LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Evropa është një fuqi shumë e butë, e papërshtatshme për sfidat aktuale që ka bota

21 Prill 2023, 08:32, Blog Oleksandr Moskalenko
Evropa është një fuqi shumë e butë, e
Foto ilustruese

Qasja e fuqisë së butë të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e problemeve, është parë nga mbështetësit e bllokut si një alternativë unike ndaj gabimeve të fuqisë së fortë që kanë bërë të tjerët, si për shembull Shtetet e Bashkuara. Ky argument arriti kulmin e popullaritetit pas Luftës së Irakut, kur tanket dhe avionët u përbuzën si një përgjigje arkaike ndaj problemeve të botës moderne.

Me thënë të drejtën, fuqia e butë e BE-së ka funksionuar jo pak herë. Pas ndarjes së Çekosllovakisë në vitet 1990, pati një periudhë kur gjysma lindore e asaj federate të dështuar dukej se do të zhytej sërish në autoritarizëm. Por nuk vonoi anëtarësimi i saj në NATO, dhe sot në Sllovaki kanë degët e tyre gjigantët e biznesit si IKEA, Tesco dhe marka të tjera të mëdha perëndimore, njëlloj si në demokracitë e tjera të Evropës Qendrore.

Dhe BE-ja pretendon jo pa arsye një pjesë të kësaj merite. Por fuqia e butë e BE-së dështoi plotësisht në parandalimin e luftës më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Fushata e saj e bazuar tek arsyetimi dhe bindja me të butë e regjimin e Vladimir Putinit për të ndryshuar qasjen e tij dhe për të negociuar në vend të fillimit të luftës ishte po aq e pasuksesshme.

Putin nuk e fshehu asnjëherë se kush ishte, dhe as ideologjinë dhe metodat e tij të qeverisjes. Përballë enigmave frustruese të botës moderne, ai zgjedh luftën kur i përshtatet. Pushtimi, vrasja politike dhe helmimi janë mjetet e preferuara të regjimit të tij, të cilat i përdor si presion në këmbim të lëshimeve të ndryshme.

Ai e vendosi Evropën para një zgjedhje: të vazhdojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, duke toleruar politikat e brendshme të neveritshme si dhe dominimin nga Moska të vendeve përgjatë territoreve të saj kufitare, ose të rikthehej tek përplasja. Në vitin 1990, pas revolucioneve paqësore, zgjerimi i BE-së drejt lindjes solli fshirjen e vijave ndarëse.

Suksesi i transformimeve demokratike në ish-vendet autoritare të Traktatit të Varshavës ishte shumë i lidhur me zbatimin e kushtëzimeve nga Brukseli. BE u tha vendeve: Bindjuni rregullave tona dhe mund të hyni në bllok. Shumë prej tyre vepruan në këtë mënyrë, duke krijuar vetë-perceptimin e BE-së si një aktor unik ndërkombëtar jo ushtarak.

Edhe në vitin 2014, kur Rusia pushtoi për herë të parë Ukrainën dhe aneksoi Krimenë, kishte shenja se kjo formulë nuk funksiononte më. Ndërsa Rusisë nuk po i ofrohej anëtarësimi, BE-ja u ofroi anëtarëve të vjetër dhe të rinj garanci se mbështeste disa vlera thelbësore, si të drejtat e njeriut dhe normat demokratike.

Ato ishin të panegociueshme. Por nëse do të ishte vërtet kështu, ajo nuk mund të vazhdonte angazhimin e saj ekonomik me Rusinë pas një akti të hapur agresioni ushtarak. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Për më tepër, bashkëpunimi me Moskën vazhdoi në sfondin e luftës së përgjakshme të Rusisë në Ukrainën Lindore.

Sanksionet e BE-së ishin kryesisht dekorative dhe të parëndësishme. Dhe përfundimi i gazsjellësit “Nord Stream 2” në shtator 2021 ripohoi të vërtetat themelore të asaj që BE-së i interesonte vërtet. Është e vërtetë që Franca dhe Gjermania udhëhoqën negociatat për Marrëveshjet Minsk I dhe II të viteve 2014 dhe 2015.

Por 8 vjet bisedime dështuan të rivendosin integritetin territorial të Ukrainës por edhe për të ndalur gjakderdhjen. (Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi së fundmi se marrëveshjet kishin blerë “kohë të çmuar” për Ukrainën, duke theksuar se ajo nuk besonte se ato do të sillnin paqe.)

Ç’është më e keqja, paaftësia e BE-së për të formuluar një mjet për t’u marrë me agresionin e hapur rus i dha Putinit një ndjenjë mosndëshkimi. Me fjalë të tjera, ajo e nxiti atë për një agresion të mëtejshëm dhe të gjithanshëm në vitin 2022. Disa në Evropë do ta kenë të vështirë ta dëgjojnë këtë, por për një aktor ndërkombëtar jo-ushtarak, mund të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm të ndërhyjë kur nuk zotëron asnjë fuqi serioze ushtarake për ta përdorur.

Ushtritë kanë ende rëndësi në epokën tonë. Këtë boshllëk nuk mund ta plotësojë asgjë tjetër. Le ta kujtojmë këtë. Në rast se sulmi rus kundër Ukrainës do të kishte pasur sukses, BE-ja do të kishte qenë e pafuqishme, me një mbështetje vetëm tek neni 5 i Traktatit të NATO-s për t’iu kundërvënë kolonave të tankeve ruse që do të ishin vendosur vetëm disa metra larg territorit të aleancës.

Vendosmëria e ukrainasve për të mbrojtur vendin e tyre, dhe solidariteti transatlantik i treguar me furnizimet me armë, e transformuan luftën në një konflikt të gjatë. Nga ana tjetër duhet kuptuar se Rusia ka zgjedhur ta shkëputë veten nga Evropa, duke iu rikthyer rolit historik si një kërcënim i përhershëm ushtarak për qytetërimin evropian.

Tani BE duhet të plotësojë boshllëkun e saj në aspektin e besueshmërisë. Ajo duhet të bëhet një fuqi ushtarake për të forcuar dhe mbrojtur potencialin e saj tregtar dhe ekonomik. Sigurisht, kjo gjë ringjall diskutimin e vjetër të themelimit të një ushtrie të plotë, një debat që ka nisur që në vitet 1950 në fillim të integrimit evropian.

Kjo mund të nënkuptojë që blloku të ketë forcat e veta ushtarake, ose që anëtarët evropianë të NATO-s (disa prej të cilëve si Britania e Madhe, nuk janë anëtarë të BE-së), të bien dakord të përmirësojnë mbrojtjen evropiane brenda aleancës, duke lejuar për shembull operacione që nuk kërkojnë kontributin e SHBA-së, por mbeten nën komandën e aleancës.

Por dy gjëra janë të sigurta. Udhëheqja ushtarake franko-gjermane nuk ofron një qasje të besueshme (tani shumë shtete evropiane nuk i besojnë motivimit dhe qasjes së tyre nga lart-poshtë). Dhe koncepti romantik i një strategjie të fuqisë të butë ka dështuar me fuqitë revizioniste si Rusia dhe Kina. Është koha të mendohet për përdorimin e instrumenteve më të vështira.

Shënim:Oleksandr Moskalenko, studiues dhe anëtar në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).?/ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga