhe monedha rezervë e një shekulli më parë. Dhe tanimë ka forca të lira, zhvendosje të pasurisë dhe fuqisë, të cilat Britania nuk mund t’i ndalë.

Nga ana tjetër, kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithnjë e më të paafta dhe të pavullnetshme për të luajtur rolin e ofruesit të sigurisë për Evropën. Një prani e SHBA-së në formën e garnizonit kontinental, ishte siguria përfundimtare e parandalimit të zgjeruar bërthamor nën një “ombrellë” amerikane.

Por tani që gara me Kinën se kush ka përparësi në Azi, e detyron Uashingtonin të përqendrohet në një rajon mbi të tjerët, kjo skemë është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme. Perspektiva e një tërheqjeje të tillë mjegullohet nga rikthimi i pjesshëm i Uashingtonit drejt Evropës pas pushtimit rus të Ukrainës.

Por gara për kontrollin e Azisë po intensifikohet, dhe shumë shpejt do të vendoset në krye të axhendës së Amerikës. Vetëm këtë muaj, Kina kreu simulimin më të madh të një bllokade detare kundër Tajvanit, që është epiqendra e përballjes SHBA-Kinë.

Kjo është pjesë e një rivaliteti më të gjerë në përshkallëzimin e konfliktit, teksa Uashingtoni ka ligjëruar kufizimin e importeve të mikroçipëve nga ana e Kinës. Shkalla e sfidës ndaj epërsisë së Amerikës në rajonin e Indo-Paqësorit, ka të ngjarë të jetë një tërheqje gati gravitacionale e vëmendjes së saj.

Përballë këtij ndryshimi prioritetesh, do të ishte marrëzi që politikëbërësit britanikë apo evropianë të shpresonin me naivitet në zgjidhjen e këtij problemi. Edhe brenda marrëdhënieve transatlantike, Uashingtoni, ashtu si të gjitha fuqitë e mëdha në histori, ka imponuar në mënyrë të njëanshme ndryshime të pamëshirshme të politikave, në disfavor të aleatëve të tij, dhe me shumë pak paralajmërime.

Po ashtu do të ishte e pakujdesshme të imagjinohet se SHBA do të vonojë tërheqjen e saj, sepse lufta në Ukrainë është relativisht “e lirë”. Një zhvendosje prej 20.000 trupash nga Evropa nuk është e papërfillshme nga pikëpamja strategjike, pasi devijon gjithashtu mjete të çmuara ajrore, detare, logjistike, mbikëqyrjeje dhe të zbulimit.

Duke pasur parasysh vështirësinë e aleatit të saj kryesor për të ruajtur angazhimet në 2 rajone njëherësh, do të ishte më e mençur që të parashikohej tronditja dhe të hyhej në një formë bashkëpunimi për sigurinë e kontinentit. Ky do të ishte një kanal jozyrtar bashkëpunimi midis shteteve kryesore ushtarake të rajonit - Britanisë, Francës dhe Polonisë - që do të negocionte kolektivisht forcimin e aftësive, duke qenë të pavarur nga fuqia e Shteteve të Bashkuara.

Aleanca do të pasonte supozimin e përbashkët, se fuqitë evropiane do të detyrohen së shpejti të mbajnë shumë më tepër barrën e mbrojtjes së tyre, dhe se do të duhet të zhvillojnë aftësinë për të vepruar në mënyrë të pavarur nga garantuesi i tyre tradicional. Kjo gjë do të funksiononte si në nivel diplomatik, po ashtu edhe ndërmjet shtabeve ushtarake.

Aleancat kanë përfitimin e ofrimit të avantazheve të informalitetit dhe fleksibilitetit. Një organizatë e re formale do të ishte shumë komplekse për t’u ngritur, do të ngjallte ankth rreth zëvendësimit të institucioneve ekzistuese, si BE-ja, dhe do të impononte presione mbi besueshmërinë.

Një aleancë fluide, larg shkëlqimit të samiteve zyrtare, do të lehtësonte negociatat mbi aftësitë ushtarake, inteligjencën, ndërveprueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e mbrojtjes në përgjithësi (përfshirë kibernetikën, stoqet e materialeve dhe zinxhirët e furnizimit).

Ajo do të ishte e ashpër në fokusin e saj politik, e përqendruar te një shqetësim i përbashkët, duke kundërshtuar çdo përpjekje armiqësore për ta dobësuar NATO-n apo për të dominuar rajonin, dhe duke u larguar nga dallimet ideologjike mbi vlerat liberale, që mund të tendosin lidhjet midis vendeve.

Në aspektin politik, diçka e tillë duhet të jetë e arritshme. Një Antantë e re do të përshtatej dhe do t’i jepte formë apelit të Francës për “autonomi strategjike”, por në një mënyrë më praktike. Do të zbuste disi mesazhin e autonomisë, duke e zhvendosur atë drejt ndryshimit të barrës, por me përfitimin e mirëpritur që do t’i jepte Francës një zë më i fortë në mbrojtjen evropiane.

Dhe për Britaninë, një Antantë do të zbuste disavantazhet e sigurisë së Brexit, duke e futur atë në një mënyrë më qendrore në një dialog mbi mbrojtjen kolektive që nuk presupozon anëtarësimin e përbashkët në BE. Sigurisht, kjo Antantë e re ndoshta do të krijonte fërkime me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, ky fërkim do të ishte me siguri një kosto që ia vlen të paguhet për të gjitha palët. Ajo do të përmbushte kërkesën tradicionale të Amerikës, që aleatët e saj të mbajnë më shumë barrë për sigurinë e tyre. Ndërsa Amerika përgatitet të ulë profilin e saj në Evropë, kjo e fundit duhet të jetë gati për hir të gjithë aleancës perëndimore./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga