web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Disa leksione angleze mbi perëndimin dhe rënien e perandorive

12 Shtator 2022, 08:31, Blog Martin Ivens

Disa leksione angleze mbi perëndimin dhe rënien e perandorive

Në fillim të tetori 1993, isha duke shëtitur nëpër rrugët e Moskës, para ushtarëve që rrethonin Shtëpinë e Bardhë, godinën imponuese të parlamentit të Rusisë. Destinacioni im: burgu i Lefortovos, ku do të intervistoja disa parlamentarë nacionalistë dhe persona të armatosur kundër Presidentit Boris Yeltsin, të cilët i kishin mbyllur aty përpara se të mund t’i bashkoheshin revoltës së parlamentit kundër qeverisë së tij. 

Burrat e mbyllur në atë burg famëkeq të disidentëve politikë e urrenin Jelcinin dhe paraardhësin e tij Mikail Gorbacev për rolin e tyre në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Vladimir Putin është ankuar për kolapsin e tij, duke e cilësuar si “katastrofën më të madhe gjeopolitike” të shekullit XX.

Disa leksione angleze mbi perëndimin dhe rënien e perandorive

Në Lefortovo, në vitin 1993 ndjenja e poshtërimit ishte shumë e dukshme. Ironikisht, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik kishte qenë e fundit në mendjen e Gorbaçovit kur ai vendosi shpërbërjen e perandorisë së tij më të gjerë informale në Europën Lindore.

Pra, dhënien fund të marrëdhënies së vasalitetit nga ana e ish-shteteve satelite të Polonisë, Hungarisë, Rumanisë, Çekosllovakisë dhe Gjermanisë Lindore, që tani përbëjnë pjesën më të madhe të NATO-s dhe krahun lindor të Bashkimit Europian.

Edhe pse u vlerësua me të drejtë nga shumë njerëz në Perëndim, përgjatë kësaj jave kur ai edhe ndërroi jetë, për rolin e tij në dhënien fund të Luftës së Ftohtë, fakti është që Gorbaçovi e përdori forcën ushtarake në një përpjekje të kotë për të ruajtur perandorinë sovjetike.

21 protestues vdiqën vetëm në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi. Dhjetëra të tjerë u vranë në Riga dhe Vilnius, kryeqytetet e Letonisë dhe Lituanisë në vitin 1991, pasi popujt e Baltikut dhe Kaukazit në periferinë sovjetike shpallën pavarësinë e tyre.

Edhe vetë Jelcin, që bashkë me udhëheqësit e Ukrainës, Bjellorusisë dhe Kazakistanit e shpërbënë zyrtarisht Bashkimin Sovjetik, u përgatitën më vonë të derdhnin lumenj gjaku për të parandaluar çeçenët të shkëputeshin nga Federata Ruse.

Është e vështirë, në mos e pamundur, të ndalosh shpërbërjen e një perandorie, kur ky proces ka nisur tashmë. Kjo është perspektiva ime si qytetar i shtetit pasardhës të perandorisë më të madhe që ka parë ndonjëherë bota: Britanisë së Madhe. Procesi mund të jetë i zgjatur, por është i pashmangshëm.

Disa leksione angleze mbi perëndimin dhe rënien e perandorive

Perandoria Osmane ishte “e sëmura” e Europës për 3 shekuj me radhë. Por u desh një luftë botërore dhe 3 fuqi rivale perandorake për ta shembur atë. Pas vitit 1945, perandoritë europiane jashtë shtetit u zhdukën brenda disa dekadave.

Sa kohë ekzistoi perandoria e Moskës? Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, u deshën 2 vjet për t’i rikthyer në Rusi legjionet ruse. Pushtimi aktual i Putinit në Ukrainë, është një përpjekje për ta rikthyer kohën pas. Por nëse dështon kjo përpjekje, pasardhësi i tij do të përballet me lëvizje të reja pavarësie nga brenda Federatës Ruse.

Më shumë se 20 për qind e qytetarëve të saj nuk janë rusë etnikë, dhe këto pakica janë të mbipërfaqësuara në forcat e armatosura që luftojnë në Ukrainë. Nëse ata ushtarë rikthehen në shtëpi të humbur, pasojat mund të jenë të tmerrshme. Perandori të tjera europiane dështuan në përpjekje të ngjashme për ta ndalur rënien.

Francezët, belgët, holandezët, spanjollët, portugezët dhe britanikët janë reduktuar në thelbin e tyre metropolitan (edhe pse nacionalistët skocezë dhe katalanas do ta kundërshtonin këtë), por ashtu si udhëheqësit e Moskës sot, ata shpesh luftuan fort për ta ndaluar këtë proces.

Fitorja e Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, u dha perandorive të vjetra shpresa iluzive për një ringjallje. Britanikët mund të kenë hequr dorë pa dëshirë nga India - “xhevahiri” i Kurorës mbretërore - në vitet e pasluftës. Por ata luftuan për të ruajtur perandorinë në Lindjen e Mesme, derisa ndërhyrja ushtarake në Krizën e Suezit të vitit 1956 ndeshi në kundërshtimin e SHBA dhe ia sabotoi planin.

Erërat e ndryshimit u ndjenë edhe në kolonitë e saj afrikane. Deri në vitin 1967, Londra nuk mund të përballonte më as një angazhim në kolonitë e saj, pavarësisht fitoreve ushtarake të arritura kundër kryengritësve komunistë dhe fuqive grabitqare.

Por në dallim nga Moska, Londra ishte në gjendje t’i jepte një farë shkëlqimi përmbysjes së perandorisë së saj. Kryeministrat konservatorë dhe laburistë e urrenin dorëzimin e vendit të parë Britanisë në skenën botërore, për t’ia lënë atë SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Deri në vitin 1965, Harold Uillson mburrej se kufijtë e vendit ishin deri në Himalaja.

Siç shprehet edhe historiani Xhon Darvin, kalimi nga perandoria në një Komonuelth të kombeve të lira, të drejtuar nga Mbretëresha, mund të paraqitet për konsum publik “si një akt i mjeshtërisë largpamëse, si një triumf i një vizioni, dhe jo një produkt i një ezaurimi nervor“.

Shtetet e reja kombëtare ishin besnike ndaj Kurorës. Misioni perandorak liberal i Britanisë u përmbush; dhe patriotët mund të gëzoheshin. Ndaj britanikët e ngushëlluan veten me eufemizmin se ata “e menaxhuan rënien”, ndërsa francezët “pësuan disfata ushtarake” në Indokinë dhe Algjeri, ndërsa belgët lanë “kaos” në ish-kolonitë e tyre.

Kjo është një narrativë ngushëlluese, por e dyshimtë. Nuk ka pasur asnjë formulë për t'u shpëtuar fytyrën nacionalistëve rusë, dhe asnjë përfitim ekonomik për të lehtësuar dhimbjet nga perëndimi, që dhe rënia e Bashkimit Sovjetik.

Ish-fuqitë europiane shijuan një periudhë zhvillimi të paprecedentë të pasluftës, teksa hoqën dorë nga perandoritë e tyre koloniale, por Rusia përjetoi një përgjysmim të ekonomisë së saj në më pak se 10 vjet gjatë viteve 1990. Ish-“kolonitë” e Bashkimit Sovjetik e sulmojnë Moskën edhe sot e kësaj dite, dhe dridhen nga frika nga çdo shoqatë e stilit të Commonwealth që vepron si mbulesë për dominimin e Kremlinit. Rusia nuk ka sot një strukturë të ngjashme si NATO apo Bashkimit Europian, që cili u dha një jetë të re imperialistëve të mundshëm francezë, por edhe atyre britanikë.

Sot, Putini gëzon një popullaritet të madh në vend, bazuar në suksesin e ushtrisë ruse në Çeçeni, Gjeorgji, Krime dhe Donbas. Edhe Gorbaçovi i mbështeti gabimisht disa nga ato ndërhyrje. Shfrytëzimi i burimeve natyrore, ka sjellë një zhvillim dhe stabilitet të përkohshëm. Por loja perandorake e Putinit në Ukrainë mund të jetë Suezi, Algjeria ose edhe Vietnami i tij. Kur një perandori hakmerret, kjo çon zakonisht drejt katastrofës së saj.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga