web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Moxart: Ja si ushtarakët perëndimorë po i trajtojnë ushtarët ukrainas

27 Gusht 2022, 14:59, Blog Florence Aubenas
Moxart: Ja si ushtarakët perëndimorë po i trajtojnë
Foto ilustruese

Një pluhur i bardhë qëndron pezull mbi rrugën e boshatisur, dhe është aq i drejtë sa që duket i vizatuar me dorë. Pavarësisht natës, vapa ndryshon gjithçka, dhe ambienti duket si ai i një film uestern. Në fakt jemi në një qytet i vogël në rajonin e Donjeckut, në Donbasin ukrainas, jo shumë larg vijës së parë të luftës kundër trupave ruse.

Në mesin e godinave të ulëta ndodhet një hotel, një lloj bujtine e vogël familjare me perde të valëzuara, të cilës lufta i jep aktualisht një pamje të çuditshme. Një bombardim aty pranë, pak para mesnatës, solli daljen me shpejtësi jashtë të atyre pak klientëve:personel ndërkombëtar humanitar, të dërguar specialë, apo ushtarë të licencuar.

Midis tyre, një ekip i vogël që angazhohet në dhënien e ndihmës së parë. Fjala është për grupin Moxart, një kompani ushtarake private amerikane (CMP) e përbërë nga rreth 30 vullnetarë, që të gjithë veteranë të trupave amerikane elitë.

“Ne bëjmë këtu një punë që nuk mund ta bëjë Uashingtoni. Pentagoni justifikohet duke thënë se nuk ka të bëjë fare me ne. Dhe në fakt ka të drejtë, kështu është e vërteta”- thotë Endi Milbërn, koloneli amerikan në pension pas 31 vitesh shërbim tek marinsat, dhe themelues i grupit.

Pas vitit 2001, kompanitë private ushtarake u shtuan shumë në vendet me rrezikshmëri të lartë, nga Irani deri në Mali. Por në Ukrainë, “loja” e Moxart, mund të rezultojë të jetë edhe më e rrezikshme. Një ditë pas alarmit për bombardimet, Endi Milbërn dhe ekipi i tij u nisën në një mision sekret në Zaitseve, një fshat që ndodhen në mesin e luftimeve, por ku vazhdojnë të jetojnë ende disa banorë.

Në çdo pikë kontrolli, njerëzit e Mozart shpërndajnë nga 2 kanaçe me pije të gazuara. Kjo është në stilin e tyre. Këtë herë janë 6 prej tyre, në dy fuoristrada “për të mos hipur të gjithë në të njëjtën makinë nëse ajo goditet”. Kryesisht me origjinë anglo-saksone, njerëzit e Moxart janë midis 30 dhe 45 vjeç.

Desbs është i vetmi francez, një breton që ka qenë 3 vite pjesë e forcave speciale franceze. Në fillim ai vendosi t’i bashkohej brigadës ndërkombëtare pas apelit që bëri presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski. Por kur shkoi në Ukrainë pati disa hezitime. Kishte shumë fillestarë në mesin e rekrutëve, dhe një angazhim të detyrueshëm 6-mujor në luftë.

Më pas Debs iu bashkua Moxartit, për shkak të kontratave më fleksibël dhe kolegëve që ngjajnë me të. “Unë kam shëndetin e mirë dhe aftësitë. Do ta kisha të pamundur të shihja veten në pasqyrë, nëse do të kisha qëndruar në divanin e shtëpisë sime duke mos bërë asgjë”- thotë ai.

Një tjetër vullnetar më shpjegoi se donte të “ndihmonte njerëzit që kanë të njëjtin armik si unë:rusët”. Por asnjëri prej tyre nuk dëshiron të zbulojë identitetin e tij. Deri më tani Moxart duket si shembulli klasik i një kompanie sigurie. Sipas një raporti të parlamentit francez të vitit 2012, në botë ka mbi 1500 të tilla.

Është zgjedhja e emrit, ajo që zbulon ndoshta pa dashje paqartësinë e rrezikshme të situatës në Ukrainë. Moxart ishte menduar të ishte një referencë ironike ndaj Vagner, batalionit privat rus që mburret me një reputacion shumë të keq. Kundërvënia ishte shumë joshëse:Moxart kundër Vagner, që do të bënte të flisnin shumë njerëz.

Por sot Milbërn i vjen keq për zgjedhjen e emrit. Nën etiketën e përgjithshme të CMP-së bashkëjetojnë realitete shumë të ndryshme. Nga njëra anë, është grupi rus i quajtur “ushtria sekrete e Putinit” me mercenarët e tij shumë të dhunshëm që marrin pjesë në luftime; siç ishte kompania private amerikane “Blackëater” në Irak.

Nga ana tjetër, Moxart pretendon se kryen misione vetëm humanitare dhe stërvitore. “Nëse ndonjë nga njerëzit tanë do të përfshihet vetë në luftime, ai duhet të largohet nga grupi”- thotë Milbërn. Asnjë nga anëtarët e grupit nuk mban armë.

Ndalesa e parë:Bakhmut, një qytet nën zjarrin e bombardimeve ruse. Në rrugë një grua tërheq zvarrë një bidon me ujë të vendosur mbi një karrocë, ndërsa një djalë i ri kërkon ushqim. Pranë tregut të qytetit, që gjithashtu është bombarduar, një duzinë ushtarësh të regjimentit të 72-të të Ukrainës jan dukë bërë roje.

Ata janë rreth të 20-ave të tyre dhe tashmë kanë parë vdekjen e shumicës së miqve dhe shokëve të tyre. Një burrë i Moxart u del përpara:”A do t’u interesonte trajnimi ushtarak?”. Kursi është falas, 10 ditë intensive trajnimi mbi mënyrën e përdorimit të armëve dhe taktikave, në një ambient privat, dhe me rezultate “spektakolare”.

Regjistrimet bëhen në vend, drejtpërdrejt, dhe pa kaluar në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes. Në përgjithësi, çdo seancë mbledh rreth 40 ushtarë. Ata duhet të jenë të paktën dyfishi, por asnjë komandant ukrainas nuk ka luksin të largojë kaq shumë njerëz nga fronti në të njëjtën kohë.

“Këtu gjërat funksionojnë në të kundërt:Shpeshherë ne i stërvitim njerëzit pasi kanë luftuar dhe jo më parë”- thotë i habitur një vullnetar i grupit Moxart. Ky trajnim është misioni kryesor i pretenduar nga grupi në Ukrainë. Sipas Milbërn, 2500 ushtarë e kanë kaluar atë gjatë 4 muajve të fundit.

Në fillim të pushtimit rus në mars, ish-koloneli mbeti i çuditur nga mungesa e trajnimit të trupave. Në atë kohë, Milbërn kishte shkuar në Ukrainë për të përjetuar sadopak nga atmosfera e luftës në rolin e një “gazetari të pavarur” thotë ai. Por nën penën gazetarit, u zbulua shumë shpejt ushtaraku i vjetër.

Milbërn krijoi CMP-në “falë donacioneve private të mbledhura përmes internetit” kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, nga njerëz që dëshirojnë të mbeten anonimë. Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt, Uashingtoni evakuoi me shpejtësi rreth 100 këshilltarët ushtarakë që kishte atje.

Edhe pse ndihma e Amerikës vazhdon përmes furnizimit me armë dhe logjistikë, Shtëpia e Bardhë po bën gjithçka që është e mundur për të shmangur një konfrontim të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë. Qytetarët amerikanë inkurajohen të largohen nga Ukraina, dhe Pentagoni mohon çdo lidhje me CMP, Moxart ose grupimeve të ngjashme.

Por perspektiva e një Vietnami të Dytë i shqetëson Shtetet e Bashkuara. Gjatë Luftës së Ftohtë, Uashingtoni u përfshi gradualisht në atë konflikt, ndonëse ambicia e tij fillestare ishte vetëm “këshillimi” dhe “armatosja” e Vietnamit të Jugut. Në atë kohë, instruktorët amerikanë ndërhynë me uniformë ushtarake, ndryshe nga CMP-të e sotme në Ukrainë.

Duke përfituar nga prania e tyre, Moska deklaron vazhdimisht se ndryshe nga sa pretendon, NATO ka dërguar njerëz në terren. Po ashtu Putin akuzon Shtetet e Bashkuara për zgjatjen e konfliktit. “Unë jam 250 për qind i sigurt se janë amerikanët dhe britanikët, ata që na gjuajnë me raketahedhëset amerikane HIMARS”-u shpreh kapiteni rezervist Vladimir Jeranosian në faqen e internetit Ukraina.ru (një degë e kanalit zyrtar rus Rossiya Segodnya), duke synuar të ndezë më tej konfliktin.

Dy fuoristradat e grupit Moxart sapo kanë mbërritur në fshatin Zaitseve. Kur dëgjojnë zhurmën e motorëve, dalin nga bodrumet dhe strehimoret banorët e fundit të mbetur. Ata grumbullohen rreth thasëve me ushqime të shkarkuara nga vullnetarët. Kësaj here bëhet fjalë për një mision humanitar.

Këtu nuk ka më ujë, as energji elektrike dhe as ushqime. “Pse nuk largoheni nga këtu?”- pyet Yuri, përkthyesi i Mozartit. Një grua me një bluzë me logon “Star Ëars” përgjigjet:”Unë jam ende në borxh ndaj vjehrrit dhe vjehrrës time”. Po sikur grupi Moxart të gjendej papritur ballë për ballë me grupin Vagner apo luftëtarët e tjerë pro-rusë?

Ideja që prania e tyre, edhe pse e paarmatosur, mund ta përshkallëzojë luftën në një dimension tjetër, i shqetëson. Por ata e shohin veten si një argjinaturë:nga këndvështrimi i tyre, trajnimi i ushtarëve ukrainas do të ndihmonte për të zbutur agresionin e Moskës.

Dhe në vend të Vietnamit, disa prej tyre përmendin Luftën e Dytë Botërore. “Në të ardhmen do të na qortojnë për maturinë tonë. Ata do të na thonë:”Pse nuk bëtë më shumë? Historia do të na gjykojë”- thotë njëri prej tyre. Në distancë, silueta e zezë e një fabrike të rrënuar e pret në dysh horizontin. Në kthim ndeshim shumë makina të braktisura dhe me plot shenja plumbash. Në një nga postblloqet, grupi Moxart nuk ndalet. Ai sapo ishte bombarduar./ Përshtatur nga CNA.al 





Lajmet e fundit nga