LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ballkani, sërish në telashe/ Vuçiçi synon të ndërtojë Serbinë e Madhe

28 Prill 2023, 08:51, Blog CNA
Ballkani, sërish në telashe/ Vuçiçi synon të
Foto ilustruese

Unë kam qenë shumë i përkushtuar me shkrimin e librave dhe i kam lënë mënjanë komentet kohët e fundit. Por situata e përkeqësuar në Ballkan më nxit të ndërhyj sërish. Sepse Bosnja po përballet seriozisht me rrezikun e ndarjes.

Anëtari serb i presidencës shtetërore, Milorad Dodik, po vazhdon të përsërisë synimin e tij për të shpallur pavarësinë. Ai kërkon haptazi bashkimin me Serbinë. Justifikimi që po përdor këtë herë, është se gjyqësori federal nuk po e lejon të shpronësojë tokën publike në Republika Srpska (RS), e cila i nevojitet si një kolateral për kreditë që do të marrë nga Rusia dhe burime të tjera të dyshimta këtë verë.

Ballkani, sërish në telashe/ Vuçiçi synon të

Por kjo emergjencë nuk duhet që ta zhvendosë vëmendjen nga objektivi kryesor. Dodik ka synuar prej kohësh që të jetë i lirë nga kontrolli që vjen si nga qeveria qendrore në Sarajevë, po ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Vjedhja e burimeve të RS dhe abuzimi me fondet që i dërgon Rusia, e bëjnë atë të pambrojtshëm ndaj ndjekjes penale.

Ndaj Dodik duhet që të shkëputet nga Bosnja dhe të gjejë një bazë ku nuk do të rrezikojë arrestimin. Nuk ka gjasa që Serbia t’ia hapë dyert e saj, pasi kjo do ta ofendonte shumë Brukselin dhe Uashingtonin. Por Dodik do të jetë i kënaqur edhe me një RS të pavarur.

Ndërkohë edhe në Kosovë situata po përkeqësohet.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka treguar përmes 2 mënyrave se ai i kontrollon serbët që jetojnë në veri të lumit Ibër. Së pari, zgjedhjet lokale të së dielës së kaluar ishin paqësore. Dhe kjo nuk mund të ndodhte pa urdhrat e tij. Merreni këtë si një konfirmim që Beogradi ka urdhëruar të gjitha trazirat që kanë shpërthyer në veri në të kaluarën.

Ballkani, sërish në telashe/ Vuçiçi synon të

Së dyti, shumica dërrmuese e serbëve nuk dolën të votojnë. Këtë gjë e ka urdhëruar sërish Vuçiç. Ata pak qytetarë që votuan zgjodhën 4 shqiptarë për kryetarë komunash në komunat me shumicë serbe. Vuçiç dhe kryeministrja e tij (Ana Bërnabiç) reaguan me tërbimin tipik të nacionalistëve etnikë, si të ofenduar që ishte pakica ajo që e diktoi rezultatin, për shkak të bojkotit që urdhëruan po ata vetë.

Unë nuk do të doja të isha një nga ata kryekomunarë. Sepse do të kenë pak ose aspak bashkëpunim me zyrtarët lokalë serbë dhe me popullsinë me shumicë serbe. Zemërimi publik i Vuçiçit synon të fshehë faktin se ai do të vazhdojë të qeverisë de fakto 4 komunat veriore me shumicë serbe nga Beogradi, duke përdorur rrjetin e tij të agjentëve të sigurisë dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar. Prishtina do ta ketë të vështirë të bëjë diçka atje.

Por Vuçiç ka shtënë në dorë edhe Malin e Zi. Ai ka përdorur mjete të zgjuara hibride me mbështetjen e Rusisë për të zgjedhur një president të ri. Jakov Milatoviç pretendon se është pro BE-së, por ai është shumë më dashamirës ndaj Serbisë.

Kisha Serbe, partitë politike pro-serbe, dhe mobilizimi populist kundër korrupsionit u bënë bashkë për të larguar nga detyra Milo Gjukanoviçin. Ky i fundit kishte sunduar vendin e vogël ballkanik për pjesën më të madhe të 3 dekadave të fundit, duke qeverisur me mbështetjen e grupeve të pakicave etnike.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 qershorit, do t`i japin Milatoviç një shumicë thellësisht pro serbe dhe kundër pakicës në parlament. Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Serbia pretendon një status “neutral” në aspektin ushtarak.

Ballkani, sërish në telashe/ Vuçiçi synon të

Kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të parandaluar çdo aneksim, por ajo e dobëson Aleancën, duke futur në mesin e saj një tjetër planprishës si Hungaria. Nuk është rastësi që përpjekjet paralele për largimin e serbëve nga pushteti qeverisës joserb po ndodhin njëkohësisht në tri vende.

Presidenti Vuçiç po ndjek projektin e ndërtimit të “botës serbe”, që është një shtet i të gjithë serbëve që përfshin territore, të cilat sot shtrihen në vendet fqinje. Kjo është “Serbia e Madhe”, synimi i dikurshëm i Sllobodan Millosheviçit, por me një emër tjetër.

Në Bosnje, atij i duhet vetëm që ta lejojë Dodik të arrijë synimin e tij. Në Kosovë, po përfiton nga ngurrimi i kryeministrit Albin Kurti për të filluar negociatat për një mekanizëm “vetëmenaxhimi” për serbët në Kosovë. Në Malin e Zi, zgjedhjet kanë prodhuar rezultatin që donte Vuçiç.

Ndërsa amerikanët dhe evropianët vazhdojnë të premtojnë se Serbia po afrohet me Perëndimin, fakt është se Vuçiçi e ka kthyer përfundimisht vendin e tij drejt Lindjes. Që “bota serbe” të bëhet realitet, Beogradi duhet të shpresojë që Rusia të fitojë në Ukrainë.

Kjo do t’i siguronte Vuçiçit precedentin për aneksimin e pjesëve të Kosovës dhe Bosnjes. Po ashtu, ai do të ketë nevojë për Kinën që të sigurojë financimin që do t’i duhet Serbisë së Madhe. Malin e Zi ai s’ka nevojë ta aneksojë, mjafton të rikrijojë me të Unionin Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, që ekzistoi në vitet 2003-2006.

Vuçiç e di se amerikanët dhe evropianët nuk do të duan të pranojnë de jure një Serbi të Madhe. Por ai shpreson se ata do të mësojnë të jetojnë me një Serbi të tillë de facto. Dhe për momentin reagimi i tyre duket i dobët. Uashingtoni është përpjekur ta injorojë Dodikun dhe të zbutë tonet me Vuçiçin.

Diplomatët amerikanë mbështetin fuqishëm Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilin Vuçiç e sheh si mjetin e “vetëmenaxhimit” serb. Po ashtu SHBA ka ringjallur bashkëpunimin ushtarak dhe ka siguruar shumë financime përmes bankave shumëpalëshe të zhvillimit evropian.

Ankesat për korrupsionin në Serbi janë të pakta. Ndërkohë përçarjet i pengojnë evropianët që të veprojnë. Kryeministri hungarez Orban sillet si një mbrojtës për Vuçiç dhe Dodik, duke parandaluar sanksionet ndaj të dyve. Franca dhe Holanda kanë ngadalësuar perspektivat e zgjerimit për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Bosnjen.

Ballkani, sërish në telashe/ Vuçiçi synon të

Kjo e zbeh më tej joshjen ndaj BE-së edhe në Serbi dhe Malin e Zi. Pesë vendet anëtare të BE-së (Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) që nuk e kanë njohur Kosovën pengojnë një konsensus të vërtetë në favor të saj, duke përfshirë edhe votimin relativisht të pakontestueshëm të kësaj jave në Këshillin e Evropës për procesin e pranimit të Prishtinës.

SHBA dhe BE po dështojnë në Ballkan. Ata duhet të ndryshojnë drejtim. Analiza e tyre themelore është aktualisht e gabuar. Ata janë mbështetur te Serbia si shteti kryesor në rajon për të sjellë stabilitet, në bashkëpunim me Kroacinë dhe Shqipërinë. Por Serbia është një fuqi revizioniste.

Ajo dëshiron të qeverisë të gjithë serbët në rajon. Kroacia dhe Shqipëria kanë ambicie më të vogla, por në të njëjtin drejtim: të kontrollojnë bashkatdhetarët e tyre në Bosnjen dhe Kosovën fqinje. Uashingtoni dhe Brukseli kanë nevojë për një qasje shumë më energjike, më të bashkuar dhe më parimore.

Kjo qasje e re duhet të mbështeste të drejtat e qytetarëve individualë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Ajo duhet të kundërshtojë nacionalizmin etnik kudo që ai abuzon me pakicat. Po ashtu duhet të përforcojë sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve të rajonit. Dhe duhet të mirëpresë në Perëndim vetëm ata që demonstrojnë solidaritet të vërtetë me Perëndimin.

Shënim: Daniel Server, profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konflikteve në Shkollën Xhon  Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, SHBA./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga