web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ndjesa e Gjermanisë dhe kthesa e fortë që kërkohet prej saj në raport me Rusinë

9 Shtator 2022, 08:24, Blog Edward Lucas

Ndjesa e Gjermanisë dhe kthesa e fortë që kërkohet prej saj

Kryeministrja e Finlandës, Sana Marin, ishte vetëm 6 vjeçe në vitin 1991. Atë vit, unë dëgjova një zyrtar në Helsinki të ankohej për rikthimin e Estonisë te pavarësia. E shkatërruar nga keqqeverisja komuniste, ajo do të ishte në mënyrë të pashmangshme e paqëndrueshme, e varfër dhe e një kriminalitet të nivelit të lartë.

Pra, një katastrofë për Finlandën fqinje. Dhe ai nuk ishte i vetmi që ankohej. Për 30 vite me radhë, vendimmarrësit finlandezë i shpërfillën ankesat ndaj Moskës të fqinjëve të tyre të lulëzuar jugorë. Në vitin 2008, Tarja Halonen, asokohe president i Finlandës, e shpjegoi sjelljen e ashpër të Estonisë ndaj Rusisë me “stresin traumatik postsovjetik”.

Muajin e kaluar zonja Marin kërkoi falje publike për gabimet e paraardhësve të saj. “Unë e pranoj me sinqeritet se gjatë dekadave të fundit, ne mund t’i kishim dëgjuar miqtë tanë në Baltik për çështjet që lidhen me sigurinë tonë të përbashkët dhe Rusinë”- tha ajo në takimin vjetor të diplomatëve më të lartë të vendit të saj.

Ndjesa e Gjermanisë dhe kthesa e fortë që kërkohet prej saj
Kryeministrja e Finlandës, Sana Marin

Ndoshta ajo mund t’ia rekomandonte këtë ndjesë edhe homologut të saj gjerman, Olaf Sholc. Gabimet e vendit të saj gjatë 30 viteve të fundit, janë të lehta nëse krahasohen me ato të Gjermanisë. Finlanda ka ndjekur një program për garantimin e pavarësisë energjetike nga Rusia, ndërsa Gjermania e rriti në mënyrë katastrofike varësinë e saj nga gazi rus, duke ndërtuar jo 1 por 2 gazsjellës përtej Detit Baltik.

Në nivelin ushtarak, Finlanda nuk hoqi asnjëherë dorë nga të qënit vigjilente. Ndërkohë Gjermania është një shembull shumë i keq në këtë drejtim. Për më tepër, politikanët gjermanë e penguan sigurinë e të tjerëve, duke e ngadalësuar vendimmarrjen për zgjerimin e NATO-s por edhe mbi planet e emergjencës për të mbrojtur anëtarët lindorë të aleancës nga Rusia.

Lufta në Ukrainë, e demaskoi këtë kombinim të urryer të interesit vetjak dhe naivitetit. Por kur flitet për gabime të tjera, “Vergangenheitsbeëältigung” - përballja me të kaluarën - është e ngulitur në diskursin publik të Gjermanisë.

Në fjalimin e tij të fuqishëm mbi të ardhmen e Evropës, i mbajtur në kryeqytetin çek Pragë javën e kaluar, Sholc tha se pushtimi nazist i Çekosllovakisë “na dhemb dhe turpëron ende”. Ai e pranoi se Perëndimi e ka shpërfillur shpesh padrejtësinë e pasluftës ndaj vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore.

Çlirimi nga nazistët, ishte pararendësja e sundimit të mëtejshëm totalitar, këtë herë në duart e sovjetikëve. Fjalimi i kancelarit nënvizoi, edhe pse në mënyrë të nënkuptuar, një ndryshim të madh në mënyrën e të menduarit nga establishmenti politik gjerman.

Vendi i tij e kundërshtonte dikur anëtarësimin në BE të vendeve të varfra dhe me institucione të dobëta, duke përmendur shqetësimet për koston, kriminalitetin dhe migrimin. Tani Sholc e mbështet hapur zgjerimin e unionit në Ballkanin Perëndimor, Moldavi, Ukrainë dhe ndoshta edhe Gjeorgji.

Kjo do të thotë një BE me deri në 36 anëtarë. Gjatë fjalimit të tij ai e vuri theksin tek qëndrueshmëria e zinxhirit të furnizimit. Dhe këto fjalë u thanë nga lideri i një vendi që për dekada ka besuar se tregtia dhe investimet më të mëdha me vendet totalitare, do t’i bënin ato më miqësore.

Këto deklarata të shkëlqyera, do të ishin më të besueshme nëse do të shoqëroheshin nga pranimi i faktit, se deri vonë Gjermania ka qenë pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes. Kjo nuk është vetëm një çështje morale, por edhe praktike. Tani Sholc po tregon një “oreks” të lavdërueshëm për të menduar me guxim me një vizion të gjerë.

Për shembull, ai ra dakord me propozimin e Emanuel Makron për krijimin e një Komuniteti Politik Evropian. Ai do të përfshijë vendet jo anëtare të BE-së:si ato që presin anëtarësimin, por edhe Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit.

Por këto propozime duhet të kapërcejnë mosbesimin e madh që ekziston në gjysmën lindore të kontinentit, të krijuar nga vite të tëra vendimesh dritëshkurtra, egocentrike dhe të një gjuhe të zgjedhur në mënyrë të gabuar. Mbështetja polake ndaj kësaj nisme do të jetë me siguri jetike.

Por vendimmarrësit në Varshavë, nuk janë të impresionuar nga fjalët e këndshme që vijnë nga Berlini. Qeveria polake, sapo ka bërë publike kërkesën për një kompensim prej 1.3 trilionë eurosh për dëmet e kohës së luftës (pendimi i gjermanëve për krimet naziste nuk shtrihet aq larg:zyrtarët në Berlin thonë se çështja e kompensimit është “e mbyllur”).

Gjunjëzimi spontan i kancelarit Vili Brand në vitin 1970 para memorialit të Kryengritjes së Getos së Varshavës, i hapi rrugën pajtimit të pjesshëm me Poloninë e sunduar nga komunistët. Askush nuk e pret një akt të ngjashëm nga Sholc. Por që të ketë sukses ashtu si paraardhësja e saj, Ostpolitika e re ka nevojë për hapje dhe ndershmëri në raport me të kaluarën.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga