LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vetëm një rënie e qëndrueshme e çmimeve të naftës do ta rrëzojë regjimin e Vladimir Putinit

23 Prill 2023, 09:21, Blog Kirill Rogov
Vetëm një rënie e qëndrueshme e çmimeve të
Foto ilustruese

Presidenti Vladimir Putin mburret me fuqinë e ekonomisë ruse përballë sanksioneve perëndimore, duke cituar vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare sipas të cilave PBB-ja ruse pësoi një rënie modeste gjatë vitit 2022. Por sjellja e udhëheqësit rus nuk është befasuese dhe ai nuk është i vetëm në këtë aspekt.

Është një pikëpamje e përhapur se sanksionet e vendosura ndaj regjimit të tij kanë pasur pak ndikim në ekonomi. Një përmbledhje e fundit mbi gjendjen e ekonomisë ruse nga “Re: Russia Project”, një rrjet ekspertësh, e sfidon këtë tezë.

Raporti, i përgatitur nga një grup ekonomistësh, përfshirë ish-figura të larta nga Ministria e Financave dhe banka qendrore e Rusisë, një profesor në Universitetin e Kalifornisë dhe unë, zbulon se sanksionet kanë pasur në fakt një efekt shumë të madh negativ.

Ato kanë sjellë një largim të kapitalit nga Rusia në masën 12 për qind të PBB-së së saj. Në rrethana normale, kjo do të përshpejtonte ardhjen e një katastrofe ekonomike. Por ekziston një forcë e fuqishme që zbut efektin e sanksioneve: çmimet e larta të energjisë.

Rritja e të ardhurave nga shitjet më të larta të energjisë dhe ulja e importeve (për shkak të sanksioneve) kanë sjellë një suficit tregtar prej rreth 18 për qind të PBB-së.

Kjo tepricë dhe fluksi i petrodollarëve, e kanë ndihmuar Rusinë të shmangë kolapsin ekonomik. Por një krizë e fshehur nuk është e njëjtë me një ekonomi të fortë. Ne e quajmë këtë situatë “më të keqe sesa një krizë”, sepse të ardhurat e larta nga eksportet e energjisë veprojnë si një anestezi, e cila nuk e lejon ekonominë të ndiejë dëmin e shkaktuar nga sanksionet dhe të përgjigjet në mënyrën e duhur.

Aktualisht, në tregun global të naftës oferta e tejkalon kërkesën. Por sipas parashikimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë në mars, kërkesa do të rritet ndjeshëm deri në fund të këtij viti; dhe kjo gjë do të rrisë sërish çmimet.

Edhe duke marrë parasysh një zbritje të konsiderueshme në çmimin e naftës së papërpunuar ruse, pjesërisht si rezultat i një kufiri çmimi të vendosur nga G7, nafta do t’i sigurojë Putinit fonde të mjaftueshme për të vazhduar luftën e tij dhe për të mbajtur regjimin e tij represiv. Përpjekjet perëndimore për të kufizuar qasjen e naftës ruse në tregjet globale ka të ngjarë të kenë pak efekt.

Ka ardhur koha ta pranojmë se çmimet e larta të naftës janë faktori kryesor në agresionin e Putinit jashtë dhe brenda Rusisë. Dhe është logjike ta vendosim problemin në një këndvështrim më të gjerë. Në vitet 1990, çmimi mesatar i një fuçie naftë në bursat ndërkombëtare ishte 27 dollarë (me kursin e vitit 2010).

Në vitet 2000 ishte 54 dollarë, dhe në 12 vitet e fundit ka qenë më shumë se 70 dollarë (aktualisht është rreth 80 dollarë). Rusia ka fituar mesatarisht 250 miliardë dollarë në vit nga shitja e naftës dhe gazit gjatë 15 viteve të fundit.

Madhësia e konsiderueshme e këtij fitimi i ka dhënë mundësi Putinit që ta blejë besnikërinë e popullsisë dhe të krijojë rrjete klienteliste brenda elitave. Dhe kjo forcoi autoritarizmin e tij, por edhe të të tjerëve.

Gjatë viteve 1990, shumë vende ish-autoritare kërkuan afrimin me Perëndimin dhe u përpoqën t’i përshtateshin tregut perëndimor dhe demokracisë, sepse ishin të interesuar të zgjeronin tregtinë dhe investimet me vendet e zhvilluara. Por epoka e çmimeve të larta të burimeve i ka bërë shumë më pak tërheqëse strategji të tilla.

Investimi i brendshëm u bë më pak i nevojshëm, sepse u zëvendësua me sukses nga fluksi i të ardhurave nga eksportet. Dhe zgjerimi i tregjeve të brendshme të konsumit në vendet autoritare, i ka joshur kompanitë e huaja të investojnë dhe të bëjnë tregti me to, duke mbyllur një sy ndaj korrupsionit dhe abuzimeve me të drejtat njeriut.

Unë jam i bindur se nëse çmimet e energjisë do të ishin shumë më të ulëta, lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur. Të ardhurat e mëdha nga tregtia, jo vetëm që konsoliduan autoritarizmin dhe elitat ruse që përfituan nga shpërndarja e tyre, por i dhanë gjithashtu regjimit të Putinit dhe vartësve të tij një ndjenjë të përgjithshme plotfuqie dhe pathyeshmërie, duke nxitur atë që mund ta quajmë si “petro-nacionalizëm”.

Të njëjtat përfitime dobësuan edhe aftësitë ndikuese të vendeve perëndimore, pasi qasja në tregjet e tyre dhe investimet po bëheshin gjithnjë e më pak të rëndësishme për mirëqenien ekonomike të Rusisë. Te kjo mund të gjejmë përgjigje për dy pyetje kyçe: Kur do të përfundojë kjo luftë? Kur do të shohim një normalizim të regjimit politik në Rusi?

Përgjigja është kur të bien ndjeshëm të ardhurat nga nafta dhe gazi. Por ka të ngjarë që do të duhet më shumë se një vit rënie të çmimeve (vite të tilla kanë ndodhur tri herë në 20 të fundit). Do të duheshin 3, 4 apo ndoshta 5 vjet për të shkaktuar një rënie të mprehtë të standardeve të jetesës dhe mungesën e parave në ekonomi, gjë që do t’i detyronte rusët e zakonshëm dhe elitat të arrinin në përfundimin se regjimi është i mbaruar dhe të kërkonin alternativa politike dhe ekonomike.

Edhe pse ndoshta do të duheshin disa vite “uri” financiare për të sjellë një kthesë të tillë ngjarjesh, lufta në Ukrainë dhe sanksionet e kanë rritur që tani ndjeshëm cenueshmërinë e regjimit ndaj rënies së çmimeve të energjisë. Moska duhet të vazhdojë të bëjë shpenzime të larta ushtarake, por edhe shpenzime të larta sociale që të frenojë pakënaqësinë popullore. Dhe në të njëjtën kohë duhet të përballet me pasojat e largimeve masive të kapitalit jashtë vendit.

Po ashtu Moska duhet të sigurojë zëvendësimin e importeve në sektorë kritikë, dhe të ndërtojë infrastrukturë të re për të zgjeruar flukset tregtare në lindje dhe jug. Në rast se çmimet e energjisë do të përjetojnë një rënie të qëndrueshme, lufta problematike e Putinit në Ukrainë mund të kthehet në një luftë vetë-shteruese.

Në të kundërt, nëse çmimet e naftës mbeten të larta, Perëndimit do të detyrohet të prodhojë armë për Ukrainën në të njëjtën shkallë që fitimet e naftës i lejojnë Putinit t'i prodhojë ato në Rusi. Dhe ndonëse Ukraina arrin të realizojë një kundërofensivë të suksesshme ushtarake në muajt e ardhshëm, duke e detyruar udhëheqësin rus të kërkojë një formë armëpushimi, regjimi i tij ka shumë të ngjarë të mbijetojë, me kërcënimin e ripërtëritjes së luftës në një fazë të mëvonshme.

Vetëm një rënie e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e çmimeve të hidrokarbureve mund ta ndryshojë situatën. Pyetja e vetme është nëse deri atëherë Rusia do të jetë shumë e varur nga Kina si ekonomikisht po ashtu edhe politikisht për t’i shpëtuar kampit autoritar.

Shënim: Kirill Rogov, politolog, gazetar dhe shkrimtar rus. Ai është anëtar i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë dhe themeluesi i “Re: Rusia”, një rrjet politikash./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga