LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Duke dëgjuar zërin e Zotit

1 Mars 2023, 08:23, Blog CNA

Duke dëgjuar zërin e Zotit

Mendimet dhe ndjenjat nuk sillen si objektet materiale që zotërojmë. Ne nuk mund të vendosim që të mos jemi të zemëruar, dhe nuk mund të duam atë që mendojmë se duhet të duam. Është e vështirë ta reduktojnë dialogun tonë të brendshëm apo të ndalojmë së menduari mbi një çështje shqetësuese, edhe pse e dimë se nuk ka kuptim të vazhdojmë më tej.

Jemi ne ata që mendojmë, e megjithatë mendimet tona janë të mbushura me fjalët dhe veprimet e njerëzve të tjerë: kritikat e babait, vërejtjet e çuditshme të një kolegu, një bisedë e padëshiruar që duket se shpaloset vetë.

Në shumë mënyra mendimet tona sillen sikur të kishin qëllimet dhe vullnetet e tyre, sikur të ishin adoleshentë rebelë që i shkelin rregullat. Ne themi shpesh se mendimi na bllokoi, sikur ai na erdhi nga jashtë dhe ne jemi të trembur. Po ashtu shprehemi se jemi të trazuar thellë në ndërgjegjen tonë jonë, duke u zgjuar siç tha dikur Emanuel Kant, nga gjumi ynë dogmatik, sepse ideja që na erdhi në kokë është më e madhe, më e mençur dhe më e vërtetë se çdo gjë tjetër.

Ndonjëherë ndihemi të bullizuar nga vetë sulmi që i bëjnë vetes: jam i shëndoshë, jam budalla, jam i ngathët, e kam bërë shumë keq këtë punë. Ndihemi sikur një thirrje e brendshme na nxit të kemi një profesion të caktuar, dhe po ashtu për të punuar shumë.

Shpeshherë nuk e dimë se çfarë kamxhiku të brendshëm na fshikullon. Ndonjëherë ndjenja e thirrjes është aq e qartë, urdhëresa aq e brendshme, saqë ai që thirret e ndien pa dyshim se zëri është i vetë Zotit. Disa vite më parë takova në Kaliforni një grua, e cila edhe pse ishte diplomuar në një universitet shumë të njohur, puna më e mirë që kishte mundur të gjente ishte si shitëse në turnin e mëngjesit në ushqimoren pranë një pike karburanti, nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 13:00 të mesditës.

Asaj nuk i pëlqente shumë puna që bënte: “Ndeshem me shumë njerëz të varur nga droga, me shumë sjellje të vrazhda e të papërshtatshme. Nuk e mbaj mend sa herë jam detyruar të merrem me dikë që përpiqet të nxjerrë më kot para nga bankomati aty pranë duke përdorur kartën e anëtarësisë së bibliotekës.

Njerëzit hynin në dyqan dhe blinin birrë, cigare dhe ushqim për macet. Dhe unë e them me sinqeritet se kam qenë shumë gjykuese ndaj tyre. Mendoja shpesh: O Zot pse jam këtu me këta njerëz? Një mëngjes në dyqan hyri një grua, e cila dukej sikur kishte qëndruar zgjuar gjithë natën.

Më dukej sikur kishte pasur një përvojë të tmerrshme. Ajo i hodhi produktet mbi banak. Më pas më pa në sy dhe me tha: Hej a mund të më japësh edhe një stekë cigaresh? Mendoj se po ju përgjigja. Teksa u ktheva nga raftet nisa të mendoj mbi gjykimet e mia të ashpra mbi njerëz të tillë.

Dhe në atë moment dëgjova zërin e Zotit që më foli në një mënyrë që nuk e kisha përjetuar prej shumë kohësh: "Mos e gjyko këtë grua! Unë e kam krijuar sipas imazhit tim dhe e dua. Mos e gjyko atë. U trondita dhe për pak sa nuk u rrëzova përtokë. Mezi i ktheva kusurin.? Që nga ai moment unë kam ndryshuar”.

Mendimi i erdhi sikur të mos ishte i saj. Ajo nuk ndjeu se e interpretoi mendimin si zë të Zotit. Përkundrazi e ndjeu në shpirt se Zoti kishte folur brenda mendjes së saj, dhe kjo ia ndryshoi jetën. Ndonjëherë momente të tilla mund të ndryshojnë historinë. Një natë dimri në vitin 1956, një burrë po rrinte vetëm në kuzhinën e tij.

Ai sapo kishte ndihmuar në organizimin e një bojkoti të autobusëve të zonës. Por kur kishte kaluar një muaj, ai dhe familja e tij merrnin çdo ditë mbi 30 telefonata dhe letra kërcënuese. Disa ishin sulme verbale me natyrë seksuale. Një ditë një mik i tha se rrezikonte që të vritej.

Ai nisi të dëgjonte çdo ditë zëra mbi një kërcënim të tillë. Atë natë, pati një telefonatë kërcënuese kur ishte duke fjetur.

Më pas shkoi në kuzhinë sepse nuk e zinte më gjumi. Me kokën e zhytur midis 2 duarve, u përkul mbi tavolinë dhe u lut me zë të lartë. Tha se nuk i kishte mbetur më forcë dhe se nuk mund ta përballonte të ardhmen i vetëm.

“Në atë moment përjetova praninë e Hyjnores, siç nuk e kisha përjetuar kurrë më parë. Më dukej sikur mund të dëgjoja sigurinë e qetë të një zëri të brendshëm që më thoshte: “Çohu për drejtësinë, ngrihu për të vërtetën dhe Zoti do të jetë përgjithmonë në anën tënde!”. Frika ime nisi të zhdukej thuajse që nga ai çast. Pasiguria ime u zhduk. Isha gati të përballesha me çdo gjë”.

Tri ditë më vonë shtëpia e tij u sulmua me bomba. E megjithatë, Martin Luter King Jr. e vazhdoi misionin e tij. Në fundin e shekullit IV, një i ri afrikan po luftonte me bindjet e tij.

Ai donte të bëhej i krishterë, por nuk mund t’i përkushtohej asaj që do të pritej prej tij. E mendonte veten si një njeri të padenjë.

Një pasdite, i shkuan në shtëpi disa vizitorë, për t’i treguar historinë e një njeriu që ishte tërhequr nga bota dhe nga ambiciet, duke jetuar në shkretëtirë, duke iu lutur Zotit. Të riut gati sa nuk i plasi zemra. Vrapoi jashtë në kopsht dhe qau i braktisur, i shtrirë përtokë. “Papritmas një zë më mbërriti në vesh nga një shtëpi aty pranë. Ishte zëri i një djali apo i një vajze (nuk e di se cilës) dhe nën tingujt e një kënge disa fjalë përsëriteshin vazhdimisht ”Merre dhe lexoje. Merre dhe lexoje”.

Fytyra ime ndryshoi menjëherë, dhe fillova të mendoj me kujdes nëse këndimi i fjalëve të tilla ishte pjesë e ndonjë loje që luanin fëmijët. Mua vetë nuk më kujtohej ta kisha dëgjuar diçka të tillë më parë. Isha shumë i sigurt se duhet ta interpretoja këtë si një urdhër hyjnor”. Shën Agustini u konvertua si i krishterë. Mësimet e tij mbi hirin dhe shpëtimin, ndjenja e tij se këto janë dhuratat e Zotit dhe jo zgjedhjet njerëzore, ndikojnë shumë edhe sot te Krishterimi.

Zërat janë të çuditshëm dhe shumë pak të kuptuar nga studiuesit. Megjithatë, ato janë në qendër të momenteve më të mëdha të transcendencës dhe dëshpërimit njerëzor. Agustini u konvertua në Krishterim, pasi dëgjoi një zë që e urdhëroi të merrte në duar shkrimin e tij të shenjtë dhe ta lexonte.

Pali nisi misionin e tij të përhapjes së Krishterimit, kur dëgjoi një zë nga qiejt që e pyeti pse i persekutonte pasuesit e Jezusit. Zoti i foli Moisiut; Allahu ia diktoi Kuranin Muhamedit. Ndonjëherë autorët e shkrimeve të shenjta i dëgjojnë personazhet e tyre duke u folur atyre sikur të ishin brenda në dhomë.

Shumica nga ne ndiejnë dhe ndonjëherë dëgjojnë zërin e autoritetit moral. Po ashtu ndjejmë praninë e të tjerëve që janë vizualisht të padukshëm, herë kur jemi gati për të fjetur, dhe herë pasditeve të mbushura me diell. Shumica dërrmuese e njerëzve ndiejnë, dëgjojnë ose e e shohin bashkëshortin e tyre në muajt pas humbjes së tyre, dhe shpeshherë thonë se ky kontakt i ngushëllon.

Këto përvoja janë ndonjëherë të zakonshme e të përditshme. Ndonjëherë një zë e nxit një person drejt një ndryshimi rrënjësor për mirë. Njerëzit heqin dorë nga varësitë e ndryshme; gjejnë qëllimin e tyre në jetë; dhe bëhen njerëzit që i fton të jenë zëri që u flet në kokë.

Unë jam antropologe në profesion, dhe kam biseduar prej vitesh me njerëz që kanë pasur eksperienca të tilla. Ja çfarë mendoj unë për to: në qendër të këtyre përvojave është marrëdhënia paradoksale që kanë njerëzit me mendimet e tyre.

Zërat, këto momente të çuditshme ekzotike, na futin në enigmën e mendimit si një përvojë njerëzore - jo aq shumë fakti që ne mendojmë, por mënyra se si ndihesh kur mendon, dhe si ne arrijmë të kuptojmë çuditshmërinë që ndiejmë se zotërojmë mendimet tona, por që në fakt nuk i kontrollojmë.

Këto përvoja na mësojnë diçka për natyrën e mendjes. Se ajo nuk është një univers i madh i brendshëm jomaterial, por diçka shumë më sociale, ku mendimet kanë një përmbajtje dhe bartin një jehonë komplekse të bisedave tona me të tjerët. Po ashtu ato na japin një aftësi, të cilën ne mund ta përdorim.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga