LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Intervista/ “Dimri që po vjen mund të jetë një nga më të këqijtë në histori”

13 Shtator 2022, 08:33, Blog CNA
Intervista/ “Dimri që po vjen mund të jetë një nga
Komisioneri Evropian për Ekonominë, Paolo Xhentiloni

Komisioneri Europian për Ekonominë, Paolo Xhentiloni, i pret të ftuarit në katin e 12-të të Berlejmon, selia e Komisionit Europian në Bruksel.

Mbi një mur nderet një monedhë kroate e madhe e bërë prej kartoni. Fakti që monedha e përbashkët europiane do të futet në vendin ballkanik më 1 janar 2023, është një nga lajmet e pakta të mira që vijnë muajt e fundit nga Bashkimi Europian.

Tani, Xhentiloni e sheh veten të përfshirë në luftën e fortë të Europës kundër krizës energjetike. 67-vjeçari që ka qenë kryeministër i Italisë në vitet 2016-2018, paralajmëron se dimri i këtij viti mund të jetë një nga më të këqijtë që mban mend historia.

Çmimet e gazit arritën këtë vit një rekord të ri. A po përballet eurozona me një recesion ekonomik?

Askush nuk mund ta përjashtojë këtë skenar. Inflacioni që po përjetojmë aktualisht, do ta zhysë në turbulenca ekonominë e unionit, dhe dimri i ardhshëm mund të jetë një nga më të këqijtë në histori. Ne po përballemi me një nivel pasigurie të paprecedentë. Por të dhënat për ekonominë e BE-së mbeten në përgjithësi pozitive, dhe situata në tregun e punës është e mirë.

Kryeministrja franceze, Elisabet Borne, ka paralajmëruar për mundësinë e racionimit të energjisë në BE. A është kjo diçka që ju shqetëson?

Kjo gjë varet nga vendimet që do të marrë presidenti rus Vladimir Putin, por dhe nga veprimet që do të ndërmarrim ne në BE. Masat e kursimit të energjisë tashmë janë të nevojshme. Ne kemi parë zhvillime pozitive në lidhje me mbushjen e depozitave të gazit natyror dhe kursimin e energjisë. Por situata në vendet anëtare të BE-së është shumë e ndryshueshme. Ndaj racionimi mund të bëhet i nevojshëm në disa prej tyre.

Si mund të parandalohet kjo gjë?

Me një përgjigje të fortë dhe të përbashkët. Qeveritë po marrin tashmë masa të forta. Deri në fund të muajit gusht, gati 1 për qind e PBB totale të BE-së është vendosur në funksion të zbutjes së krizës energjetike. Ndërkohë, do të njoftohen edhe masa të tjera shtesë, siç është paketa e ndihmës e paraqitur nga qeveria gjermane. Mund të supozojmë se këto masa mbështetëse do të arrijnë në rreth 2 për qind të PBB-së deri në fund të këtij viti.

A do të jenë vërtet në gjendje vendet anëtare të përballojnë shpenzime kaq të mëdha?

Reagimet e vendeve ndaj krizës ishin të domosdoshme dhe të pashmangshme. Por për aq sa është e mundur, programet e ndihmës duhet të jenë të përkohshme dhe me synime specifike. Por kriza aktuale e bën tejet të vështirë kufizimin e kohës së tyre.

Nisur nga situata aktuale, cila qeveri do të guxonte t'u jepte fund programeve të ndihmës që u prezantuan vetëm një muaj më parë? Për vendet që po vuajnë tashmë nivelet e larta të borxhit, kjo krizë mund të prodhojë probleme të përhershme buxhetore.

A keni frikë se disa vende të BE-së mund të hasin shumë vështirësi dhe të shfaqet një krizë e re e euros?

Për momentin jo. Sigurisht, normat e interesit janë rritur paksa. Por ato janë ende shumë të ulëta. Për më tepër, sistemi bankar europian është shumë më i fortë se 15 vjet më parë.

Nuk besoj se kriza ekonomike do t’i mbivendoset sektorit financiar.

Në funksion të krizës, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë thirrje Europës të përshpejtojë reformat e planifikuara për rregullat fiskale europiane. Ju e mbështesni?

Në javët në vijim Komisioni do të paraqesë disa propozime. Kjo krizë na jep mundësinë të kapërcejmë përfundimisht dallimet e vjetra mbi këtë çështje. Ne kemi nevojë për financa më të forta. Por duhet të jemi të kujdesshëm për të shmangur dëmtimin e rritjes ekonomike.

Qeveria gjermane e ka bërë të qartë se është kundër çdo ndryshimi të rregullave. Berlini dëshiron të sigurojë që huamarrja e re të mos kalojë 3 për qind të PBB-së. Jeni të zhgënjyer me këto propozime?

Jo. Edhe unë besoj se objektivi prej 3 për qind është një kriter i mirë për të siguruar që politika buxhetore të mbetet në rrugën e duhur. Ne duhet t’i përmbahemi atij. Por njëkohësisht, qeveria gjermane e pranon se ne nuk mund t’i mposhtim vendet kur bëhet fjalë për shlyerjen e borxhit ...

Ju po i referoheni rregullit, sipas të cilit vendet me ngarkesë të lartë të borxhit kombëtar, duhet të paguajnë çdo vit 1/20 e borxhit të tyre mbi 60 për qind të PBB-së…

Pikërisht. Ky rregull nuk mund të zbatohet, sepse do të impononte masa të ashpra shtrënguese. Fakti që Berlini pajtohet me këtë gjë, është një pikënisje e mirë për debatin e mëtejshëm.

FMN ka propozuar edhe krijimin e një tjetër fondi të krizës, i modeluar sipas programit të Rimëkëmbjes nga Pandemia. Çfarë mendoni për atë ide?

Së pari, ne duhet t’i fokusojmë përpjekjet tona në maksimizimin e instrumenteve ekzistuese të krizës dhe te përshtatja e tyre ndaj situatës së re, si për shembull Fondi i Rindërtimit. Dhe ne kemi ende njëfarë lirie veprimi. Por nëse thellohet rënia ekonomike dhe ajo nis të ndikojë te tregu i punës, ne do të duhet ta rishqyrtojmë qasjen tonë. Në një situatë të tillë, mund të bëhet e nevojshme të merren parasysh masa të mëtejshme stimuluese ekonomike.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga