LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Studimi: Marijuana mund të ndihmojë në reduktimin e depresionit dhe ankthit

23 Shtator 2022, 09:04, Blog CNA

Studimi: Marijuana mund të ndihmojë në reduktimin e depresionit

Frika dhe paniku mbi kanabisin në SHBA ka nisur që në vitet 1930. Kur doli në kinema filmi “Reefer Madness” i vitit 1936, kriminalizimi i marijuanës ishte duke ndodhur tashmë. Ai portretizonte një grup adoleshentësh të pafajshëm, të cilët bëhen të varur nga marijuana, dhe faji për këtë bie mbi 3 tregtarë të lëndës narkotike.

Nën ndikimin e saj, adoleshentët godasin dhe vrasin një këmbësor me makinë, qëllojnë dhe vrasin një adoleshent tjetër dhe rrahin për vdekje me shkop një burrë. Në fund të filmit adoleshentët hidhen nga dritarja e një godine të lartë dhe vdesin.

Gati 100 vjet më vonë, historia rreth kanabisit në SHBA ka evoluar. Ndërsa po publikohen gjithnjë e më shumë kërkime rreth marijuanës, ka prova në rritje se në vend se të jetë një kërcënim për shoqërinë, kanabisi - aktualisht i ndaluar në shumicën e vendeve - sjell përfitime të shumta potenciale në fushën fizike, neurologjike dhe psikiatrike.

Një vit pas filmit “Reefer Madness”, qeveria amerikane miratoi “Aktin e Ndalimit të Marijuanës”, duke e ndaluar përdorimin e për synime rekreative. Tri dekada më vonë, si pjesë e “Aktit të Kontrollit Substancave” të vitit 1970, qeveria federale e klasifikoi marijuanën si një substancë pa “një përdorim mjekësor të pranueshëm”.

Nga fillimi i viteve 1980, fushata kundër drogës, dominoi vetëdijen e shumicës së amerikanëve. Studimet sugjerojnë se numri i amerikanëve që e panë abuzimin me drogën si “problemin nr.1” në vend u rrit me rreth 60 për qind ndërmjet viteve 1980-1989.

Por këto qëndrime nisën të ndryshojnë në fillimin e këtij shekulli. Marijuana filloi që të konsiderohej si një lëndë e pranueshme për konsum. Dhe një numër në rritje amerikanësh, kanë kaluar nga shqetësimet e mëdha rreth varësisë në pranimin e përdorimit të marijuanës, ose më të paktën janë më të hapur ndaj përfitimeve të saj mjekësore.

Në fakt, që nga viti i kaluar, më pak se 1 në 10 të rritur në SHBA (8 për qind) besojnë se marijuana duhet të jetë e paligjshme për të gjitha llojet e përdorimit, sipas një sondazhi të kryer nga organizata “Pew Research”. I njëjti sondazh tregoi se 91 për qind e të rriturve amerikanë thonë se substanca duhet të jetë e ligjshme për përdorim mjekësor ose për përdorim rekreativ, ose për të dyja.

Sipas Harvard Health, përdorimi më i zakonshëm i marijuanës mjekësore në SHBA është për kontrollin e dhimbjes, përfshirë dhimbjet me bazë nervore nga sëmundje të tilla si skleroza e shumëfishtë. Por hulumtimet tregojnë se marijuana mund të jetë e dobishme në trajtimin e të përzierave dhe të vjellave, një efekt anësor i kimioterapisë dhe i disa formave të epilepsisë.

Por deri vonë nuk ishte lënë pas dorë marrëdhënia midis shëndetit mendor dhe përdorimit të kanabisit. Në vitin 2017, “Instituti i Abuzimit me Alkoolin dhe Drogën” në Universitetin e Uashingtonit publikoi një studimin me titull “Efektet e marijuanës mbi shëndetin mendor: Depresioni”, duke tërhequr vëmendjen ndaj mungesës së studimeve shkencore mbi lidhjen e shëndetit mendor.

Por ajo që ende mungon sot, sipas një studimi të vitit 2021 të botuar në “Frontiers in Psychology”, është një studim sistematik i efekteve anësore të mundshme pozitive të përdorimit të kanabisit, duke përfshirë reduktimin e depresionit dhe ankthit.

Studiuesit e këtij studimi synuan të sintetizonin të gjitha kërkimet e publikuara që lidhin depresionin dhe kanabisin. “Klinika Majo” sugjeron se ekziston një lidhje midis dhimbjes dhe depresionit, me të dyja që potencialisht çojnë te njëra-tjetra. Por tani, një varg kërkimesh të reja sugjerojnë se kanabisi mund të jetë një alternativë ndaj antidepresantëve të rekomanduar si një qetësues i dhimbjes së shkaktuar nga ankthi dhe depresioni.

Një studim i vitit 2018 i botuar në “Journal of Affective Disorders”, të cilin autorët e quajtën të parin e këtij lloji, sugjeron se pirja e një cigareje kanabis mund të reduktojë ndjeshëm nivelet afatshkurtra të depresionit, ankthit dhe stresit. Studimi u konsiderua unik pasi studiuesit analizuan efektet e kanabisit të pirë nga pjesëmarrësit në studim në shtëpitë e tyre, në vend të tabletave THC të marra në laborator.

Një studim i vitit 2020 i publikuar në revistën “Yale of Biology and Medicine”, zbuloi se shumica e pjesëmarrësve përjetuan të paktën një efekt antidepresiv afatshkurtër nga përdorimi i kanabisit. Më së afërmi në kohë, një studim i botuar në “Frontiers in Psychiatry” në vitin 2021 gjeti një lidhje direkte midis përdorimit të kanabisit dhe depresionit më të ulët të vetëraportuar në një test.

Po ashtu përdoruesit raportuan një gjumë më të mirë, cilësi më të mirë të jetës dhe më pak dhimbje. Pjesëmarrësit që filluan përdorimin e produkteve të kanabisit si pjesë e studimit, raportuan një reduktim prej 25 për qind të simptomave të depresionit.

Nga ana tjetër pjesëmarrësit që nuk filluan të përdorin kanabis gjatë studimit, nuk treguan pothuajse asnjë ndryshim në simptoma, sipas autores kryesore të studimit Erin Martin nga “Departamenti i Neuroshkencës” në Universitetin Mjekësor të Karolinës së Jugut.

Statistikat e përpiluara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor (NIMH) sugjerojnë se më shumë se 21 milionë të rritur amerikanë - rreth 8.4 për qind e popullsisë së rritur në SHBA - kanë vuajtur nga të paktën një episod i madh depresiv.

NIMH e përkufizon një episod të madh depresiv si “një periudhë prej të paktën 2 javësh kur një person përjetoi një humor të rënduar apo një humbje të interesit apo kënaqësisë në aktivitetet e përditshme, dhe që kishte një shumicë simptomash të specifikuara, si probleme me gjumin, ngrënien, energjinë fizike, përqendrimin apo vetëvlerësimin”.

Por depresioni është edhe një fenomen global. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 280 milionë njerëz vuajnë nga kjo sëmundje, ose 3.8 për qind e popullsisë së botës. Ky realitet krijon një emergjencë për më shumë opsione trajtimi.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga