LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pas humbjes në Ukrainë, Rusia do të përballet me një rebelim të ri në Çeçeni

29 Prill 2023, 21:03, Blog CNA

Pas humbjes në Ukrainë, Rusia do të përballet me një

Kiev - “Pas Ukrainës, radhën e ka Çeçenia”- thotë komandanti çeçen që lufton në anën e Ukrainës. Ushtarët çeçenë janë të qartë se ndodhen në Ukrainë për të kompensuar shtypjen 2-shekullore ruse ndaj atdheut të tyre malor dhe shpeshherë rebel, nga dëbimi i popullsisë çeçene nga Josif Stalin në vitet 1940, rafshimi i kryeqytetit të tyre Grozni nga Boris Jelcin, deri te sundimi aktual brutal i satrapit të Moskës në Çeçeni, Ramzan Kadirov.

Ne nuk e durojmë më sundimin e Rusisë”- shton komandanti 45-vjeçar, i cili kërkoi të identifikohej vetëm nga nofka e tij si luftëtar, Torto, një referencë për një kështjellë afër qytetit të tij të lindjes në Çeçeni, të cilën ai e braktisi si një rebel i ri pas përfundimit të Luftës së Dytë Çeçene në vitin 2009.

“Rusia është si një fqinj i dehur. Një ditë të vjen në shtëpinë tënde dhe dëshiron ta djegë atë. Ju e kapni në flagrancë, dhe ai largohet. Një ditë tjetër kthehet sërish, këtë herë esëll dhe lutet që ta falësh. Dhe pastaj kthehet i dehur me pistoletë dhe vret gruan dhe fëmijët e tu”- thotë ai.

“Kjo do të jetë Lufta e Tretë Çeçene, dhe këtë herë ne do të fitojmë”- ndërhyn një nga ushtarët e Torto-s, një 20-vjeçar që njihet në nofkën Maga. Një bashkëshort dhe baba i një fëmije, ai thotë se partnerja e tij e mbështet plotësisht vendimin e tij për të luftuar.

“Edhe pse shqetësohet për mua, e di që kjo luftë duhet bërë”- shtoi. Aktualisht janë rreth 150-200 vullnetarë çeçenë që luftojnë në anën ukrainase, shumica e të cilëve bij dhe nipër emigrantësh të luftëtarëve që luftuan në Luftën e Parë ose të Dytë Çeçene.

Ata janë të ndarë në tre formacione: batalioni Xhokar Dudajev, i quajtur kështu sipas presidentit të parë post-sovjetik të Çeçenisë së pavarur; batalioni Sheik Mansur, që është kritikuar për lidhje me grupet islamike radikale; dhe një batalion më sekret që punon me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, GUR, dhe anëtarët e të cilit vishen me të zeza.

Konsensusi midis vullnetarëve të huaj këtu, është se çeçenët janë ndër më të përkushtuarit dhe ideologjikët për luftën, po aq sa rreth 200 bjellorusë që luftojnë për Ukrainën, dhe shumë më tepër se shumica e perëndimorëve dhe vullnetarëve që vijnë nga Amerika Latine.

Këta të fundit priren të jenë këtu për para. Të parët - kryesisht amerikanë dhe britanikë - janë përgjithësisht veteranë të Irakut dhe Afganistanit, dhe me disa përjashtime e pranojnë se janë këtu sepse nuk e donin jetën civile, dhe nuk duan të shkojë dëm përvoja dhe trajnimi i tyre. Edhe pse janë dakord me drejtësinë e kauzës ukrainase. Ushtarët çeçenë janë aktualisht të angazhuar kryesisht në Bakhmut, betejën e përgjakshme disamujore që ka shkaktuar humbje të rënda nga të dyja palët, dhe për këtë arsye është krahasuar me betejat e Luftës së Parë Botërore.

Si një student i mprehtë i historisë ushtarake, Torto thotë se “këtu është si në Verdun”, një referencë për betejën më të gjatë të Luftës së Parë Botërore. “Është një ferr i vërtetë”- shton Torto, që ndodhet në Ukrainë që nga viti 2016, ndërsa më parë ka jetuar në Gjermani.

Gjendemi në të ashtuquajturin sallon të batalionit Xhokar Dudajev, një bodrum në periferi të Kievit, duke diskutuar se përse po luftojnë në këtë luftë larg atdheut të tyre por edhe mbi cilësitë dhe karakteristikat e vullnetarëve të tjerë të huaj që luftojnë në Ukrainë kundër

Rusisë, dhe çfarë mendojnë ata për çeçenët që luftojnë për Vladimir Putinin, rreth 12.000 të tillë, në periudha të ndryshme që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Si Torto ashtu edhe Maga nuk kanë asnjë dyshim se ata janë këtu për të luftuar për Çeçeninë. Sepse një disfatë në Ukrainë për Rusinë, do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një kryengritje të armatosur në atdheun e tyre në Kaukazin e Veriut, argumentojnë ata.

Dhe jo vetëm atje, por në të gjithë Rajonin e Kaukazit që ndodhet midis Detit Azov, Detit të Zi dhe Detit Kaspik. “Herët a vonë, ne të gjithë do të jemi të lirë”- thotë Torto, një burrë trupmadh me mjekër, i cili përkëdhel butësisht një mace ngjyrë gri që kacavirret pas tij.

Më besoni kur e them: Kur Rusia ta humbasë këtë luftë me Ukrainën, ajo nuk mund të ekzistojë si shtet. Është e pamundur. Do të shpërbëhet. Ne kemi nevojë vetëm për liri. Të gjithë njerëzit tanë kanë nevojë për liri”- shton Torto, një pikëpamje së cilës i bënë jehonë edhe vullnetarët bjellorusë të intervistuar nga POLITICO 2 ditë më parë.

Torto shpreh neveri ndaj luftëtarëve çeçenë që luftojnë për Rusisë, ose që etiketohen si Kadirovitët, dhe sidomos për mizoritë që kanë kryer. Të etiketuar si “ushtria e TikTok” për promovimin në internet të brutalitetit të tyre, Kadirovitët janë akuzuar për përdhunime, vrasje dhe plaçkitje në Buç.

Në korrikun e vitit të kaluar, u akuzuan për torturimin dhe tredhjen e një ushtari ukrainas të kapur rob në Privilia të Luhanskut, videon e të cilit e postuan në kanalin e tyre në Telegram. Disa hetues dyshojnë se mund të kenë qenë Kadirovitët dhe jo mercenarët e grupit Vagner, ata që i prenë kokën një robi ukrainas në fillim të këtij muaji, akt që gjithashtu u postua në internet.

Maga dhe Torto i përçmojnë Kadirovitët si “ushtarë jo të vërtetë”, të cilët janë në Ukrainë vetëm për para. Kadirovitët janë të dobishëm për Moskën si një mjet propagande. Një paralajmërim se Rusia do ta trajtojë Ukrainën ashtu siç e trajtoi Çeçeninë, dhe do të shkatërrojë gjithçka që mundet.

Ndërkohë ata e ndihmojnë Ramzan Kadirov në promovimin e imazhit të tij si një luftëtar. “Ushtria e TikTok” shfaqet rrallë pranë vijës së frontit, theksojnë çeçenët pro-ukrainas, sepse ajo përdoret vetëm për operacione spastrimi dhe për të mbjellë terror tek popullata civile, thonë luftëtarët çeçenë pro-ukrainas.

Përveç Bakhmut, ku ata nuk janë tërhequr as edhe nga një lagje, momentet e tyre më krenare deri tani në këtë luftë kanë qenë kryerja e operacioneve të sabotimit dhe zbulimit në veri të Kievit menjëherë pas pushtimit të Rusisë, dhe pjesëmarrja në operacionin për çlirimin e Izium, në verilindje të Ukrainës.

Por me gjithë angazhimin e tyre të paepur për luftën, çeçenët mbajnë marrëdhënie të dobëta me vullnetarët e huaj që luftojnë këtu. Në dallim nga formacionet e tjera të huaja, ata nuk janë formalisht pjesë e legjionit ndërkombëtar, nuk paguhen nga qeveria ukrainase dhe duhet të pajisen vetë me armatime.

“Ata na japin municion vetëm kur jemi në vijën e parë të frontit”- thotë Maga. Për të vazhduar luftën, ata bëjnë thirrje në internet për donacione, dhe shesin materiale lufte të mbledhura nga fusha e betejës. Njësi të tjera të huaja dhe ato ukrainase janë bujare, duke i lejuar shpeshherë çeçenët të mbajnë pjesën kryesore të çdo sasie armësh dhe municioni të lënë pas nga forcat ruse kur këto të fundit tërhiqen.

“Rusia është furnizuesja jonë më e madh me armë”- thotë duke qeshur Torto. Pajisjet e kërkuara përfshijnë disa mitralozë të rëndë të rrëmbyer nga tanket. Se përse çecenët trajtohen ndryshe nuk shpjegohet plotësisht nga zyrtarët ukrainas, të cilët përmendin se ka probleme ligjore pasi ata janë teknikisht shtetas rusë.

Por Torto dyshon se arsyeja kryesore ka të bëjë shumë me perceptimin e përhapur mbi çeçenët si mashtrues dhe hajdutë. Gjithsesi, kjo nuk i ka frenuar anëtarët e batalionit Xhokar Dudajev dhe as e ka zbehur entuziazmin e tyre për luftën. Ata shpresojnë se pjesëmarrja e tyre në këtë luftë do të ndryshojë ngadalë mënyrën sesi i shohin çeçenët ukrainas.

Edhe pse mizoria e kadirovitëve nuk ndihmon. Por për kundërsulmin e pritshëm të madh të Ukrainas?

Ata kanë shpresa të mëdha, por thonë se nuk do të jetë e lehtë të mposhtet Rusia, e cila do të mobilizojë më shumë trupa. Por lufta duhet të vazhdojë, thotë Torto. “Kur dëgjoj ekspertë francezë apo gjermanë që flasin se si Rusia duhet të shpëtohet dhe të mos lejohet të shpërbëhet, dhe si mund të rindërtohet si një shtet demokratik, unë thjesht tund kokën”- thotë ai./ Përshtatur nga CNA.al

 

Lajmet e fundit nga