LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Pranvera e rreme” e shpresës në Ukrainë?

25 Shtator 2022, 15:17, Blog Ronald Marks
“Pranvera e rreme” e shpresës në Ukrainë?
Foto ilustruese

Në zonat malore dhe të larta të Shteteve të Bashkuara, ekziston një dukuri që ndodh zakonisht në fundin e stinës së dimrit dhe që duhet “pranverë e rreme”. Kjo ndodh kur moti i ngrohtë i jugut zhvendoset në veri për një kohë të shkurtër. Pemë dhe lule çelin ngado. Ai moment është një lehtësim i këndshëm për vendasit nga të ftohtit e acartë të dimrit.

Dhe më pas, siç e dinë ata, dimri kthehet me forcë. Unë kam frikë se kjo është ajo që po shohim në Ukrainë, një “pranverë e rreme” shprese. Kam kaluar 4 dekada të jetës sime duke u angazhuar në çështjet e sigurisë kombëtare dhe inteligjencës, dhe i paralajmëroj kolegët e mi analistë që të kenë kujdes nga paragjykimet e rrezikshme.

Pavarësisht fitoreve të fundit inkurajuese të Ukrainës, unë besoj se këtë luftë mund ta humbasë vetëm Putini. Dhe bazuar në 2 dekada vëzhgim të sjelljeve të tij, them se Putinit nuk i pëlqen të humbasë. Ky është një udhëheqës që i pëlqen shpesh të tregojë një histori të fëmijërisë së tij, ku ai sulmoi një mi, e rrethoi në një cep të shtëpisë, derisa nga sikleti kafsha e sulmoi e para.

“Pranvera e rreme” e shpresës në Ukrainë?

Tani Putini po kërkon mënyrat se si të mposhtë armiqtë e tij. Mendoj se tani Putin është më i rrezikshëm së më parë. Ai duket i rrethuar. Daljet e tij publike duket se tregojnë një njeri që me shumë gjasa është i sëmurë, ku dominojnë hamendësimet se ai vuan nga sëmundja e Parkinsonit.

Gjeneralët e paaftë dhe zyrtarët e rrëmujshëm të inteligjencës ruse po fajësohen hapur për problemet aktuale të ushtrisë ruse në Ukrainë. Moska po i pranon pengesat e mëdha që po has. Një raport i fundit mbi një tentativë të mundshme për goditjen e limuzinës së Putinit është bërë viral në internet.

Por, a është vetëm një “pranverë e rreme”? Në përvojën time, gjykimi nga distanca i shëndetit të një udhëheqësi, është një detyrë idiote. Putini ka në dispozicion shumë mjekë dhe ilaçe për ta qenë në një gjendje shëndetësore të mirë. Dhe njerëzit rreth Putinit që varen prej tij për ekzistencën e tyre, u intereson kjo gjë.

Sa u përket sanksioneve ekonomike, ato nuk kanë funksionuar vërtet, pasi Kina vazhdon të blejë sasi të mëdha të naftës ruse, dhe po i shet me gjasë Rusisë materiale ushtarake. Dhe, në cilësinë e një njeriu me disa diploma në ekonomi, këto sanksione shkaktojnë në rastin më të mirë sëmundje kronike, por jo fatale.

Ringjallja e NATO-s e ka dëmtuar politikisht Vladimir Putinin në Europë. Por ky i fundit ka të ngjarë që këtë dimër të përdorë si armë naftën dhe gazin, duke e ndërprerë furnizimin për vendet europiane. Kësisoj, shumë shpejt udhëheqësit e NATO-s së duhet t’u shpjegojnë popujve të tyre pse po ngrijnë në mesin e dimrit për hir të popullit të Ukrainës.

Unë besoj se kjo është një sakrificë e denjë, por nga ana tjetër shumë e vështirë për t’u shpjeguar. Dhe mos kini ndonjë iluzion: në fushën e betejës, Putini kontrollon ende 1/5 e sipërfaqes së Ukrainës, dhe largimi i ushtrisë ruse nga Ukraina do të jetë një mision i gjatë, i kushtueshëm financiarisht dhe me shumë viktima.

“Pranvera e rreme” e shpresës në Ukrainë?

Putini ka pasur mundësi të terrorizojë vendet e pushtuara, duke vrarë dhe rrëmbyer banorët vendas. Dhe armët e tij me rreze të gjata, por edhe avionët e armatosur me raketa, vazhdojnë të qëllojnë nga hapësira ajrore ruse sipas dëshirës. A është NATO e gatshme ta ndihmojë Ukrainën të sulmojë sërish territorin rus, por këtë herë në një shkallë më të gjerë?

Deri më tani, përgjigjja ka qenë jo. Disa shpresojnë se mobilizimi i pjesshëm do të shkaktojë protesta të brendshme. Por Putini e ka forcuar retorikën patriotike, duke i përdorur humbjet në terren për përfitime të mundshme politike. Shqetësimet e shprehura nga ekspertët rusë në mediat masive nuk janë vetëm kritika ndaj ushtrisë.

Ato përbëjnë dhe një pretekst për mbrojtjen e “mëmëdheut” me më shumë burime, duke luftuar ndaj “fashistëve të këqij” në Ukrainë. Dhe populli rus po e beson këtë gënjeshtër.

Sa i përket kundërshtimit serioz ndaj Putinit, ka ende shumë paragjykime, por edhe shpresë për një revolucion të brendshëm dhe për përmbysjen e regjimit.

Në realitet, gjasat janë ende të pakta. Është e vërtetë, që armiqtë e perceptuar apo të vërtetë në një oligarki dhe disa burokratë të “Silovikit”, duket se këto ditë janë armiqësuar me Putinin. Interneti është plot me zëra për protesta në rrugë. Por që të gjitha këto shuhen shpejt.

Ka një aromë tymi… por sigurisht, nuk ka zjarr. Gjatë gjithë karrierës sime në çështjet e sigurisë kombëtare, kam parë herë pas here mendimet e dëshiruara me të cilat jemi përfshirë aktualisht në Ukrainë. Fakti është se ndodhemi në një luftë të gjatë e të shëmtuar, e cila nuk do të përfundojë së shpejti.

Ju lutem, mos më keqkuptoni: unë dua që ukrainasit të fitojnë, dhe dua ta shoh Putinin të rrëzuar nga pushteti. Por nga ana tjetër e kuptoj se diktatorët si Putini nuk kanë plan të dalin vetë në pension. Ata largohen ose kur vdesin, ose përmes forcës së armëve. Lufta në Ukrainë nuk do të fitohet vetëm me optimizëm, dhe as me dëshirën për t’i parë faktet ashtu siç duam të jenë. Aktualisht jemi në një “pranverë të rreme”. Dhe kam frikë se “dimri” është rrugës duke ardhur.

Shënim: Ronald Marks, ish-oficer i CIA-s, ka shërbyer si ndërlidhës i Senatit për 5 drejtorë të CIA-s. Aktualisht është profesor në Shkollën e Politikave dhe Qeverisjes në Universitetin Xhorxh Mejzën./ Përshtatur nga CNA.al

 

Lajmet e fundit nga