web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A është e mundur të udhëtohet pas në kohë?

28 Gusht 2022, 10:42, Blog CNA
A është e mundur të udhëtohet pas në kohë?
Foto ilustruese

Profesori i kozmologjisë në Institutin e Kozmologjisë dhe Gravitacionit të Universitetit të Portsmuthit, Kazuja Koyama, u përgjigjet disa pyetjeve interesante në faqen e internetit "CORDIS", në lidhje me një nga misteret më të mëdha të kozmosit: kohën. Po ashtu ai iu përgjigj njërës prej pyetjeve që u intereson më shumë të interesuarve mbi këto çështje: A mund të udhëtoni pas në kohë?

Po çfarë është koha?

Koha është diçka që nuk mund të shihet dhe as preket, dhe për këtë arsye lind natyrshëm pyetja: Nga e dimë ne që ajo ekziston vërtet? Për të përcaktuar të paktën një kuptim të kohës, studiuesit krijuan konceptin e “kohës absolute”, që në thelb përdoret për të përshkruar ndryshimet, kryesisht një sekuencë ngjarjesh.

Për shkak të mënyrës sesi e përjetojmë sot kohën, pra në jetën tonë të përditshme, mendimi njutonian ka ende një peshë të caktuar. Sipas këtij mendimi, koha është konstante, kudo në univers, dhe ky është një përafrim mjaft i mirë se si e përjetojmë atë çdo ditë. Megjithatë, koha ndryshon shumë nga të menduarit e Isak Njutonit, siç e zbuluan edhe vetë shkencëtarët gjatë shekullit XX-të.

A janë koha dhe hapësira e njëjta gjë?

Ajo që është e rëndësishme të kuptohet, sugjeron Kojama, është se nuk është e mundur të flitet për kohën nëse nuk merret parasysh hapësira. Është një “paketë” e vetme, ndaj nuk mund t’i shkëputim dy entitetet. Për shembull, mënyrat në të cilat një objekt lëviz në hapësirë, mund të ndryshojnë mënyrën se si ai objekt e përjeton kohën.

Siç na e shpjegoi Albert Ajnshtajni, shpejtësia me të cilën udhëtoni nëpër hapësirë, mund të ndryshojë kohën që përjetoni. Pikërisht për këtë arsye, duke udhëtuar me shpejtësi shumë të madhe, mund të udhëtohet në njëfarë kuptimi në të ardhmen, të paktën në krahasim me ata që udhëtojnë më ngadalë.

Pra, a mund të udhëtohet në të kaluarën?

Së fundi, studiuesi ofron për publikun disa konsiderata interesante në lidhje me udhëtimin në kohë. Nëse e marrim të mirëqenë që të paktën në një nivel fizik, udhëtimi në të ardhmen mund të jetë i mundur, çfarë dimë për udhëtimin në të kaluarën? Sipas Kojamas, udhëtimi në të kaluarën nuk është i mundur.

Pasi që kjo të jetë e mundur, do të duhej të zbulohej një lloj krejtësisht i ri materies, një lëndë që mund të ndryshojë lakimin e kohës dhe hapësirës. Do të ishte një materie me veti “që thjesht nuk ekzistojnë në natyrë”, shpjegon studiuesi. Sipas Kojamas, bota e fizikës në përgjithësi mendon se udhëtimi në të kaluarën është i pamundur edhe nëse “është bukur të fantazosh për të”./Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga