LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë do të ndodhë nëse zgjedhjet në Turqi fitohen nga opozita?

17 Prill 2023, 08:31, Blog Steven A.Cook
Çfarë do të ndodhë nëse zgjedhjet në Turqi
Foto ilustruese

Gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2018 në Turqi, “New York Times” botoi një editorial që shprehte mbështetjen e hapur për kundërshtarin e presidentit Rexhep Taip Erdogan në atë kohë, Muharrem Inçe. Por pas leximit të disa paragrafëve, kuptohej fare qartë se redaksia e “Times” e dinte se nuk e pëlqente Erdoganin, por kishte shumë pak të dhëna mbi Inçe dhe pikëpamjet e tij.

Dhe po kështu ndodh edhe me Kemal Kiliçdaroglu, udhëheqësin e Partisë Republikane Popullore (CHP), kandidati konsensual i koalicionit 6-partiak për të sfiduar Erdoganin për presidencën turke më 14 maj. Kur ka mbetur vetëm 1 muaj para zgjedhjeve, Kiliçdaroglu është midis 7-10 për qind në avantazh në sondazhe.

E megjithatë është e vështirë të besohet se Erdogan do të humbasë. Kjo është ndoshta një mungesë imagjinate. Por fakti është se ai ka qenë në pushtet - në fillim si kryeministër dhe më pas si president - që nga viti 2003. Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) kanë spastruar, përkulur dhe modeluar sipas dëshirës së tyre institucionet politike në vend për të siguruar qëndrimin sa më gjatë në pushtet.

Presidenti turk e ka përdorur aparatin e shtetit për të dobësuar kundërshtarët e tij, dhe shumica e medias dikur aq dinamike, është tani në krah të qeverisë. Gjyqësori që ishte dikur një shtyllë e establishmentit nacionalist laik, është tashmë pronë e mbështetësve të AKP-së.

Erdogan e ka ndryshuar plotësisht komandën e ushtrisë turke, që më parë ishte besnike vetëm ndaj parimeve të Mustafa Qemal Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne. Në këto rrethana, duket se vetëm dora e Zotit mund ta largojë Erdoganin. Dhe ndoshta tërmeti i 6 shkurtit ka qenë i tillë.

Por çfarë do të nënkuptonte për politikën e brendshme dhe të jashtme turke fitorja e Kiliçdaroglu? Disa analistë turq dhe perëndimorë, besojnë se Turqia mund të jetë sërish demokratike, e begatë, e gatshme të ndjekë reformat që kërkohen për hyrjen në Bashkimin Europian, dhe e lidhur më fort me aleatët e saj në NATO.

Nuk ka dyshim se miliona turq do të marrin frymë të lehtësuar nëse Erdogan mposhtet dhe heq dorë nga posti i tij. Por nuk ka gjasa që Turqia të rikthehet te një e kaluar që nuk ka ekzistuar kurrë. Është e vështirë të thuhet se çfarë besojnë Kiliçdaroglu dhe partnerët e tij apo se si do të qeverisin ata.

Aleanca e Kombit (e njohur edhe si “Tryeza e të Gjashtëve") që drejton Kiliçdaroglu, është një koalicion ideologjikisht i ndryshëm, i bashkuar vetëm nga urrejtja e përbashkët ndaj Erdoganit. Përveç CHP-së së Kiliçdaroglu, që është e pozicionuar në hapësirën e qendrës së majtë/socialdemokrate dhe nacionaliste, aleanca përfshin një degë të nacionalistëve të djathtë të Turqisë të quajtur Partia e Mirë; dy parti të qendrës së djathtë të udhëhequra nga dezertorët e AKP-së, Ali Babacan dhe Ahmet Davutoglu, dhe një grupim tjetër të qendrës së djathtë, Partia Demokratike.

Anëtare tjetër e koalicionit është partia konservatore nacionaliste fetare Felicity, e cila, së bashku me AKP-në, u krijuan në vitin 2001, kohë kur nxori jashtë ligjit një tjetër parti islamike. Përveç opozitës ndaj Erdoganit dhe AKP-së, thelbi i apelit të aleancës opozitare ndaj turqve është vendosmëria për t’u distancuar nga “presidenca ekzekutive” që bëri Erdogani 6 vjet më parë, e cila ia shtoi shumë kompetencat, në favor të asaj që Aleanca e Kombit e quan “sistemi parlamentar i forcuar”.

Por realizimi i ndryshimeve thelbësore në institucionet politike të Turqisë, nuk do të jetë aq i lehtë sa “zbatimi urgjent i amendamenteve kushtetuese dhe legjislative” siç premtojnë Kiliçdaroglu dhe aleatët e tij. AKP ka shpenzuar 20 vjet për të abuzuar me institucionet politike të Turqisë për përfitimet e saj të ngushta.

Pasi kanë kapur shtetin, as drejtuesit e partisë dhe as aktivistët e tyre në të gjithë burokracinë dhe gjyqësorin turk, nuk kanë gjasa të dorëzohen kaq shpejt. Dhe kjo e vendos vendin para një sfide shumë të madhe, në të cilën ose Aleanca e Kombit i ka rritur shumë pritshmëritë duke e detyruar atë të tërhiqet dhe të paguajë një çmim të lartë politik, ose që liderët e rinj të Turqisë të largojnë nga administrata aktivistët e AKP-së për të bërë të mundur transformimin që kërkon aleanca.

Këto sjellje nuk janë të paprecedenta në politikën turke. Dekadat e fundit, turqve u janë rritur shpresat për anëtarësimin në BE. Ekonomia ka pësuar rritje, por shpresat e tyre për të hyrë në union janë shuar. Sepse Turqia ka pasur jo pak destabilitet politik në fund të viteve 1990. Sot spastrimet janë bërë një tipar i zakonshëm i politikës turke. Në shkurtin e 1997, ushtria bëri disa “rekomandime” për qeverinë, duke kërkuar spastrimin e pasuesve të njërës prej partive paraardhëse të AKP-së nga postet qeveritare.

Dhe ka pasur një spastrim të vazhdueshëm që nga viti 2014, kur AKP filloi pastrimin e burokracisë nga partnerët e saj të dikurshëm në lëvizjen Guleniste, ose Hizmet. Siç u tha që në fillim, është e vështirë të dihet saktësisht se çfarë beson Kiliçdaroglu. Por gjatë rolit si udhëheqës i opozitës kryesore, ai e ka pozicionuar veten si një politikan dhe si demokrat i përgjegjshëm përballë një autokrati si Erdogan.

Por nga ana tjetër, disa anëtarë të partisë kanë qenë kritikë ndaj punës së brendshme të CHP-së për mungesën e dukshme të demokracisë. Po ashtu mënyra se si e imponoi veten në Aleancën e Kombit si një kandidat i saj presidencial, pavarësisht se ishte më i dobëti nga konkurrentët e tjerë, ngre pikëpyetje mbi kredencialet e tij demokratike.

Si mund të jenë turqit të sigurt se, pasi të ngjitet në presidencë, Kiliçdaroglu do të dëshirojë të heqë dorë nga kompetencat e presidencës ekzekutive? Tek e fundit, politikanët në përgjithësi pëlqejnë të grumbullojnë pushtet, dhe jo të heqin dorë nga një pjesë e tij.

Për më tepër, presidenti i ri turk ka të ngjarë të përballet me një opozitë të egër dhe hakmarrëse të vendosur të bëjnë çmos që ai të dështojë. Ndaj presidenca ekzekutive do të ishte një avantazh në një luftë të ashpër politike me AKP-në dhe partneren e saj në koalicion, Partinë e Lëvizjes Nacionaliste.

Edhe nëse Kiliçdaroglu mund të dëshirojë të mbajë premtimin e Aleancës Kombëtare për të hequr presidencën ekzekutive, nuk ka asnjë garanci se do të bien dakord 2 zëvendësit e tij ambiciozë Ekrem Imamoglu dhe Mansur Javash. Si kryebashkiak i Stambollit, Imamoglu ka vepruar ndonjëherë në një mënyrë të lartë të ngjashme me rivalin e tij politik Erdogan.

Si Imamoglu ashtu edhe Javash, i cili është kryebashkiaku i Ankarasë, janë politikanë të aftë dhe të suksesshëm, por a janë ata demokratë? Ndoshta. Shumë njerëz (përfshirë edhe mua) besonin dikur se Erdogan ishte një reformator, por gjërat shkuan ndryshe. Edhe për çështje të tjera të mëdha, Aleanca e Kombit nuk ngjall shumë besim.

Për shembull, ajo premton “të forcojë lirinë e mendimit dhe shprehjes”. Por mbetet e paqartë nëse kjo hapje e re liberale do të shtrihet deri te nacionalistët kurdë dhe gylenistët. Për këtë, aleanca hesht. Ndërkohë në lidhje me një çështje delikate si ajo kurde, Kiliçdaroglu ka pasur një qëndrim të ndryshuar pozitiv, por nuk duket se ka ndonjë zgjidhje politike kreative.

Shënim: Steven A. Cook, bashkëpunëtor i lartë i “Eni Enrico Mattei” për studimet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga